- 10.11.2025
Movember: Ka ardhur koha të flasim për shëndetin mendor të burrave
Çdo vit, në muajin nëntor shënohet Movember - një lëvizje globale që i inkurajon burrat të rrisin mustaqe si simbol dhe përkujtim për rëndësinë e shëndetit të burrave. Fillimisht e nisur si një iniciativë për të rritur ndërgjegjësimin për kancerin e prostatës dhe testikujve, Movember tani ka një mision më të gjerë: ta vendosë në fokus shëndetin mendor të burrave.
Pse është e nevojshme të flitet për shëndetin mendor të burrave?
Në shoqëri ende ka stereotipe të rrënjosura thellë rreth asaj që do të thotë të jesh një "burrë i vërtetë". Që nga fëmijëria shumë djemve u thuhet se duhet të jenë të fortë, të pavarur dhe të mos tregojnë emocione. Fjalë si "mos qaj", "mbahu fort", "ji burrë" lënë gjurmë të thella - ato i mësojnë një burri se trishtimi, frika dhe cenueshmëria janë diçka që duhet fshehur, e jo që duhet shprehur.
Si rezultat i kësaj shumë burra e shtypin dhimbjen e tyre dhe mundohen të përballojnë emocionet e vështira vetëm, pa mbështetje. Por heshtja dhe izolimi mund të kenë pasoja serioze. Hulumtimet tregojnë se burrat kanë shumë më pak gjasa të kërkojnë ndihmë psikologjike, ndërsa përqindja e vetëvrasjeve tek burrat është shumë herë më e lartë se tek gratë. Kjo nuk është për shkak të dobësisë, por për shkak të mungesës së mbështetjes, mirëkuptimit dhe inkurajimit për të folur.
Çfarë do të thotë të kujdesesh për shëndetin tënd mendor?
Shëndeti mendor nuk është vetëm mungesa e sëmundjes - është aftësia për t'u përballur me sfidat e përditshme, për të shprehur ndjenjat tona, për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme dhe për të ndjerë kuptim dhe kënaqësi në jetë.
Kujdesi për shëndetin tuaj mendor mund të duket i thjeshtë, por është jashtëzakonisht i rëndësishëm:
• Bisedoni me një mik ose koleg kur diçka ju shqetëson.
• Gjeni kohë për pushim, hobi ose aktivitet fizik.
• Flini mjaftueshëm dhe hani rregullisht.
• Mos kini turp të kërkoni ndihmë profesionale - terapia nuk është shenjë dobësie, por pjekurie dhe kujdesi për veten.
Ashtu siç shkojmë te mjeku kur kemi dhimbje në trup, duhet të kujdesemi edhe për dhimbjen në mendjen dhe shpirtin tonë.
Mbështetja fillon me një pyetje
Një nga gjërat më të fuqishme që mund të bëjmë është të kujdesemi për njëri-tjetrin. Ndonjëherë mjafton një pyetje e thjeshtë si: "Si je?" ose "A do që të bisedojmë?".
Të dëgjosh pa gjykim, me kujdes dhe mirëkuptim, mund të bëjë një ndryshim të madh. Edhe nëse nuk mund ta zgjidhësh dhimbjen e dikujt, prania dhe mbështetja jote mund të jenë hapi i parë drejt shërimit.
Movember – një simbol i fuqisë mashkullore që flet
Rritja e mustaqeve në nëntor nuk është thjesht një modë – është një simbol solidariteti dhe inkurajimi. Çdo mustaqe përfaqëson një bisedë që duhet filluar, çdo histori që duhet ndarë dhe çdo burrë që duhet ta dijë se nuk është vetëm.
Ta shfrytëzojmë këtë muaj si një përkujtim se forca e vërtetë nuk qëndron tek heshtja, por tek biseda e hapur,kërkimi i ndihmës dhe të jetuarit vërtetë dhe me guxim.
Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve
