• 08.03.2024

8 Marsi – DITA NDËRKOMBËTARE E GRUAS


 

 

TË FRYMËZOJMË INKLUZION

 

Dita Ndërkombëtare e Gruas, 8 Marsi, këtë vit festohet me moton “Të frymëzojmë inkluzion” dhe ka për qëllim përfshirjen dhe integrimin e të gjithë individëve në shoqëri, pa dallim të përkatësisë së tyre racore, fetare, etnike dhe gjinore, pra përfaqëson një tendencë që çdo individ mund të përmbushet si individ, në çdo segment të ekzistencës njerëzore, në fakt “Kur vërtetë e vlerësojmë dallimin, inkluzioni vjen nga zemra.” Feministja, gazetarja dhe aktivistja e njohur, Gloria Steinem, shpjegon: "Historia e luftës së grave për barazi nuk i përket asnjë feministeje apo organizate, por përpjekjeve kolektive të të gjithë atyre që kujdesen për të drejtat e njeriut." (1)

Shikuar nga pikëpamja historike është e vështirë të përshkruhen të drejtat e grave nëpër shekuj, në kombe të ndryshme, grupe etnike, diskriminim racor, dhe pikërisht për këtë arsye ne do të theksojmë vetëm një pjesë të statusit të gruas me disa shembuj. “Gratë nuk kanë pasur të drejtë të udhëheqin një biznes pa një përfaqësues mashkull, qoftë ky babai, vëllai, bashkëshorti, një agjent ligjor apo biri. Gratë e martuara nuk kanë mundur të ushtrojnë kontroll mbi fëmijët e tyre pa lejen e bashkëshortëve. Gratë kanë pasur pak ose aspak qasje në arsim dhe i kanë pasur të ndaluara shumë profesione. Kah fundi i shekullit të 14-të dhe fillimit të shekullit të 15-të në Francë, filozofja e parë feministe, Christine de Pisan, i sfidoi qëndrimet mbizotëruese ndaj grave me një thirrje të guximshme për edukimin e gruas.” (2).

Gratë kanë qenë nën kontroll të rreptë ose "si në pranga" nga autoriteti mashkullor, duke respektuar vetëm parimet dhe rregullat e tyre, të edukuara sipas normave patriarkale dhe pa autoritetin dhe mbikëqyrjen e tyre nuk kanë mundur të bëjnë në mënyrë të pavarur asnjë veprimtari në jetën shoqërore, sociale dhe familjare.

 

Mary Wollstonecraft (1759-1797), e frymëzuar nga Revolucioni Francez, në vitin 1792 ka botuar një ese feminist "Në mbrojtje të të drejtave të grave (A vindication of the righs of women)", në të cilën ajo e kundërshton doktrinën e Rousseau dhe qëndrimin e revolucionarëve francezë dhe borgjezisë së të gjitha vendeve në të cilat vajzave u mohohet barazia në arsim me djemtë. Filozofi francez i lindur në Zvicër, Jean-Jacques Rousseau, për shembull, i portretizon gratë si krijesa budallaqe dhe joserioze, të lindura për t'u nënshtruar ndaj burrave." (3).

Elizabeth Cady Stanton, një aktiviste amerikane, në vitin 1848 në Nju Jork e ka mbajtur konventën e parë për të drejtat e grave, duke bërë thirrje për ndryshime në ligje për t'u dhënë grave një vend të barabartë në shoqëri, siç është e drejta për të votuar, ose kontrolli mbi paratë dhe pronën e tyre. Ajo ka vepruar për ndryshime në ligjin në Amerikë, ndërsa në vitin 1869 është themeluar Asociacioni Kombëtar për të drejtën e votës së gruas në Shtetet e Bashkuara. Për dallim nga mendimi i J. J. Rousseau, ajo beson se askush nuk mund të thirret në "natyrën femërore" për të reduktuar rolin e gruas vetëm në mirëmbajtjen e shtëpisë dhe plotësimin e dëshirave të burrave. Mary Wollstonecraft ka përcjellë mendimin që më pas do të bëhet një ide udhërrëfyese për feministet: "Ka ardhur koha tua rikthejmë grave dinjitetin e tyre të humbur dhe tu mundësohet që... të marrin pjesë në përparimin e botës". (4)

Mary Wollstonecraft (1759-1797),

Në thelb, feminizmi nuk duhet të interpretohet si një kundërshtim i grave ndaj burrave, ose si urrejtje ndaj seksit mashkull, por thjesht se feministët mbështesin barazinë midis gjinive, ose vetë përkufizimi i feminizmit nënkupton barazinë e grave me burrat.

Meritën më të madhe për festimin e Ditës së Gruas e kanë Rosa Luxemburg dhe Clara Zetkin, të cilat ishin një nga përfaqësueset më të rëndësishme të socializmit demokratik në Evropë dhe konsiderohen si një nga themelueset e lëvizjes ndërkombëtare të grave. Lufta e tyre për barazi ekonomike, sociale dhe politike ka lënë një gjurmë të fuqishme në luftën për të drejtat e grave përgjatë historisë. Svetllana Sllapshak, antropologe, filologe klasike, me doktoraturë në studimet antike, shkrimtare dhe feministe, për Rosa Luxemburgun shkruan: "Ikona e së majtës, e censuruar në historinë e lëvizjes punëtore... ishte mishërimi i të gjitha qëllimeve politike dhe të gjitha strategjive të feminizmit: me një fushë të gjerë ideologjike, me intelektualitetin e saj suprem, ndjeshmërinë ndaj padrejtësive sociale, të jetuarit e saj të idealeve politike, sjelljen dhe të menduarit e qartë feminist... revolucionaritetin, rezistencën kundër kufizimeve ideologjike." (5)

Për herë të parë Dita e Gruas u festua më 28 shkurt të vitit 1909 në Shtetet e Bashkuara me iniciativën e Partisë Socialiste të Amerikës. Në vitin 1910 nën kujdesin e Internacionales së Dytë në Kopenhagë u mbajt Konferenca e Parë Ndërkombëtare e Gruas dhe në të u vendos që të kremtohet Dita Ndërkombëtare e Gruas, por pa e caktuar një datë konkrete. Një vit më pas, më 19 mars të vitit 1911, në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër kjo festë u festua për herë të parë nga më shumë se një milion njerëz.

Më 8 mars të vitit 1913 gratë në mbarë Evropën mbajtën takime paqësore dhe e përkujtuan luftën e grave për barazi ekonomike, politike dhe sociale me burrat. Me vendim të Kombeve të Bashkuara në vitin 1975, 8 Marsi u shpall Dita Ndërkombëtare e Gruas.

Pas fitores së bolshevikëve në Rusi dhe me iniciativën e Alexandra Kolontai, 8 Marsi për herë të parë u shpall festë publike. Në Perëndim, në vitet 1920, festimi i 8 Marsit u shua ngadalë dhe u ringjall përsëri në vitet 1960 së bashku me rritjen e feminizmit. Megjithatë, 8 Marsi nuk është shpallur festë publike në asnjë vend perëndimor, përveç në disa vende si Rusia, Bjellorusia, Moldavia, Ukraina, Armenia, Mongolia, Uzbekistani, Vietnami, Kina. Republika e Maqedonisë së Veriut është një nga vendet që çdo vit e feston Ditën Ndërkombëtare të Gruas më 8 Mars.

Violeta Mihajllovska, magjistre e studimeve gjinore, shprehet: “Lufta e Parë Botërore ka krijuar kushte që gratë të kalojnë nga detyrat shtëpiake në detyrimet ndaj shtetit, përkatësisht në nevojat për luftë. Numri më i madh i burrave tashmë kanë qenë në radhët ushtarake, kështu që gratë janë përfshirë me punë në fabrikat e prodhimit të municionit dhe armëve, duke drejtuar makineri të rënda për nevojat e prodhimit, duke bërë punë të rënda fizike në fusha dhe ara për të siguruar ushqim të mjaftueshëm për ushtri dhe familjet. Një ikonë e famshme nga kjo periudhë është farkëtarja Rossi, e cila ishte një simbol i grave punëtore. Pas përfundimit të luftës, një numër i madh i grave janë detyruar që t'ua linin punën burrave të kthyer nga fronti dhe vetëm një numër i vogël i grave kanë mbetur të punojnë si nëpunëse, ose kryesisht si infermiere. Kjo në fakt është periudha e krijimit të profesionit të infermierisë si rezultat i punës së Florence Nightingale. Të gjitha këto aktivitete praktikisht i pasqyrojnë angazhimet dhe përfitimet e grave në valën e parë të feminizmit - të drejtat politike, ekonomike dhe sociale. Vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar janë periudha e valës së dytë të feminizmit, e cila karakterizohet nga lufta e grave për të drejtat riprodhuese, abortin, lirinë seksuale, luftën kundër dhunës në familje dhe paralelisht me këtë u zhvilluan fushata për barazimin e pagave dhe për të drejtën e abortit. Kërkesat feministe varionin nga çështjet e punësimit dhe pagës së barabartë, deri tek e drejta për kujdesin ndaj fëmijëve, kontracepsionin dhe abortin, e deri te mbrojtja nga ngacmimet seksuale në vendin e punës”. (6)

Një numër i madh i grave në shoqëritë moderne i gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre, por të mos e harrojmë faktin se edhe në shekullin XXI ka ende vende në të cilat, nën ndikimin e mjedisit social, politik dhe kulturor, ato janë ende nën "administrimin" e botës së burrave, si gratë që janë subjekt i dhunës në familje, të trajtuara si pronë personale e bashkëshortëve, vëllezërve dhe të afërmve të tyre meshkuj, madje edhe nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e anëtarëve të ngushtë dhe të gjerë të familjes nga gratë, gratë që janë të përdhunuara e që  kurrë nuk e kanë denoncuar aktin për shkak të turpit të tyre, shantazhit dhe frikës nga dhuna e përjetuar.

ISHP-Instituti i Shëndetit Publik i RMV – Shkup, ua uron të gjitha grave festën me të njëjtin slogan për barazi, dinjitet, zgjedhje personale të partnerit, pa paragjykime, për ngritjen e nivelit të mirëkuptimit të ndërsjellë pa urrejtje racore dhe fetare, të drejtë të barabartë për të vendosur për pavarësinë ekonomike të dikujt, pjesëmarrjen e barabartë në jetën politike, si dhe ndihmën për t'u përfshirë në jetën shoqërore të njerëzve që janë nën një segregacion ose margjinalizim social. Instituti , si institucion preventiv ​​shëndetësor dhe shkencor bashkë me urimet për festën, shfrytëzon rastin për të dërguar një apel publik për kontroll dhe parandalim të rregullt të shëndetit të të gjithëve, njësoj për të dy gjinitë, si për femrat ashtu edhe për meshkujt.

Burime:

(1)     IWD: International Women's Day 2024 campaign theme is 'Inspire Inclusion', достапно на www.internationalwomensday.com

(2)     Feminism | Definition, History, Types, Waves, Examples, & Facts, достапно на: Britannica.com

(3)     The origins and history of International Women’s Day, достапно на: Home - CBBC Newsround

(4)     Мишел А. Феминизам. Феникс, Скопје, 2014

(5)     Слапшак С. Женски икони на ХХ век. Темплум, Скопје, 2003

(6)    М-р Михајловска Виолета: Правата на жената низ историјата и денес (колумна), достапно на  www.sloboden pecat.mk

 

 

 

PERGATITI:

DEPARTAMENTI I PROMOVIMIT TË SHËNDETIT DHE I NDJEKJES SË SËMUNDJEVE