• 04.03.2024

MUAJI KOMBËTAR I NDËRGJEGJËSIMIT PËR KANCERIN E ZORRËS SË TRASHË - MARS 2024


 

Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e zorrës së trashë është shumë i rëndësishëm për t’i informuar qytetarët për llojin e katërt më të shpeshtë të kancerit në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën. Me mbi 100.000 raste të reja çdo vit dhe mbi një milion raste gjithsej, "kanceri i zorrës së trashë" është një problem shumë i madh. Por me zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje mund të parandalohen më shumë se gjysma e vdekjeve në vit. Falë Muajit Kombëtar të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Zorrës së Trashë, vëmendja po përqendrohet në rëndësinë e zbulimit të hershëm dhe skriningut. Në muajin mars ne bëhemi bashkë për të dhënë shpresë dhe për të rritur ndërgjegjësimin.

Historia e Muajit Kombëtar të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Zorrës së Trashë

Sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit çdokush mund të zhvillojë kancer të zorrës së trashë, por disa nga faktorët kryesorë të rrezikut janë:

• dieta e pasur me mish të kuq (si viçi, derri, qengji ose mëlçi) dhe mish i përpunuar (salçiçe dhe përpunime të mishit).

• mosha dhe pirja e duhanit gjithashtu janë faktorë të rrezikut. Gjëja më e mirë që mund ta bëni për ta shmangur këtë lloj kanceri është të jeni aktiv, të mos pini duhan, në vend të mishit të kuq të konsumoni më shumë perime dhe të bëni ekzaminime të rregullta të zorrës së trashë duke filluar nga mosha 45 vjet ose më e re, në rast se keni histori familjare me këtë sëmundje.

• kanceri i zorrës së trashë mund të mjekohet dhe jo domosdoshmërisht është fatal. Arsyeja që kanceri ka një shkallë më të lartë të vdekjeve në mesin e të rriturve në SHBA është sepse 20-25% e pacientëve gjatë diagnostikimit veçmë janë metastatikë, që do të thotë se kanceri është përhapur në pjesë të tjera të trupit. Megjithatë, varësisht nga shkalla e përhapjes së sëmundjes, ajo mund të mjekohet me një sërë mundësish për trajtim që janë në dispozicion, si ndërhyrja kirurgjikale, kimioterapia dhe terapia me rrezatim.

Cilat janë shenjat e hershme të kancerit të zorrës së trashë?

Shumë njerëz me kancer të zorrës së trashë nuk kanë simptoma në fazat e hershme të sëmundjes. Megjithatë, disa simptoma mund të përfshijnë ndryshimet e vazhdueshme në punën e zorrës së trashë, si diarrea ose kapsllëku, ose ndryshimin e konsistencës së jashtëqitjes; gjakderdhje rektale ose gjak në jashtëqitje; shqetësime të vazhdueshme të stomakut, si ngërçe, gazra ose dhimbje; ndjenjën që zorrët nuk janë zbrazur plotësisht; dobësi, lodhje ose rënien e pashpjegueshme në peshë.

Sa i keq është kanceri i zorrës së trashë?

Kanceri i zorrës së trashë është vdekjeprurës, por edhe një nga më të lehtit për t'u zbuluar edhe në fazat më të hershme, është një nga llojet më të shërueshme të kancerit.

Pesë fakte rreth kancerit të zorrës së trashë:

1.   Një person mund të ketë kancer të zorrës së trashë pa simptoma.

Sipas Shoqatës së Kancerit të zorrës së trashë, pacientët e diagnostikuar me kancer të zorrës së trashë shpesh nuk kanë kurrëfarë simptomash.

2.   Nëse keni lindur në vitet 1990.

Ju jeni dyfish më të rrezikuar nga kanceri i zorrës së trashë dhe katër herë më të rrezikuar nga kanceri i rektumit sesa ata të lindurit në vitet 1950. Kjo është një statistikë e pavolitshme për këdo që ka lindur në këtë periudhë.

3.   Kanceri i zorrës së trashë shfaqet në familje.

Njerëzit prindi, vëllai, motra ose fëmija i të cilëve është diagnostikuar me kancer të zorrës së trashë janë dy ose tre herë më të rrezikuar nga kanceri i zorrës së trashë, krahasuar me ata pa histori familjare të sëmundjes.

4.   Është shkaku i tretë kryesor i vdekjeve tek të rinjtë.

Në vitin 2020 janë regjistruar rreth 18.000 raste të kancerit të zorrës së trashë të diagnostikuar tek persona nën 50 vjet, gjegjësisht 49 raste të reja në ditë.

5.   Skriningu

Në Shtetet e Bashkuara që nga mesi i viteve 1980, shkalla e incidencës së kancerit të zorrës së trashë ka rënë, por edhe mosha e personave të përfshirë në skrining. Kjo është rezultat i rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve, por shkalla e skriningut mbetet ende e ulët, sidomos tek ata pa sigurim shëndetësor.

Pse është i rëndësishëm muaji i kancerit të zorrës së trashë

a) Sëmundja mund të parandalohet. Sa më herët të zbulohet kanceri, aq më të mëdha janë shanset për ta mundur atë. Kjo është arsyeja se pse zbulimi i hershëm është kaq i rëndësishëm.

b) Edhe pse është një sëmundje vdekjeprurëse, përsëri është një sëmundje që mund të zbulohet lehtësisht dhe të trajtohet. Kirurgjia është forma primare e trajtimit dhe jep rezultate të mira në rreth 50% të rasteve.

c) Polipi kanceroz mund të ketë nevojë për 10 deri në 15 vjet për t'u shndërruar në kancer. Me ekzaminim të rregullt, mjekët mund t’i heqin polipet para se ato të shndërrohen në kancer.

 

Skriningu dhe zbulimi i hershëm i kancerit të zorrës së trashë në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Qëllimi kryesor për zbatimin e skriningut dhe zbulimit të hershëm të kancerit të zorrës së trashë është zvogëlimi i morbiditetit dhe mortalitetit nga kanceri i zorrës së trashë në RMV. Strategjia për përmirësimin e zbulimit të hershëm të kancerit të zorrës së trashë nënkupton ndërgjegjësim më të mirë të popullatës për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit dhe edukimin e punonjësve shëndetësorë për vetë programin.

Qëllimi është të zvogëlohet mortaliteti nga kanceri i zorrës së trashë, të zvogëlohet incidenca, të rritet përqindja e rasteve të zbuluara në kohë të kancerit të zorrës së trashë nga 14% në më shumë se 50% në 10 vjet, dhe të përmirësohet cilësia e jetës të të sëmurëve, si dhe të zvogëlohen shpenzimet për trajtimin e pacientëve me kancer të zorrës të trashë.

Në mars së bashku japim shpresë dhe avokojmë për ndërgjegjësim!

Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve