• 29.10.2024

Tekst kushtuar Ditës Botërore të Luftës kundër Goditjes në Tru - 29 Tetor


Goditja në tru është një gjendje akute, kërcënuese për jetën, që ndodh si rezultat i furnizimit të çrregulluar me gjak të trurit.

Goditja në tru është një gjendje e ishemisë akute të sistemit nervor qendror, e cila ndodh për shkak të ndërprerjes ose reduktimit të qarkullimit intracerebral. Kjo ndodh si pasojë e trombozës, embolisë ose spazmës, ose gjakderdhjes nga një ene gjaku arteriale, e cila ka si pasojë reduktimin e qarkullimit në një zonë të caktuar të trurit, në varësi të zonës së vaskularizimit, dhe si rezultat dëmtim të indeve të trurit.

Ekzistojnë dy lloje të goditjes në tru- hemorragjike (gjakderdhje tru) dhe goditje ishemike (infarkt tru). Gjakderdhja cerebrale ndodh për shkak të plasjes (rupturës) së një ene gjaku cerebrale.Kjo ndodh gjatë një rritjeje të papritur dhe të tepruar të tensionit të gjakut.

Gjithashtu, tek disa pacientë gjakderdhja në tru ndodh për shkak të plasjes së një aneurizmi (zgjerimi) të një ene gjaku të trurit. Gjatë rupturës së enëve të gjakut, gjaku derdhet në indin e trurit duke shkaktuar dëmtime të papritura në një pjesë të funksioneve të trurit. Goditja ishemike ndodh për shkak të bllokimit (okluzionit) të një ene gjaku në tru, e që si pasojë ka të ashtuquajturin infarkt të trurit. Kur një enë gjaku bllokohet, kjo gjë shkakton ndërprerje të qarkullimit të gjakut në një pjesë të trurit, gjë që shkakton dëmtime të përhershme në atë pjesë të trurit - infarkt cerebral.

Mungesa e furnizimit me gjak ka si pasojë reduktimin e sasisë së oksigjenit ose lëndëve të tjera ushqyese në tru dhe kjo gjë shkakton vdekjen e qelizave të trurit. Disa njerëz mund të përjetojnë vetëm ishemi të përkohshme të qarkullimit cerebral, një gjendje e quajtur sulm ishemik kalimtar (TIA), e cila për fat të mirë nuk shkakton dëmtime të përhershme neurologjike.

Nëntëdhjetë përqind (90%) e goditjeve në tru ndodhin për shkak të mpiksjes së gjakut, dmth. goditjet ishemike, si pasojë e ekzistencës së një trombi në një pjesë të caktuar të trurit që shkakton vdekjen e indeve të trurit që nuk mund të mbijetojnë pa oksigjen.

 Shenjat dhe simptomat e një goditjeje në tru:

• Vështirësi në të folur dhe vështirësi në perceptimin e mjedisit, konfuzion ose afazi shqisore.

• Paralizë ose debulesë e fytyrës, krahëve ose këmbëve. Kjo ndodh shpesh vetëm në njërën anë të trupit, e mund të shkaktojë edhe asimetri të buzëve.

• Probleme me shikimin në njërin ose të dy sytë, dobësim i shikimit ose njolla të errëta në njërin ose të dy sytë, ose shikim të dyfishtë.

• Dhimbje koke – një dhimbje koke e papritur dhe e fortë që shpesh shoqërohet me të vjella, marramendje ose çrregullim të vetëdijes.

• Vështirësi në ecje – ataksi, humbje e koordinimit ose debulesë e papritur.

Gjatë një goditjeje në tru ju mund të përjetoni një ose më shumë nga simptomat e listuara më sipër. Edhe pse simptomat specifike mund të dallohen lehtësisht, shumë shpesh njerëzit e kuptojnë se kanë një problem serioz kur është tepër vonë.

Simptomat e një goditjeje në tru mund të zhvillohen për një kohë mjaft të gjatë, ndonjëherë edhe për ditë të tëra. Nëse keni një "mini-goditje", simptomat mund të jenë vetëm të përkohshme dhe zakonisht zhduken brenda një ore. Në këtë rast, njerëzit mund t’ia "përshkruajnë" shenjat treguese një sulmi stresit, migrenës ose një lloj problemi të sistemit nervor.

Çdo simptomë që mund të sinjalizojë një goditje në tru kërkon kujdes të menjëhershëm mjekësor. Nëse reagoni menjëherë, d.m.th. merrni trajtimin e duhur disa orë pas goditjes në tru (medikamente për shpërbërjen e trombit), do të mundësoni që gjaku me materie ushqyese dhe me oksigjen të arrijë përsëri sa më shpejt në tru. Një përgjigje e shpejtë rrit ndjeshëm shanset për një shërim të plotë, si dhe e zvogëlon shkallën e invaliditetit që shpesh mund të ndodhë si rezultat i goditjes. Me këtë, ju jo vetëm që shpëtoni një jetë, por gjithashtu rritni shanset për një cilësi më të mirë të jetës pas një goditjeje të mundshme.

Dalloji simptomat e goditjes në tru dhe reago “URGJENTISHT!

• Dobësi e gjymtyrëve ose paralizë e njërës anë të trupit

• Njolla të errëta në njërin ose të dy sytë, shikim i zvogëluar ose shikim i dyfishtë

• Dhimbje koke e papritur

• Vështirësi në të folur

Sipas të dhënave të Shoqatës Amerikane të Goditjes në Tru, çdo katër sekonda një person përjeton një goditje në tru dhe çdo 40 minuta një person vdes nga i njëjti shkak.

Faktorët e rrezikut që shkaktojnë një goditje në tru ndahen në 3 grupe:;

Disa sëmundje ose gjendje të caktuara (kolesteroli i lartë, tensioni i gjakut, sëmundje të caktuara të zemrës, diabeti, disa çrregullime të qelizave të kuqe të gjakut, etj.)

Stili i keq i jetesës (ushqimi jo i shëndetshëm, obeziteti, pirja e duhanit, pasiviteti fizik, përdorimi i tepruar i alkoolit)

Faktorë të tjerë të rrezikut (predispozicioni gjenetik, mosha mbi 55 vjeç, gjinia femërore, kombësia)

Nuk duhet të anashkalohet as migrena si shenjë për TIA ose goditjes në tru dhe lidhshmëria e saj me PFO ose aneurizmën intrakraniale – shkaku më i shpeshtë i goditjes hemorragjike tek të rinjtë. Goditja në tru mund t’i ndodhë secilit nga ne, por disa njerëz kanë një rrezik dukshëm më të lartë. Të kuptuarit se bëni pjesë në një grup të caktuar rreziku mund t'ju ndihmojë të jeni më të kujdesshëm.

Nëse e dini se jeni në një grup të caktuar rreziku, bëni kontrolle më të shpeshta preventive të parametrave të shëndetit të zemrës – pasqyrën e yndyrnavetensionin e gjakut etj.

Diagnoza caktohet në bazë të pasqyrës klinike, statusit neurologjik, metodave neuro-imazherike si tomografia e kompjuterizuar dhe rezonanca magnetike dhe sonografia Doppler e arterieve kryesore të trurit të karotideve dhe vertebrobazilareve. Terapia mund të jetë konservative ose kirurgjikale e plotësuar me terapi fizikale për ta përshpejtuar rehabilitimin.

Terapia konservative konsiston në përshkrimin e barnave që normalizojnë densitetin e gjakut, të gjitha barnat koagullimit si Aspirina dhe Clopidogrel dhe antikoagulantëve oralë dhe parenteralë si Warfarin, Rivaroxaban, Heparin etj. Nëse bëhet fjalë për goditje hemorragjike, atëherë nevojitet trajtim kirurgjik.

Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) janë shkaku kryesor i vdekjeve në nivel global, që marrin rreth 17,9 milionë jetë çdo vit. SKV janë një grup çrregullimesh të zemrës dhe enëve të gjakut që përfshijnë sëmundjet koronare të zemrës, sëmundjet cerebrovaskulare, sëmundjet reumatike të zemrës dhe gjendje të tjera. Në kuadër të sëmundjeve joinfektive, sëmundjet kardiovaskulare së bashku me sëmundjet malinje përbëjnë tre të katërtat e numrit të përgjithshëm të vdekjeve në Evropë. Në vendin tonë, studimet tregojnë se thuajse çdo i dyti rast i vdekjes është si pasojë e sëmundjeve të zemrës, përfshirë këtu edhe goditjen në tru.

Sipas një studimi të vitit 2014 të Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, 80% e sëmundjeve kardiovaskulare, përfshirë këtu sulmet në zemër dhe goditjet në tru, mund të parandalohen!

 

Faktorët më të rëndësishëm të rrezikut të sjelljes për sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru janë ushqimi jo i shëndetshëm, pasiviteti fizik, përdorimi i duhanit dhe përdorimi i dëmshëm i alkoolit. Efektet e faktorëve të rrezikut të sjelljes mund të shfaqen te individët në formë të tensionit të lartë gjakut, nivelit të lartë sheqerit në gjak, nivele të larta të yndyrnave në gjaku, mbipeshës dhe obezitetit. Këta "faktorë rrezikut mesatar" mund të maten në institucionet e mbrojtjes shëndetësore primare dhe sinjalizojnë një rrezik të rritur nga sulmi në zemër, goditja në tru, dobësimi i zemrës dhe komplikime të tjera.

Ndërprerja e përdorimit të duhanit, reduktimi i sasisë së kripës në ushqim, konsumimi i më shumë frutave dhe perimeve, aktiviteti i rregullt fizik dhe shmangia e përdorimit të dëmshëm të alkoolit e zvogëlojnë rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare. Politikat shëndetësore që mundësojnë një qasje më të madhe në kontrolle shëndetësore preventive dhe edukim, janë qenësore për t’i motivuar njerëzit që të adoptojnë dhe ndjekin sjellje të shëndetshme.

Identifikimi i personave në rrezik më të madh nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ofrimi i trajtimit të duhur mund të parandalojë vdekjet e parakohshme. Qasja në barna për sëmundjet joinfektive dhe teknologjitë themelore shëndetësore në të gjitha institucionet shëndetësore primare është e një rëndësie qenësore për të siguruar që ata që kanë nevojë të marrin trajtim dhe këshillim.

 Theks i veçantë duhet vënë te terapia fizikale, e cila ka një rol të rëndësishëm në procesin e rehabilitimit dhe uljen e shkallës së invaliditetit.

Parandalimi është shumë i rëndësishëm për trajtimin e suksesshëm të pasojave të një goditjeje në tru. Njohja në kohë e disa simptomave dhe shenjave (TIA - Sulmi Ishemik Kalimtar, që është lajmëtar i një goditjeje ose mini-infarkti), trajtimi i duhur i sëmundjeve kronike, marrja e rregullt dhe në kohë e terapisë së dhënë nga mjeku, ndryshimi i stilit të jetesës, abstenimi nga alkooli, cigaret dhe drogat kanë një rol të rëndësishëm në parandalimin e përsëritjes së goditjes në tru.

 Goditja në tru është një nga pesë shkaqet kryesore të vdekjes dhe invaliditetit në mbarë botën. Njohja dhe trajtimi në kohë ka një rëndësi të madhe në morbiditetin dhe mortalitetin nga goditja në tru. 

 

Literatura

https://www.who.int/health-topics/cardiovascular-diseases#tab=tab_1,

https://mk.wikipedia.org/wiki/%D0%9C%D0%BE%D0%B7%D0%BE%D1%87%D0%B5%D0%BD_%D1%83%D0%B4%D0%B0%D1%80

https://drmitov.mk/mozocen-udar/

https://www.mozocenudar.mk/prevencija.html

 

Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve