- 10.09.2024
10 Shtatori - Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve, 2024
10 Shtatori - Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve, 2024
"Ndryshimi i narrativit për vetëvrasjet"
Fakte kryesore
· Mbi 720 000 njerëz në vit vdesin si pasojë e vetëvrasjeve.
· Vetëvrasjet janë shkaku i tretë me radhë i vdekjes tek personat në moshë nga 15 deri më 29 vjet.
· 73% e vetëvrasjeve në mbarë botën ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të ardhura mesatare.
· Shkaqet për vetëvrasje janë shumështresore, nën ndikimin e faktorëve socialë, kulturorë, biologjikë, psikologjikë dhe ekologjikë gjatë jetës.
· Tentativa paraprake për tu vetvrarë paraqet një faktor të rëndësishëm rreziku tek popullata e përgjithshme.
Vetëvrasja është një problem i madh shëndetësor publik, me më shumë se 720.000 vdekje në vit në rrafsh global. Çdo vetëvrasje ka pasoja të gjera sociale, emocionale dhe ekonomike për komunitetet në mbarë botën.
Në vitin 2021 vetëvrasja ishte shkaku i tretë më i shpeshtë i vdekjes tek të rinjtë e moshës 15 deri në 29 vjet, me pothuajse tre të katërtat (73%) e rasteve të regjistruara në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare.
Tema e Ditës Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjeve për periudhën 2024-2026: "Ndryshimi i narrativit për vetëvrasjet" bashkë me thirrjen për veprim "Filloje bisedën", ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e zvogëlimit të stigmës dhe inkurajimit të bisedave të hapura për parandalimin e vetëvrasjeve. Ndryshimi i narrativit për vetëvrasjet nënkupton transformimin e mënyrës se si ne e perceptojmë këtë çështje komplekse, si dhe kalimin nga një kulturë e heshtjes dhe stigmës në një kulturë të çiltërsisë, mirëkuptimit dhe mbështetjes.
Kjo thirrje për veprim i inkurajon të gjithë të fillojnë një bisedë për vetëvrasjet dhe parandalimin e tyre. Çdo bisedë, sado e vogël qoftë, kontribuon në krijimin e një komuniteti mbështetës që i ndihmon individët që përballen me këto probleme serioze. Duke inicuar biseda të rëndësishme si këto, ne mund t’i thyejmë barrierat dhe të rrisim ndërgjegjësimin, duke mundësuar kështu zhvillimin e një kulture të mbështetjes.
Kjo temë e thekson edhe rëndësinë e prioritizimit të parandalimit të vetëvrasjeve dhe kujdesit ndaj shëndetit mendor gjatë krijimit të politikave, duke i bërë qeverisë thirrje për veprim. Ndryshimi i narrativit kërkon avokim për politika që i japin përparësi shëndetit mendor, që e rrisin qasjen në shërbime dhe ofrojnë mbështetje për ata që kanë nevojë.
Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve (WSPD) shënohet që nga viti 2003 e themeluar nga Shoqata Ndërkombëtare për Parandalimin e Vetëvrasjeve në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Çdo vit, 10 shtatori ka për qëllim të kthejë vëmendjen drejt këtij problemi të rëndësishëm, duke e theksuar nevojën për reduktimin e stigmës dhe për të rritur ndërgjegjësimin e organizatave, qeverive dhe popullatës, duke përcjellë një mesazh të vetëm, se vetëvrasja mund të parandalohet.
Kush është i rrezikuar?
Në vendet me të ardhura të larta është vërtetuar lidhshmëria mes vetëvrasjes dhe çrregullimeve mendore, si depresioni dhe çrregullimet si pasojë e përdorimit të alkoolit. Por, një numër i madh i vetëvrasjeve ndodhin në mënyrë impulsive në momente krize, kur aftësia për t’i përballuar sfidat e jetës është e çrregulluar, si pasojë e problemeve financiare, konflikteve në marrëdhënie ose dhimbjet kronike. Krahas kësaj, përjetimi i dhunës, abuzimit ose humbjes, si dhe ndjenja e izolimit, është e lidhur ngushtë me sjelljen vetëvrasëse, veçanërisht në mesin e grupeve të cenueshme që përballen me diskriminim, si refugjatët, migrantët, komuniteti LGBTI dhe të burgosurit.
Parandalimi dhe kontrolli
Për t’i parandaluar vetëvrasjet dhe vetëlëndimet mund të ndërmerren disa masa në nivel të popullatës, grupeve të caktuara të popullatës dhe individuale. Iniciativa e OBSH-së për parandalimin e vetëvrasjeve “LIVE LIFE” i rekomandon këto intervenime efikase kryesore të bazuara në dëshmi:
- kufizimin e qasjes në mjete për vetëvrasje (p.sh. pesticide, armë zjarri, droga të caktuara);
- ndërveprimin me mediat për raportimin e përgjegjshëm për vetëvrasjet;
- nxitjen e aftësive jetësore socio-emocionale tek adoleshentët; dhe
- identifikimin, vlerësimin, menaxhimin dhe ndjekjen e hershme të secilit që i është prekur nga sjellja vetëvrasëse.
Këto masa duhet të zbatohen së bashku me analizën e situatës, me bashkëpunim multisektorial, duke e rritur ndërgjegjësimin, kapacitetet, financimin, mbikëqyrjen dhe monitorimin dhe vlerësimin.
Parandalimi i vetëvrasjeve kërkon koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet sektorëve të ndryshëm të shoqërisë, duke përfshirë këtu shëndetësinë, arsimin, punën, bujqësinë, ekonominë, drejtësinë, mbrojtjen, politikën dhe mediat. Duke pasur parasysh natyrën shumështresore të vetëvrasjeve, nevojiten përpjekje gjithëpërfshirëse dhe të integruara.
Sfida dhe pengesa
Stigma dhe tabuja
Stigma e lidhur me çrregullimet mendore dhe vetëvrasjet i parandalon shumë njerëz që mendojnë ose kanë tentuar të vetëvriten që të kërkojnë ndihmë, e në këtë mënyrë të mos e marrin mbështetjen e mjaftueshme. Parandalimi i vetëvrasjeve është një problem i shëndetit publik i trajtuar në mënyrë joadekuate për shkak të ndërgjegjësimit të ulët dhe tabuve në shoqëri. Vetëm një numër i vogël i shteteve parandalimin e vetëvrasjeve e kanë përfshirë si prioritet shëndetësor, ndërsa vetëm 38 vende kanë një strategji kombëtare për parandalim. Rritja e ndërgjegjësimit dhe thyerja e tabuve janë çelësi i përparimit. Pa këto ndryshime, parandalimi i vetëvrasjeve do vazhdojë të mbetet një sfidë.
Cilësia e të dhënave
Në rrafsh global qasja në të dhëna për vetëlëndimet dhe vetëvrasjet, si dhe cilësia e tyre, është e kufizuar. Vetëm rreth 80 shtete anëtare të OBSH-së kanë të dhëna cilësore që mund të përdoren drejtpërdrejt për ta vlerësuar shkallën e vetëvrasjeve. Nënraportimi dhe klasifikimi i gabuar janë probleme më të mëdha tek vetëvrasjes se sa tek shumica e shkaqeve të tjera të vdekjes, kryesisht për shkak të stigmës dhe paligjshmërisë së sjelljes vetëvrasëse në disa vende. Përmirësimi i ndjekjes dhe monitorimit të vetëvrasjeve dhe vetëlëndimeve është çelësi për krijimin e strategjive efektive për parandalim. Dallimet në modelet e vetëvrasjeve midis vendeve dhe ndryshimet në numrin e tyre nxjerrin në pah nevojën për ta përmirësuar cilësinë e të dhënave. Kjo përfshin evidentim jetik të vetëvrasjeve, regjistra spitalorë për vetëlëndime dhe anketime përfaqësuese në rrafsh kombëtar.
Reagimi i OBSH-së
Urgjenca për parandalimin e vetëvrasjeve u njoh dhe iu dha prioritet në rrafsh global. Ulja e shkallës së vetëvrasjeve është një indikator në Qëllimet për Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së (i vetmi indikator për shëndetin mendor), Programin e Përgjithshëm të Punës të OBSH-së dhe Planin Gjithëpërfshirës të Veprimit të OBSH-së për Shëndetin Mendor 2013–2030.
Raporti i parë global i OBSH-së për vetëvrasjet, Parandalimi i Vetëvrasjeve: Një Imperativ Global” i botuar në vitin 2014, kishte për qëllim të theksonte rëndësinë e parandalimit të vetëvrasjeve si një prioritet i lartë në agjendën globale të shëndetit publik. Ai kishte për qëllim edhe t’i inkurajonte dhe mbështeste vendet për të zhvilluar ose përforcuar strategji kombëtare gjithëpërfshirëse për parandalimin e vetëvrasjeve përmes një qasjeje multisektoriale.
Në vitin 2021 OBSH prezantoi "LIVE LIFE: një udhëzues për implementim për parandalimin e vetëvrasjeve nëpër vende". Për ta ndihmuar kryerjen e katër ndërhyrjeve kryesore të shënuara në “LIVE LIFE”, janë botuar një sërë burimesh, duke përfshirë këtu edhe broshurën e vitit 2024 mbi heqjen graduale të pesticideve shumë të rrezikshme për ta kufizuar qasjen në produktet për vetëvrasje dhe përditësimin nga viti 2023 të “Parandalimi i vetëvrasjeve: Një Burim për profesionistët mediatik (Preventing Suicide: a Resource for Media Professionals), i cili promovon raportimin e përgjegjshëm për vetëvrasjet. Pastaj, „Helping Adolescents Thrive toolkit“ është dizajnuar për t’i përmirësuar aftësitë socio-emocionale të të rinjve.
Vetëvrasjet dhe vetëlëndimet janë prioritete në „WHO Mental Health Gap Action Programme (mhGAP)“, i cili ofron udhëzime të bazuara në dëshmi për zgjerimin e shërbimeve për çrregullimet mendore, neurologjike dhe ato si pasojë e përdorimit të substancave. “Udhëzuesi për Ndërhyrje (mhGAP-IG)“ (mhGAP Intervention Guide) përfshin një modul të dedikuar për vetëvrasjet dhe vetëlëndimet, duke u fokusuar në identifikimin, menaxhimin dhe ndjekjen e hershme të rrezikut. Nëpërmjet iniciativës “LIVE LIFE”, qeveritë inkurajohen dhe mbështeten për të zbatuar një paketë gjithëpërfshirëse ndërhyrjesh të bazuara në dëshmi dhe elemente kyçe për parandalimin e vetëvrasjeve.
Burimi: OBSH
Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve