• 05.09.2024

INFORMACION PËR SHFAQJEN E RASTIT TË DYTË ME FRUTH NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT


 

INFORMACION PËR SHFAQJEN E RASTIT TË DYTË ME  

FRUTH NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT

 

 

Hyrje

Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse të cilën e shkakton një virus. Sëmundja përhapet lehtë kur personi i infektuar merr frymë, kollitet ose teshtin. Mund të shkaktojë sëmundje të rëndë, komplikime, madje edhe vdekje.

Fruthi i prek të gjithë, por zakonisht shfaqet tek fëmijët.

Fruthi fillimisht infekton rrugët e frymëmarrjes, e pastaj përhapet nëpër të gjithë trupin.

Simptomat e fruthit zakonisht fillojnë 10-14 ditë nga ekspozimi ndaj virusit. Skuqja është simptoma më karakteristike. Simptomat e hershme zakonisht zgjasin nga 4-7 ditë. Në to bëjnë pjesë:

• rrjedhja e hundës

• kolla

• skuqja dhe përlotja e syve (konjuktivit)

• njollat e vogla të bardha në brendësi të faqeve (njollat ​​e Koplikut).

Skuqja fillon rreth 7-18 ditë pas ekspozimit, zakonisht në fytyrë dhe në pjesën e sipërme të qafës. Përhapet për rreth 3 ditë, më në fund në krahë dhe këmbë. Zakonisht zgjat 5-6 ditë para se të qetësohet.

Shumica e vdekjeve nga fruthi janë si pasojë e komplikimeve që ndodhin si pasojë e sëmundjes.

Si komplikime të sëmundjes mund të vijë deri te:

·         Dëmtimi i të pamurit

·         Encefaliti (infeksion që shkakton ënjtje të trurit dhe dëmtim të mundshëm të trurit)

·         Diarrea e rëndë dhe dehidrimi

·         Infeksioni i veshit

·         Probleme me frymëmarrjen dhe pneumoni.

Nëse një grua sëmuret gjatë shtatzënisë, kjo mund të paraqesë rrezik për nënën dhe si pasojë lindje të parakohme të një foshnje me peshë të vogël të lindjes.

Komplikimet janë më të shpeshta tek fëmijët nën 5 vjet dhe tek të rriturit mbi 30 vjet. Vetë sëmundja e dobëson sistemin imunitar dhe mund të bëjë që trupi të "harrojë" se si të mbrohet nga infeksionet, duke i lënë fëmijët jashtëzakonisht të pambrojtur.

Vaksinimi është mënyra më e mirë për ta parandaluar sëmundjen ose përhapjen e saj te njerëzit e tjerë. Vaksina është e sigurt dhe e ndihmon trupin ta luftojë virusin.

Para prezantimit të vaksinës kundër fruthit në vitin 1963 dhe vaksinimit të përhapur, epidemi të mëdha ndodhnin pothuajse në çdo dy deri në tre vjet dhe shkaktonin rreth 2,6 milionë vdekje çdo vit në mbarë botën.

Aktivitetet e përshpejtuara të imunizimit nga vendet e botës, OBSH-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë kanë parandaluar me sukses rreth 57 milionë vdekje në periudhën nga viti 2000-2022. Vaksinimi e uli numrin e vdekjeve nga 761.000 në vitin 2000 në 136.000 në vitin 2022.

Gjendja në vitin 2024 në RMV

Në RMV, gjatë vitit 2024 janë raportuar gjithsej 2 raste laboratorike të konfirmuara të fruthit.

Rasti i parë është regjistruar në qershor të vitit 2024, tek një banor i fshatit Llabunishtë, Strugë, në territorin e QSHP Ohër.

Rasti i dytë është i importuar, në shtator 2024, nga një banor i fshatit Konjare i Poshtëm, Petrovec, në territorin e QSHP Shkup.

Sa për krahasim, në vitin 2023 është raportuar një rast i fruthit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në dhjetëvjeçarin 2014-2023 janë regjistruar gjithsej 2.020 pacientë me këtë sëmundje. Epidemi janë regjistruar në vitin 2014, 2017, 2018 dhe 2019. Epidemia e fundit e regjistruar e kësaj sëmundjeje në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka filluar në vitin 2018 dhe është raportuar në vitin 2019 me gjithsej 1.901 persona të regjistruar, në 24 qytete të vendit.

 

Informacion për rastin e dytë me fruth

Njësia e virologjisë njoftoi Departamentin e Epidemiologjisë së Sëmundjeve Ngjitëse për një rast të fruthit nga një Raportimi për shkaktar të izoluar/konfirmuar të dorëzuar më 3 shtator të vitit 2024.

Departamenti i Epidemiologjisë së Sëmundjeve Ngjitëse menjëherë e ka njoftuar epidemiologun kompetent në QSHP Shkup.

Rasti i regjistruar është një person 12 vjeçar nga fshati Konjare i Poshtëm, Petrovec.

 

Të dhëna klinike:

Simptomat fillestare tek pacienti kanë filluar të shfaqen më 30.08.2024 me një skuqje të vogël të kuqe fillimisht në fytyrë, më pas në gjoks dhe shpinë, temperaturë të ngritur, rrjedhje nga hunda, konjuktivit, kollë dhe të vjella.

Me datë 02.09.2024 fëmija është ekzaminuar nga mjeku amë dhe për shkak të dyshimeve për fruth është dërguar në KU të sëmundjeve infektive dhe gjendjeve febrile në Shkup, nga ku është referuar për analiza të mëtutjeshme në Njësinë e virologjisë pranë ISHP-së ku për analiza i është marrë urinë, strisho nga hunda dhe fyti si dhe në Njësinë e rëntgenit në kuadër të TOARILUC për një inçizim të mushkërive.

Sëmundja është konfirmuar me analiza serologjike dhe molekulare (PCR).

Pacienti po trajtohet në shtëpi pasi ka refuzuar shtrimin në spital.

 

Të dhëna epidemiologjike:

Fëmija është i pavaksinuar me vaksinën MRP. Ai jeton në një familje me 7 anëtarë, dy prindër dhe 5 fëmijë. Për sa i përket statusit të vaksinimit të familjes, 3 fëmijë janë vaksinuar me 2 doza të vaksinës MRP, dy fëmijë nuk janë vaksinuar, ndërsa prindërit janë vaksinuar në përputhje me moshën e tyre.

Familja ka qëndruar në Novi Pazar, Serbi nga data 10.08-24.08.2024. Kanë udhëtuar me automjetin e tyre. Gjatë qëndrimit të tyre në Novi Pazar me fruth është diagnostikuar një fëmijë gjashtë vjeçar.

Pas kthimit nga Novi Pazari, ai nuk ka pasur kontakte me anëtarët e tjerë të tre familjeve të tjera që jetojnë në një oborr të përbashkët të rrethuar dhe nuk ka qenë në shkollë.

Vlerësimi i rrezikut:

Vaksinimi kundër fruthit kryhet vazhdimisht dhe me 2 doza të vaksinës MRP. Doza e parë konsiderohet si primovaksinim dhe duhet të jepet në vitin e parë të jetës së fëmijës. Rivaksinimi bëhet në moshën 6 vjeçare.

Në RMV mbulimi me dozën e parë të vaksinës MRP në vitin 2023 në rrafsh kombëtar ka qenë 73,4%, ndërsa në Shkup është 83,7%. Mbulimi me rivaksinim në nivel kombëtar në vitin 2023 ka qenë 87,7%, ndërsa në Shkup 85,9%.

Vaksinimi primar me vaksinën MRP në vitin 2023 ka shënuar rënie krahasuar me mbulimin mesatar të regjistruar në 5 vitet e fundit (74,4% në nivel kombëtar), ndërsa rivaksinimi në vitin 2023 ka shënuar rritje krahasuar me mesataren (85,1% në nivel kombëtar).

Duke marrë parasysh mbulimin jo optimal me vaksinim (<95%), faktin që muajt e ardhshëm përfaqësojnë kulmin sezonal të virusit dhe mundësinë e importimit, raportimi i rasteve të reja nuk është një ngjarje e papritur.

 

Маsat e ndërmarra:

1.      Për personin e sëmurë është përgatitur anketë epidemiologjike nga një epidemiolog nga QSHP Shkup.

2.      Është siguruar Raport mbi sëmundjen ngjitëse dhe Raport për shkaktarin e izoluar.

3.      Është realizuar kontakt i vazhdueshëm i shërbimeve epidemiologjike nga ISHP dhe QSHP.

4.      Është kontaktuar drejtori i shkollës, nga ku është marrë informacion se personi i sëmurë nuk e ka ndjekur mësimin që nga fillimi i vitit shkollor bashkë me vëllezërit/motrat e tjerë.

5.      Është kontaktuar drejtori i shkollës që ndjek fëmija e sëmurë, dhe është kërkuar që të gjithë prindërit të informohen për vaksinimin e fëmijëve që nuk kanë marrë vaksinën MRP ose kanë humbur një dozë të saj.

6.      Është kontaktuar mjeku amë i fëmijës së sëmurë dhe është kërkuar informacion shtesë. Theksohet gjithashtu nevoja për marrjen e të dhënave dhe kontaktimin e personave që janë ndodhur në të njëjtin mjedis - sallë pritjeje në spital bashkë me fëmijën e sëmurë.

7.      Nga pika e vaksinimit në Petrovec është kërkuar që të gjenden të gjithë nxënësit e pavaksinuar që e ndjekin mësimin në shkollën e mesme në fshain Konjare i mesëm (një shkollë për të tre fshatrat përreth) dhe të njëjtët të ftohen për vaksinim, si dhe të gjithë fëmijët parashkollorë që nuk e kanë pranuar dozën e parë të vaksinës MRP.

8.      Janë kontaktuar punonjësit e repartit të RTG-së pranë KU TOARILUC, ku është bërë inçizimi i fëmijës së sëmurë dhe janë udhëzuar që t’i kushtojnë vëmendje shfaqjes së mundshme të simptomave si dhe mundësisë së vaksinimit.

9.      Janë kontaktuar personat e ardhur për ekzaminim gjatë periudhës kohore kur është vizituar fëmija i sëmurë, si në KUSIGJF ashtu edhe në repartin e RTG-së si pjesë e KU TOARILUC, janë kontaktuar dhe të gjithë janë informuar për mundësinë e kontaktit me të sëmurin si dhe nevojën për t'i kushtuar vëmendje shfaqjes së mundshme të simptomave si dhe mundësinë e vaksinimit.

10.  Familjes i janë dhënë udhëzime për vaksinim dhe izolim.

 

 

Rekomandime:

·         Të përforcohet mbikëqyrja epidemiologjike ndaj fruthit. Çdo rast i dyshuar i fruthit sipas kritereve klinike të përkufizimit të rastit duhet të hetohet në mënyrë epidemiologjike dhe laboratorike.

·         Të rritet ndërgjegjësimi për praninë e fruthit në vend si te popullata ashtu edhe te punonjësit e shëndetësisë.

·         Të informohen mjekët amë/pediatrit/infektologët që t’i raportojnë të gjitha rastet e dyshimta pranë shërbimit epidemiologjik të QSHP-së kompetente, brenda 24 orëve dhe ta referojnë pacientin për ekzaminim nga mjeku specialist infektolog. Gjithashtu, më së voni brenda 24 orëve duhet të dorëzojnë raport për sëmundje/vdekje nga sëmundje infektive, në përputhje me rregulloren ligjore.

·         Nga të gjitha rastet e dyshuara duhet të merren mostra gjaku për analiza serologjike, si dhe materiale të tjera biologjike (strisho nazofaringeale, urine, pështymë) për diagnostikim molekular (PCR) dhe të njëjtat të dërgohen pranë Njësisë së virologjisë pran[
ISHPRMV.

·         Të kryhet kontrolli i intensifikuar, kontrollimi i statusit të vaksinimit të personave të prekshëm në territorin ku jeton rasti i konfirmuar, pastaj të gjenden personat e pavaksinuar dhe të pavaksinuar plotësisht dhe të bëhen thirrje për vaksinimin e tyre, në rajon dhe në të gjitha pikat e vaksinimit në vend.

·         Të arrihet dhe të ruhet një nivel i lartë i mbulimit me  MRP (>95% me dy doza). Është jetike që të sigurohet vaksinimi me dozat e para dhe të dyta në kohë, sipas kalendarit kombëtar për foshnjat dhe fëmijët. Është gjithashtu e rëndësishme që të identifikohen dhe vaksinohen individët e prekshëm përmes catch-up programeve.

·         Është i një rëndësie të veçantë përforcimi i aktiviteteve shëndetësore dhe edukative, që synojnë promovimin e vaksinimit me MRP, si masa parandaluese më efektive në parandalimin dhe zhdukjen e fruthit.

 

 

 

Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve ngjitëse pranë ISHP-së, në bashkëpunim me shërbimin epidemiologjik pranë QSHP Shkup, do vazhdojë ta ndjekë situatën dhe të raportojnë për rrjedhën e ngjarjeve dhe zhvillimin e situatës epidemiologjike.

 

 

 

 

Departamenti i epidemiologjisë të sëmundjeve ngjitëse

Instituti i Shëndetit Publik i RMV-së

05.09.2024