• 10.10.2024

Dita Botërore e Shëndetit Mendor, 10 tetori 2024


“Shëndeti mendor në punë”

Këtë vit shënimi i Ditës Botërore të Shëndetit Mendor i dedikohet temës “Shëndeti mendor në punë”. Kjo ditë paraqet një mundësi që të theksohet lidhja e rëndësishme mes shëndetit mendor dhe punës, si dhe roli i mjediseve të punës që janë të shëndetshme dhe të sigurta në mbrojtjen e shëndetit mendor të punonjësve. Mjediset e punës ku mbizotërojnë kushte jo të favorshme, stigma, diskriminimi dhe ekspozimi ndaj rreziqeve si ngacmimi, mund ta përkeqësojnë shumë shëndetin mendor të punonjësve, të ndikojnë në produktivitetin dhe cilësinë e jetës së tyre. Me qenë se 60% e popullatës në mbarë botën është e punësuar, është e domosdoshme që të ndërmerren veprime urgjente për të siguruar që puna do t’i parandalojë rreziqet për shëndetin mendor dhe do të sigurojë mbështetje për ruajtjen e tij.

Mjedisi i punës është një nga faktorët kryesorë që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor. Mjedisi i punës që është pozitiv jo vetëm që kontribuon në vetë-realizimin personal dhe kënaqësinë e punonjësve, por rrit edhe angazhimin dhe produktivitetin e tyre. Nga ana tjetër, kushtet jo të favorshme të punës mund të shkaktojnë ndryshime në shëndetin mendor, që mund të ketë si pasojë mungesa në punë, stres si dhe rritje të numrit të lëndimeve në vendin e punës.

Prandaj është qenësore që qeveritë, punëdhënësit, sindikatat dhe punonjësit, si dhe palët e tjera të interesuara përgjegjëse për shëndetin dhe sigurinë e punonjësve, të punojnë së bashku për ta përmirësuar shëndetin mendor në punë. Duke investuar në ndërhyrje të bazuara në prova dhe duke i mbështetur punonjësit, ne mund të krijojmë kushte ku secili të ketë mundësi të lulëzojë, si në vendin e punës ashtu edhe në jetë. Duke vepruar sot ne bëjmë një hap drejt një të ardhmeje më të shëndetshme për të gjithë.

Krahas kësaj, organizatat duhet të kontribuojnë në krijimin e një kulture të mbështetjes, komunikimi të hapur dhe kushte fleksibël pune, në mënyrë që të reduktohet stresi dhe të përmirësohet ekuilibri midis punës dhe jetës private. Qasja në shërbimet për shëndetin mendor, si mbështetja psikologjike dhe programet e menaxhimit të stresit, ndihmon në ruajtjen e elasticitetit mendor të punonjësve. Përpjekjet kolektive për të krijuar mjedise pune që mbështesin shëndetin mendor jo vetëm që rrisin kënaqësinë dhe produktivitetin e punonjësve, por gjithashtu kontribuojnë edhe për një sukses afatgjatë të organizatave.

Dita Botërore e Shëndetit Mendor le të shërbejë si një frymëzim për t'u angazhuar dhe investuar për mirëqenien mendore, sepse kujdesi për të duhet të jetë një pikënisje në të gjitha aspektet e jetës, përfshirë këtu edhe në vendin e punës. Duke punuar së bashku dhe të përkushtuar plotësisht në krijimin e mjediseve të punës që e mbështesin shëndetin mendor, ne mund të sigurojmë sukses dhe mirëqenie për të gjithë punonjësit.

Mesazhet themelore

1. Shëndeti mendor dhe puna janë të lidhur ngushtë.

Shëndeti mendor dhe kushtet e punës janë të ndërlidhura. Mjedisi i punës që është mbështetës mund të ndikojë pozitivisht në shëndetin mendor duke ofruar një ndjenjë përkatësie dhe stabiliteti. Ndërsa kushtet jo të favorshme në vendin e punës mund të ndikojnë negativisht në mirëqenien mendore, duke ulur produktivitetin dhe kënaqësinë në punë.

2. Punonjësit përballen me rreziqe për shëndetin mendor.

Punonjësit përballen me rreziqe të shumta në mjedisin e punës, si diskriminimi, kushtet e këqija të punës dhe pavarësia e kufizuar, të cilat mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre mendor. Punët me paga të ulëta dhe të pasigurta shpesh nuk ofrojnë mbrojtje adekuate, duke i bërë punonjësit veçanërisht të prekshëm ndaj rreziqeve psikosociale.

3. Ndikimi ndaj individëve.

Mungesa e mbështetjes për personat me probleme të shëndetit mendor mund të ketë pasoja të rëndësishme, si ulja e vetëvlerësimit, humbja e kënaqësisë në punë dhe rritja e numrit të mungesave nga puna, gjë që i prekjo vetëm këta njerëz, por edhe anëtarët e familjes së tyre.

4. Pasoja më të gjera për punën dhe shoqërinë

Dëmtimi i shëndetit mendor ka si pasojë reduktimin e performancës në punë, rritjen e mungesave dhe probleme për mbajtjen e punonjësve në punhë. Për shembull, depresioni dhe ankthi kanë si pasojë humbjen e rreth 12 miliardë ditëve të punës në vit.

5. Stigma krijon barriera për punësimin. 

Stigma dhe diskriminimi shpesh i pengojnë njerëzit me probleme të shëndetit mendor të kërkojnë ndihmë ose të gjejnë dhe mbajnë një punë. Zvogëlimi i diskriminimit në vendin e punës përmes ndërgjegjësimit, trajnimit dhe angazhimit të njerëzve që jetojnë me gjendje shëndetësore mendore mund të mundësojë mjedise pune më të shëndetshme dhe më gjithëpërfshirëse. Në këtë mënyrë do të krijohet një atmosferë pranimi, e cila jo vetëm do të ndihmojë personat me probleme të shëndetit mendor të ndihen më të pranuar, por edhe do të rrisë produktivitetin dhe kënaqësinë në punë.

6. Mbështetje për punonjësit që të marrin pjesë dhe të përparojnë në punë.

Punëdhënësit duhet të prezantojnë masa të arsyeshme për t’i mbështetur punonjësit me gjendje shëndetësore mendore në vendin e punës, si organizimi i takimeve të rregullta për mbështetje, pushime më të shpeshta, përfshirja në faza e atyre punonjësve në detyra dhe sigurimi i hapësirës për ruajtjen e barnave.

7. Trajnimi i menaxherëve për mbështetje të shëndetit mendor.

Punëdhënësit duhet të ofrojnë trajnime për menaxherët që të mund t'i njohin dhe menaxhojnë në mënyrë efektive faktorët stresues në vendin e punës. Menaxherët e trajnuar mund t’i mbështesin në mënyrë më efektive ekipet e tyre dhe të nxisin mjedise pune më të shëndetshme dhe më stimuluese.

8. Veprimi dhe bashkëpunimi i qeverisë është thelbësor.

Qeveritë, punëdhënësit dhe sindikatat duhet të punojnë së bashku për të zhvilluar politika që i parandalojnë rreziqet për shëndetin mendor, që e promovojnë mirëqenien dhe krijojnë vende pune në të cilat shëndeti mendor është prioritet.

9. Kujdesi për shëndetin mendor personal

Edhe pse përgjegjësia për mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit mendor në punë është kryesisht në duart e qeverive dhe punëdhënësve, secili prej nesh mund të marrë iniciativë për ta përmirësuar mirëqenien tonë. Mësoni teknikat e menaxhimit të stresit dhe ndiqni ndryshimet në shëndetin tuaj mendor. Nëse është e nevojshme, kërkoni mbështetje nga individë të besuar, si miqtë, anëtarët e familjes, kolegët ose punonjësit shëndetësorë.

 

Burimi: OBSH

Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve