- 03.06.2024
Dita botërore e bicikletës – 3 qershori
HYRJE
Në prill të vitit 2018 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 3 qershorin si Ditën Botërore të Biçikletës.[1] Rezoluta për Ditën Botërore të Biçikletës njeh "unikalitetin, jetëgjatësinë dhe shumëllojshmërinë e biçikletës, e cila po përdoret tashmë plot dy shekuj dhe është një mjet transporti i thjeshtë, i përballueshëm, i sigurt, i pastër dhe i ekologjik. Profesor Leszek Sibylski (një shkencëtar social polak që punon në Shtetet e Bashkuara) realizoi një fushatë në orën e tij të sociologjisë për të promovuar Rezolutën e OKB-së për Ditën Botërore të Biçikletës, me çrast fitoi mbështetjen e Turkmenistanit dhe 56 vendeve të tjera. Logoja origjinale e OKB-së Blue and White #June3WorldBicycleDay u dizajnua nga Isaac Feld dhe animacioni shoqërues u realizua nga profesori John E. Swanson. Në të janë paraqitur çiklistë të llojeve të ndryshme që qarkullojnë në mbarë botën. Në fund të logos qëndron hashtagu #June3WorldBicycleDay. Mesazhi kryesor ka për qëllim të tregojë se biçikleta i përket dhe i shërben mbarë njerëzimit.[2]
Pse e shënojmë Ditën e Biçikletës?
Aktiviteti i rregullt fizik me intensitet të moderuar –si ecja, çiklizmi ose sporti – ka përfitime të rëndësishme shëndetësore. Në të gjitha moshat, përfitimet e aktivitetit fizik tejkalojnë dëmin e mundshëm, për shembull nga aksidentet. Çfarë do aktiviteti fizik është më i mirë se pasiviteti. Duke u bërë më aktivë gjatë ditës në mënyra relativisht të thjeshta, njerëzit mund të arrijnë shumë lehtë nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik.[3]
Që nga themelimi i saj në vitin 2018, Dita Botërore e Biçikletës festohet çdo vit më 3 qershor nga përfaqësues në shumë vende. Miratuar përmes një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të udhëhequr nga Qeveria e Turkmenistanit, Dita Botërore e Biçikletës njeh "unikalitetin, jetëgjatësinë dhe shumëllojshmërinë e biçikletës... një mjet transporti i thjeshtë, i përballueshëm, i sigurt, i pastër dhe i ekologjik, duke e inkurajuar kështu kujdesin për mjedisin jetësor dhe shëndetin. Mbështetësit e inkurajojnë përdorimin e biçikletës si mjet për zhdukjen e varfërisë; promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm; përforcimin e edukimit, përfshirë këtu edukimin fizik, për fëmijët dhe të rinjtë; promovimin e shëndetit; parandalimin e sëmundjeve; për lehtësimin e përfshirjes sociale dhe për një kulturë paqeje.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), infrastruktura e sigurt për ecje dhe çiklizëm është gjithashtu një rrugë për arritjen e një barazie më të madhe shëndetësore. Për sektorin më të varfër urban, i cili shpesh nuk mund të përballojë automjete private, ecja dhe çiklizmi mund të ofrojnë një formë transporti duke reduktuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru, kancereve të caktuara, diabetit dhe madje edhe vdekjes. Prandaj, përmirësimi i transportit aktiv nuk është vetëm i shëndetshëm; është gjithashtu e drejtë dhe e leverdisshme. Plotësimi i nevojave të njerëzve që ecin dhe që përdorin biçikletë vazhdon të jetë një pjesë kyçe e zgjidhjes së lëvizshmërisë për të ndihmuar qytetet të shkëputin rritjen e popullsisë nga emetimet në rritje të gazrave dhe ta përmirësojnë cilësinë e ajrit dhe sigurinë rrugore. Pandemia e COVID-19 ka bërë gjithashtu që shumë qytete t’i rishqyrtojnë sistemet e tyre të transportit.[4]
Çiklizmi dhe zhvillimi i qendrueshëm
Dita Botërore e Biçikletës kthen vëmendjen kah përfitimet e përdorimit të një biçiklete - një mjet transporti i thjeshtë, i përballueshëm, i sigurt dhe ekologjik. Çiklizmi kontribuon për ajër më të pastër dhe më pak mbingarkesë, dhe e bën arsimin, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet e tjera sociale më të aksesueshme për popullatat më të cenueshme. Një sistem i qëndrueshëm transporti që promovon rritjen ekonomike, redukton pabarazitë dhe në të njëjtën kohë forcon luftën kundër ndryshimeve klimatike është thelbësor për arritjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Traditat
Vetë biçikleta është një traditë. Të gjithë kemi kujtime të bukura nga vozitja nëpër lagjen tonë si fëmijë me biçikletat tona të preferuara me zilet dhe shportat e tyre. Përdorimi i biçikletës ishte një rit kalimi, ndërsa rëndësia e saj me kalimin e kohës rritet gjithnjë e më shumë. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për një biçikletë të thjeshtë, biçikletë malore ose për stërvitje, Dita Botërore e Biçikletës feston çiklizmin.
Shumë njerëz sot udhëtojnë për në punë me biçikletat e tyre.[5]
Rëndësia
Dita Botërore e Biçikletës është një ditë e veçantë që duhet ta festojnë të gjithë njerëzit pavarësisht prejardhjes së tyre. Biçikleta si simbol i përparimit njerëzor promovon tolerancën, mirëkuptimin dhe respektin reciprok dhe lehtëson përfshirjen sociale dhe kulturën e paqes. Dita Botërore e Biçikletës tani lidhet me promovimin e një stili jetese të shëndetshëm për ata me diabet tip 1 dhe tip 2.[6] Kohët e fundit, pandemia COVID-19 i ndryshoi nevojat e transportit dhe sjelljen, duke bërë që shumë qytete t’i rishqyrtojnë sistemet e tyre të transportit. Si pjesë e përpjekjes për të “ndërtuar më mirë”, çiklizmi pozicionohet si një alternativë transporti e shëndetshme, e gjelbër dhe ekonomike. Rezoluta e re e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e miratuar në vitin 2022 mbi "Integrimin e çiklizmit në sistemet e transportit publik për zhvillim të qëndrueshëm" i përforcon këto parime. Nëpërmjet kësaj rezolute, qeveritë angazhohen të promovojnë çiklizmin midis të gjithë anëtarëve të shoqërisë, duke përfshirë njerëzit e të gjitha moshave, urbane dhe rurale, dhe të zhvillojnë një kulturë të çiklizmit në shoqëri. OBSH e promovon çiklizmin në mënyrë aktive për përfitimet e shumta shëndetësore dhe ekologjike, duke përfshirë rritjen e aktivitetit fizik, reduktimin e sëmundjeve jo infektive si kanceri dhe diabeti, dhe reduktimin e ndotjes së ajrit dhe zhurmës. Ashtu si qeveritë në mbarë botën, ajo gjithashtu njeh çiklizmin si një mundësi për të arritur shumë qëllime të zhvillimit të qëndrueshëm, duke përfshirë ato për arsimin, energjinë, punësimin, qytetet dhe pabarazitë. Premisa themelore është se për ta maksimizuar potencialin e çiklizmit, rrugët duhet të jenë të sigurta. Në përputhje me Ditën Botërore të Biçikletës, OBSH ka publikuar një sërë burimesh dhe materialesh për të promovuar çiklizmin, për të përmirësuar sigurinë rrugore dhe për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve dhe vendeve ku ata jetojnë, punojnë dhe luajnë. Biçikleta ju mundëson të kaloni më shumë kohë me familjen tuaj. Përgjegjësitë e punës dhe të shkollës lënë gjithnjë e më pak hapësirë dhe më pak kohë të lirë për rekreacion dhe për të kaluar kohë me familjen. Falë zhvillimit ekonomik, orët e punës janë zvogëluar, por koha mesatare për të shkuar në punë është rritur. Problemi i prindërve është se ata nuk kanë mundësi të kalojnë mjaft kohë me të dashurit e tyre dhe kjo çon në një prishje të marrëdhënieve familjare. Çiklizmi ofron një zgjidhje të shkëlqyer për këtë problem. Çiklizmi me fëmijët ose partnerin do të përforcojë marrëdhënien tuaj, do t'ju lejojë të kaloni kohë me të dashurit tuaj dhe pjesa më e mirë është se nuk do t'ju kushtojë asgjë.
Përfitimet shëndetësore për të gjithë familjen
Përdorimi i biçikletës është i shëndetshëm për ju dhe të dashurit tuaj. Përfitimet shëndetësore nga përdorimi i biçikletës janë të shumta. Mund t'ju ndihmojë të digjni 600 kalori në orë dhe metabolizmi juaj do të jetë aktiv për orë të tëra më pas. Është interesante që kur lje duke lëvizur me biçikletë, nuk e vëren fare se je duke ushtruar. Kjo i ndihmon fëmijët tuaj të jenë më të vetëdijshëm për përfitimet e fitnesit dhe një stili jetese të shëndetshëm dhe u mundëson atyre që të mos shtojnë në peshë. Ekspertët pajtohen se fëmijët kanë nevojë për një orë aktivitet fizik për çdo ditë për të zhvilluar kocka dhe muskuj të fortë dhe të shëndetshëm.
Përdorimi i biçikletës zvogëlon stresin
Pavarësisht se sa shumë përpiqeni të jeni të lumtur në jetë, stresi mund të jetë një problem i madh dhe e njëjta gjë vlen edhe për fëmijët tuaj. Në fakt, stresi në rininë e hershme mund të ketë pasoja gjatë gjithë jetës, por biçikleta mund të jetë një zgjidhje e shkëlqyer për këtë problem. Nëse jeni përdorues aktiv i biçikletës, atëherë me siguri e dini se sa ul stresin dhe sa çlodhëse mund të jetë shëtitja me biçikletë. E bërë me familjen, është një win-win për të gjithë.
Përdorimi i biçikletës është mirë për zemrën
Zemra juaj ka një funksion jashtëzakonisht të rëndësishëm, dhe përdorimi i biçikletës e bën atë më të fortë. Kjo mund ta zgjasë jetën tuaj nëse e bëni këtë rregullisht. Edhe nëse e bëni këtë disa herë në javë, mund të ulë tensionin e gjakut dhe t'ju bëjë të ndiheni energjikë dhe optimistë.
Biçikleta do i nxisë fëmijët tuaj që të dalin jashtë
Sot, fëmijët përpiqen të kalojnë pjesën më të madhe të kohës pa aktivitete fizike, të mbyllur në shtëpi duke luajtur lojëra kompjuterike dhe duke parë TV. Një artikull i kohëve të fundit zbuloi se disa adoleshentë janë më pak aktivë se gjyshërit e tyre. Si një alternativë ndaj mënyrës sedentare të tyre në shtëpi, në aktivitetet tuaja të përbashkëta mund ta futni përdorimin e biçikletës si një aktivitet të shëndetshëm dhe argëtues që do t'u japë atyre shumë liri dhe hapësirë të pakufizuar për të luajtur dhe argëtuar. Pra, jini shembull dhe lëvizni së bashku me fëmijët tuaj. Sa më shumë t'ju shohin ju si shembull, aq më shumë do të duan edhe ata ta përdorin biçikletën.
Përdorimi i biçikletës ju ndihmon ta njihni mjedisin
Ju mund ta shfrytëzoni rastin për ta bërë biçikletën diçka edukative për fëmijët tuaj. Përveç argëtimit, ata do të mësojnë se si të lëvizin nëpër qytet dhe ta zvogëlojnë mundësinë për të humbur.
Përdorimi i biçikletës i ndihmon fëmijët që të përqendrohen në mësim
Një studim i fundit nga Norvegjia zbulon se studentët që janë fizikisht aktivë në natyrë kanë përqendrim më të mirë në shkollë. Përdorimi i biçikletës mund t'i japë fëmijës tuaj një avantazh në shkollë. Edhe pse ky test nuk mund t’i parashikojë plotësisht rezultatet, tregon se përdorimi i biçikletës i ndihmon si fëmijët ashtu edhe të rriturit të përmirësojnë aftësitë e tyre mendore.
Përdorimi i biçikletës është mirë për planetin
Për shkak të rritjes së emetimeve të CO2, mjedisi jetësor po ndotet çdo ditë e më shumë. Fëmijët duan një planet të shëndetshëm. Ata e dinë se nëse kjo gjendje vazhdon, ajri i pastër do të jetë një luks në të ardhmen. Edhe pse përdorimi i biçikletës nuk mund ta parandalojë plotësisht këtë fatkeqësi, sigurisht që mund të ndihmojë shumë. Nëse zëvendësoni vetëm 30% të udhëtimeve tuaja me makinë, më të shkurtra se 6 km, me biçikletë, mund të reduktoni emetimet e CO2 nga komunikacioni me 4%. Nëse përdorni biçikletën bashkë me fëmijët tuaj u tregoni atyre se kujdeseni për mjedisin jetësor. Ata do ta ndjekin shembullin tuaj.[7]
[5] https://nationaltoday.com/world-bicycle-day/#:~:text=It%20all%20started%20when%20U.S.,bicycle%20all%20over%20the%20world.
[7] https://skopjeinfo.mk/svetski-den-za-vozenje-velosipedi-nekolku-prichini-da-trgnete-so-tochak
Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve