• 22.03.2024

DITA BOTËRORE E UJËRAVE 2024


 

 

Ujë për paqe

 

https://www.unwater.org/water-facts/water-and-peace

Uji mund të krijojë paqe ose të shkaktojë konflikt. Kur uji është deficitar ose i ndotur, ose kur njerëzit kanë qasje të pabarabartë ose nuk kanë aspak qasje në ujë, kjo gjë mund të shkaktojë tensionim të gjendjes.

Qasja në ujë të pijshëm është një e drejtë themelore e njeriut. Ne duhet të punojmë së bashku që ta mbrojmë dhe ruajmë burimin tonë më të çmuar. Bashkëpunimi për ujin hap rrugën për bashkëpunim në të gjitha sfidat e përbashkëta. Ne duhet ta përdorim ujin si një mjet për të krijuar një botë më paqësore dhe më të begatë për të gjithë.

Uji është nën një presion gjithnjë e në rritje. Ndikimet e ndryshimeve klimatike sa i përket ujit vazhdimisht po përkeqësohen, ndërsa rritja e numrit të popullsisë në mbarë botën imponon një kërkesë të shtuar për këtë burim kaq të kufizuar.  Në shumë vende, qasja e njerëzve në ujë të pijshëm të sigurt është e pabarabartë dhe e padrejtë. Në nivel të vendeve, mungesa e bashkëpunimit ndërkufitar për burimet e përbashkëta ujore përbën një rrezik për cilësinë dhe sasinë e furnizimit me ujë dhe për këtë arsye rrezikon stabilitetin social dhe ndërkombëtar.

Sigurimi i dobët i shërbimeve të ujit mund të delegjitimojë shtetet. Paaftësia e qeverisë për të siguruar shërbime bazë të ujit mund të çojë deri në delegjitimimin e institucioneve shtetërore dhe të shkaktojë trazira sociale, e sidomos në kontekst të pasigurisë ushqimore, papunësisë së lartë dhe migrimit të brendshëm.

Uji mund të shkaktojë konflikt interesi midis përdoruesve të ndryshëm të ujit, sidomos kur ka zvogëlim të sasisë dhe/ose cilësisë së ujit, gjë që mund të ndikojë në shëndetin e njeriut dhe të ekosistemit.

Uji mund të jetë armë gjatë një konflikti të armatosur – që përdoret edhe nga aktorët shtetërorë edhe nga ato joshtetërorë - si një mjet për të fituar ose mbajtur kontrollin mbi territorin dhe popullsinë, ose si një mjet për të ushtruar presion ndaj grupeve kundërshtare.

Uji mund të jetë viktimë e konfliktit kur burimet ujore, sistemet ujore ose punonjësit e ndërmarrjeve janë viktima të qëllimshme ose aksidentale, ose janë objekt i dhunës. Sulmet ndaj infrastrukturës civile, përfshirë këtu edhe sistemet e ujit, paraqesin rreziqe serioze për shëndetin dhe shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar.

Bashkëpunimi paqësor rreth ujit – brenda dhe ndërmjet vendeve – mund ta hapë rrugën për një bashkëpunim paqësor në të gjithë sektorët.

Uji mund të jetë një forcë stabilizuese dhe një katalizator për zhvillim të qëndrueshëm. Ne duhet të veprojmë sipas kuptimit se uji nuk është thjesht një burim që duhet përdorur dhe për të cilin duhet të bëjmë garë - ai është një e drejtë njerëzore qenësore për çdo aspekt të jetës.

Në nivel lokal dhe kombëtar, përdorues të ndryshëm të ujit – sidomos ndërmarrjet e furnizimit me ujë, e energjetikës, ushqimit dhe industria – duhet të bashkëpunojnë përmes një qasjeje të integruar për menaxhimin e burimeve ujore dhe të promovojnë një ekonomi qarkulluesei përmbush të drejtat e njeriut.

Në nivelin të pelgjeve, vendet duhet të zhvillojnë marrëveshje dhe të krijojnë institucione për menaxhimin paqësor të burimeve ujore që kalojnë kufijtë ndërkombëtarë.

Bashkëpunimi për ujin krijon një efekt pozitiv. Puna e përbashkët për ujin përtej kufijve dhe sektorëve do ta përshpejtojë përparimin drejt Qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, përmirësimit të sigurisë ushqimore, ruajtjes së mjeteve të shëndetshme për jetesë dhe ekosisteme, duke ndihmuar kështu në ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike, duke kontribuar në reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë, duke siguruar energji të ripërtëritshme, duke i mbështetur qytetet dhe industrinë, dhe duke inkurajuar integrimin rajonal dhe paqen.