• 25.03.2024

24 Marsi – Dita Botërore e Luftës kundër Tuberkulozit


 

Edhe këtë vit, si edhe vitet e kaluara, në 24 mars shënohet Dita Botërore e Luftës kundër Tuberkulozit. Në këtë datë në vitin 1882 u zbulua shkaktari i kësaj sëmundjeje (Mycobacterium tuberculosis) nga Dr. Robert Koch. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme në mbarë botën për t’i reduktuar pasojat e tuberkulozit, ajo vazhdon të jetë një sëmundje serioze që është e pranishme në të gjithë botën.

Tema e Ditës Botërore të Luftës kundër Tuberkulozit 2024 - 'Po! Ne mund t'i japim fund Tuberkulozit!" - përcjell një mesazh shprese se rikthimi në rrugën e duhur për ta shuar valën e epidemisë së TB-së është i mundur përmes një lidershipi të nivelit të lartë, rritjes së investimeve dhe miratimit më të shpejtë të rekomandimeve të reja të OBSH-së. Duke i ndjekur detyrimet e marra nga krerët e shteteve në takimin e nivelit të lartë të OKB-së në vitin 2023 për ta përshpejtuar progresin për t'i dhënë fund TB-së, fokusi i këtij viti zhvendoset në kthimin e këtyre detyrimeve në veprime të prekshme.

Për t’i ndihmuar vendet që ta rrisin qasjen në trajtime preventive ​​për tuberkulozin, OBSH-ja do të publikojë një rast investimi për rritjen e përhapjes së trajtimit preventiv ​​për TB-në.

Çfarë është Tuberkulozi?

Tuberkulozi (TB) është një sëmundje e rëndë ngjitëse që kryesisht i prek mushkëritë, por mund të prekë edhe pjesë të tjera të trupit. Shkaktohet nga një bakter i quajtur Mycobacterium tuberculosis. TB-ja përhapet përmes ajrit kur një person me TB të mushkërive ose fytit kollitet, teshtin ose flet, ndërsa personi në afërsi të tij si pasojë i  thith bakteret.

Tuberkulozi mund të jetë latent, që do të thotë se bakteret janë të pranishme në trup, por nuk shkaktojnë simptoma dhe nuk janë aktive, por mund të përcillen te të tjerët. Simptoma të tuberkulozit aktiv mund të jenë: kolla që zgjat më shumë se tre javë, dhimbjet e gjoksit, kollitja me gjak, lodhja, ethet, djersitja gjatë natës dhe humbja në peshë.

Tuberkulozi mjekohet me antibiotikë, por për t’i eliminuar plotësisht bakteret nevojitet një trajtim i gjatë me barna. Është e rëndësishme që t’i merrni të gjitha barnat e përshkruara nga mjeku juaj që të mund të bëhet parandalimi i zhvillimit të llojeve të TB-së që janë rezistente ndaj barnave. Vaksinat, si vaksina Bacille Calmette-Guérin (BCG), aplikohen për të ndihmuar në parandalimin e TB-së, por efikasiteti i tyre mund të ndryshojë.

Edhe këtë vit, si edhe vitet e kaluara, qëllimi dhe misioni i OBSH-së dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare shëndetësore është t'i jepet fund TB-së, me strategjinë për t'i dhënë fund TB-së pas vitit 2015. Me këtë strategji, e cila u miratua në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë në vitin 2014, Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, të cilat do të reduktonin incidencën e tuberkulozit me 80%, do të reduktonin edhe vdekshmërinë me 90% dhe do të reduktonin shpenzimet që bëjnë sistemet shëndetësore për tuberkulozin. Që kjo strategji të jetë efektive dhe e suksesshme, nevojitet mbështetja e të gjitha vendeve nënshkruese të kësaj strategjie, si dhe përshtatja dhe zbatimi i ndryshimeve të nevojshme.

Gjendja me tuberkulozin në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2023 shënon një numër të përgjithshëm të rasteve aktive, me prevalencë prej gjithsej 290 rastesh, gjegjësisht 15,8 në 100.000 banorë, dhe incidencë prej 160 rastesh të reja të regjistruara, pra 8,7 raste të reja të regjistruara në 100.000 banorë. Numri më i madh i këtyre rasteve kanë qenë me tuberkuloz të organeve të frymëmarrjes (126 raste). Krahasuar me vitet e kaluara nuk vihen re dallime të mëdha në incidencë dhe prevalencë, pra gjendja vazhdon me intensitet të njëjtë. Në Maqedoninë e Veriut zbatohen të gjitha masat dhe rekomandimet e nevojshme lidhur me tuberkulozin, të cilat janë propozuar nga OBSH-ja.

Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve