• 03.02.2025

DITA BOTËRORE E LUFTËS KUNDËR KANCERIT: DITA KRYESORE NDËRKOMBËTARE E NDËRGJEGJËSIMIT


 

DITA BOTËRORE E LUFTËS KUNDËR KANCERIT ËSHTË NJË DITË NDËRKOMBËTARE QË SHËNOHET ÇDO 4 SHKURT PËR TA RRITUR NDËRGJEGJËSIMIN PËR KANCERIN, PËR TA PROMOVUAR PARANDALIMIN E TIJ DHE PËR TË MOBILIZUAR VEPRIME PËR TU PËRBALLË ME EPIDEMINË GLOBALE TË KANCERIT.

Shënimi i kësaj dite udhëhiqet nga Unioni për Kontrollin Ndërkombëtar të Kancerit (UICC) që është themeluar në vitin 2000.

Duke i rregulluar veprimet personale, kolektive dhe qeveritare, ne të gjithë punojmë për ta imagjinuar një botë në të cilën parandalohen miliona vdekje nga kanceri dhe qasja në trajtim dhe kujdes për kancerin që mund të na e shpëtojë jetën është e barabartë për të gjithë, pa dallim se kush jemi dhe ku jetojmë.

Çdo vit në mbarë botën zhvillohen me qindra aktivitete dhe evente që bashkojnë komunitete, organizata dhe individë në shkolla, biznese, spitale, tregje, parqe, sallat e komunave, faltore - në rrugë dhe në online - duke vepruar si një alarm i fuqishëm për rolin që e kemi që të gjithë në reduktimin e ndikimit global të kancerit.

UICC realizon fushata për Ditën Botërore të Luftës Kundër Kancerit në cikle trevjeçare që të mundësojë hulumtime më të thella për një temë të caktuar dhe për të arritur ndikim më të madh.

Tema e fushatës së Ditës Botërore të Luftës Kundër Kancerit 2025-2027, "Të bashkuar nga unikja", i vendos njerëzit në qendër të kujdesit dhe hulumton mënyra të reja për të bërë ndryshim.

Kanceri është më shumë se një diagnozë mjekësore - është një çështje thellësisht personale. Pas çdo diagnoze fshihet një histori unike njerëzore - histori pikëllimi, dhimbjeje, shërimi, qëndrueshmërie, dashurie dhe shumë më shumë.

Prandaj, një qasje e përqendruar tek kujdesi ndaj personave me kancer që i integron plotësisht nevojat unike të çdo individi, me dhembshuri dhe ndjeshmëri, mundëson rezultate më të mira shëndetësore.

Çdo përvojë me kancerin është unike dhe ne të gjithë, të bashkuar, do të duhet të krijojmë një botë ku do të shikojmë përtej sëmundjes dhe do ta shohim fillimisht personin para pacientit. Një botë në të cilën nevojat e njerëzve dhe komuniteteve janë në qendër të sistemeve shëndetësore.

PSE KANCERI?

 

Kanceri është një nga problemet kryesore shëndetësore të popullatës në mbarë botën dhe është shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në nivel global.

 

Disa fakte

 

Mortaliteti vjetor

 10 milionë persona vdesin çdo vit si pasojë e kacerit. Ky numër është sa numri i rasteve të vdekjes që i shkaktojnë HIV/SIDA, malaria dhe tuberkulozi së bashku.

 

Vdekje që mund të parandalohen

 Mbi 40% e rasteve të vdekjes së pasojë e kancerit lidhen me faktorë të rrezikut të cilët mund të ndryshohen, siç është pirja e duhanit, ushqimi jo i shëndetshëm dhe pasiviteti fizik.

 

Zbulimi i hershëm

 

Rreth 1/3 e të gjitha rasteve të vdekjes mund të parandalohen pikërisht me ndihmën e skriningut rutinor, zbulimit dhe trajtimit në kohë.

 

Ndikimi gjeografik

 70% e rasteve të vdekjes nga kanceri ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare.

 

Shpenzime ekonomike

1,6 trilionë dollarë vlerësohet se janë shpenzimt e përgjithshme ekonomike vjetore për kancerin.

 

• Gjysma e popullsisë së botës nuk ka qasje në shërbime shëndetësore bazë. Pavarësisht përparimit të arrirë ky disparitet i njohur si “hendeku i barazisë”, merr jetë dhe ndikohet nga faktorë të tillë si të ardhurat, arsimi, ndikimi gjeografik dhe diskriminimi, të cilët njihen si “determinantat sociale të shëndetit”.

• Shumë grupe të popullatës përballen me rrezik më të lartë nga kanceri për shkak të faktorëve të tillë si përdorimi i duhanit, konsumimi i alkoolit dhe ushqimi jo i shëndetshëm. Këta njihen si "determinantat komerciale të shëndetit".

 

 

ÇFARË PO NDODH!

KUR VEPROJMË?

Duke zbatuar strategji për parandalimin, zbulimin e hershëm dhe trajtimin e duhur çdo vit mund të shpëtohen miliona jetë.

Më shumë se 1/3 e rasteve të kancerit mund të parandalohen.

1/3 e rasteve të kancerit mund të shërohen nëse zbulohen në fazë të hershme dhe nëse trajtohen në mënyrën e duhur.

PËRPARIMI

Sot, për kancerin ne dimë më shumë se kurrë më parë.

Duke investuar në inovacione dhe hulumtime ne jemi dëshmitarë të përparimeve të jashtëzakonshme në mjekësi, diagnostikim dhe njohuri shkencore.

Sa më shumë të dimë aq më shumë mund të përparojmë në reduktimin e faktorëve të rrezikut, rritjen e parandalimit dhe përmirësimin e diagnostikimit, trajtimit dhe kujdesit për njerëzit me kancer.

NDIKIMI

Vitet e fundit Kombet e Bashkuara, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe agjenci të tjera të OKB-së e kanë njohur nevojën urgjente për angazhim global.

Kur udhëheqësit flasin dhe ndërmarrin veprime, na jepet mundësia të bëjmë histori dhe të ecim drejt një bote pa kancer.

DREJTËSI

Sot, më shumë se dy të tretat (70%) e vdekjeve nga kanceri ndodhin në pjesët më të pazhvilluara të botës. Edhe nëse jetoni në një vend me të ardhura më të larta, ende ekzistojnë pabarazi brenda vetë komunitetit midis personave me të ardhura më të ulëta, emigrantëve, refugjatëve dhe banorëve të komuniteteve rurale. Qasja e barabartë në parandalimin, diagnostikimin, trajtimin dhe kujdesin për pacientët me kancer mund të shpëtojë jetë.

NDRYSHIME

Duke e rritur edukimin dhe njohuritë publike dhe politike për kancerin, ne e reduktojmë frikën, e rrisim mirëkuptimin, i zhdukim mitet dhe keqkuptimet dhe i ndryshojmë sjelljet, qëndrimet dhe veprimet.

Kanceri është më shumë se një diagnozë mjekësore – ai është një çështje e thellë personale. Prandaj, një qasje e fokusuar në kujdesin për personat me kancer çon drejt rezultateve më të mira shëndetësore dhe është çelësi i ndryshimit.

Fushata e re për Ditën Botërore të Luftës Kundër Kancerit 2025-2027 "Të bashkuar nga unikja" do t’i hulumtojë dimensionet e ndryshme të kujdesit për njerëzit me kancer dhe mënyrat e reja për të bërë një ndryshim.

ÇFARË ËSHTË KANCERI? 

Kanceri është një sëmundje që shfaqet kur ndryshimet në një grup qelizash normale në trup fillojnë të rriten në mënyrë të pakontrolluar, jonormale, duke formuar një gungë të njohur si  tumor. Nëse nuk trajtohen tumoret mund të rriten dhe të përhapen në indet normale përreth ose në pjesë të tjera të trupit përmes qarkullimit të gjakut dhe sistemit limfatik. Kjo mund të ndikojë në sistemin digjestiv, nervor dhe të qarkullimit të gjakut ose të lëshojë hormone që mund të ndikojnë në funksionimin e trupit.

 

Llojet e tumoreve

Ekzistojnë këto lloje të tumoreve:

• Tumoret beninje: janë jo kancerozë dhe rrallë herë paraqesin rrezik për jetën. Ata rriten ngadalë dhe nuk përhapen në pjesë të tjera të trupit.

• Tumoret malinje: kancerogjene, rriten më shpejt se tumoret beninje dhe mund të përhapen dhe t’i shkatërrojnë indet përreth. Ato mund të krijojnë metastaza, duke formuar kështu tumore dytësore.

• Gjendjet parakanceroze: qeliza jonormale që mund të zhvillohen në kancer.

 

Llojet e kancerit

Kanceri mund të klasifikohet në bazë të llojit të qelizës nga e cila fillon. Pesë llojet kryesore janë:

• Karcinoma: lind nga qelizat epiteliale. Llojet e zakonshme janë kanceri i gjirit, prostatës, mushkërive dhe zorrës së trashë.

• Sarkoma: kancer i kockave ose indeve të buta. Llojet e zakonshme janë leomiosarkoma, liposarkoma dhe osteosarkoma.

• Limfoma dhe mieloma: fillon në qelizat e sistemit imunitar. Përfshin kancerin e sistemit limfatik dhe mielomën multiple.

• Leuçemia: kanceri i qelizave të bardha të gjakut dhe palcës kockore.

• Kanceri i trurit dhe palcës kurrizore: i njohur si kanceri i sistemit nervor qendror.

 

Çfarë e shkakton kancerin?

Kanceri mund të shkaktohet nga një kombinim faktorësh. Disa prej tyre mund të ndryshohen dhe reduktimi i këtyre rreziqeve mund të parandalojë mbi 40% të rasteve të kancerit.

 

Faktorët e rrezikut që mund të ndryshohen.

• Konsumimi i alkoolit: rrit rrezikun nga kanceri i: zorrëve, gjirit, gojës, fytit, ezofagut, mëlçisë dhe lukthit.

• Mbipesha ose obeziteti: lidhet me rrezikun nga 12 lloje të kancerit, duke përfshirë këtu kancerin e zorrëve dhe pankreasit.

• Ushqimi jo i shëndetshëm: konsumimi i mishit të kuq, mishit të përpunuar dhe ushqimeve me sasi të mëdha të kripës, si dhe konsumimi i dobët i frutave dhe perimeve, ndikojnë në rritjen e rrezikut nga kanceri.

• Aktiviteti fizik: Aktiviteti i rregullt fizik ndihmon në zvogëlimin e rrezikut nga kanceri.

• Përdorimi i duhanit: Duhani përmban agjensë kancerogjenë përgjegjës për 22% të vdekjeve nga kanceri.

• Rrezatimi jonizues: përfshin radonin, rrezet x, rrezet gama dhe rrezatimin ultravjollcë.

• Rreziqet në vendin e punës: Ekspozimi ndaj substancave si asbesti, rrit rrezikun nga kanceri.

• Infeksioni: Viruset si HPV dhe hepatiti B dhe C mund të shkaktojnë kancer.

 

 

Faktorët e rrezikut që nuk mund të ndryshohen

• Mosha: me moshën rritet rreziku nga kanceri.

• Kancerogjenët: substanca që i ndryshojnë qelizat.

• Gjenetika: predispozitat gjenetike të trashëguara e rrisin rrezikun nga kanceri.

• Sistemi imunitar: Sistem imunitar i dobësuar e rrit rrezikun nga kancerit.

 

CILAT JANË SHENJAT DHE SIMPTOMAT E KANCERIT?

Me qenë se ka shumë lloje të ndryshme të kancerit, simptomat mund të ndryshojnë në varësi të lokalizimit të kancerit. Por, ka disa shenja dhe simptoma kryesore të cilave duhet t’u kushtohet vëmendje, si:

• Gunga ose ënjtje të pazakonta – gungat kanceroze zakonisht janë pa dhimbje dhe me avancimin e sëmundjes ato zmadhohen.

• Kollë, gulçim ose vështirësi gjatë kapërdimjes – kushtoni kujdes episodeve të vazhdueshme të kollitjes, gulçimit ose vështirësive gjatë kapërdimjes.

• Ndryshime në punën e zorrëve –si kapsllëku dhe diarreja dhe/ose prania e gjakut në jashtëqitje.

• Gjakderdhje e papritur –gjakderdhje nga vagina, anusi ose prania e gjakut në jashtëqitje, urinë ose nga goja gjatë kollitjes.

• Humbje e pashpjegueshme dhe e paqëllimshme në peshë për një periudhë të shkurtër kohore (disa muaj).

• Lodhje – në formë të lodhjes ekstreme dhe mungesës së energjisë. Nëse lodhja është për shkak të sëmundjes, individët zakonisht kanë edhe simptoma të tjera.

• Dhimbje – e pashpjegueshme ose e vazhdueshme që shfaqet dhe zhduhet kohë pas kohe.

• Nishan i ri ose ndryshime tek një nishan ekzistues - analizoni ndryshimet në madhësi, formë ose ngjyrë, nëse ka formuar kore ose nëse nga ajo rrjedh gjak ose lëng tjetër.

• Komplikimet gjatë urinimit –nevojë urgjente për të urinuar, më shpesh, ose pamundësi për të urinuar kur keni nevojë ose dhimbje gjatë urinimit.

• Ndryshime të pazakonta të gjinjve – ndryshime në madhësinë, formën ose ndjesinë e gjinjve, prania e  gungave të dhimbshme ose pa dhimbje, ndryshime të lëkurës dhe dhimbje.

• Humbje oreksi – nuk ndjeni uri si zakonisht për një periudhë të gjatë kohore.

• Plagë ose ulçer që nuk shërohet - nishan, plagë ose ulçer në gojë.

• Ndjesia e shqetësimit në lukth – ndjesi e vazhdueshme e shqetësimit në lukth

• Djersitje e shtuar gjatë natës  – kini kujdes nga djersitjet e shpeshta gjatë natës

 

Shumica e shenjave dhe simptomave të përmendura mund të jenë edhe për shkak të diçkaje më pak serioze se kanceri, por nëse bëhet fjalë për kancer, atëherë zbulimi i hershëm është qenësor. Nëse vini re ndonjë ndryshim që nuk është normal për ju ose diçka që zgjat për një kohë të gjatë, mos hezitoni ta vizitoni mjekun tuaj.

 

PËRDORIMI I DUHANIT ËSHTË SHKAKU KRYESOR I KANCERIT I CILI MUND TË PARANDALOHET.

MEGJITHATË, EKZISTOJNË FAKTORË TË NDRYSHËM TË RREZIKUT DHE AKTIVITETE PREVENTIVE QË MUND TË NDËRMERREN PËR TA ZVOGËLUAR RREZIKUN NGA KANCERI:

Përdorimi i duhanit lidhet me rreth 15 lloje të kancerit, duke përfshirë këtu kancerin e mushkërive dhe të mëlçisë. Lënia e duhanit e zgjat ndjeshëm jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës.

 Kufizimi i konsumimit të alkoolit e zvogëlon rrezikun nga kanceri i gojës, ezofagut dhe gjirit.

Aktiviteti i rregullt fizik dhe mirëmbajtja e një peshe trupore të shëndetshme e redukton rrezikun nga disa lloje të kancerit, duke përfshirë këtu kancerin e zorrës së trashë dhe veshkave.

Reduktimi i ekspozimit ndaj rrezatimit ultravjollcë nga dielli dhe shmangia e solariumëve ndihmon në parandalimin e kancerit të lëkurës.

Ekspozimi ndaj substancave si azbesti në vendin e punës e rrit rrezikun nga kanceri, ndërsa për zvogëlimin e këtij ekspozimi mund të ndihmojnë shumë.

Infeksionet kronike shkaktojnë rreth 16% të kancereve në rrafsh global, ndërsa vaksinat kundër virusit të Hepatitit B (HBV) dhe Papillomavirusit Njerëzor (HPV) ndihmojnë në parandalimin e kancerit të mëlçisë dhe qafës së mitrës.

• Individët mund të adoptojnë një mënyrë të shëndetshme të jetesës, ta shmangin duhanin dhe përdorimin e tepërt të alkoolit, ta kufizojnë ekspozimin në diell, të vaksinohen dhe t’i inkurajojnë të tjerët ta bëjnë të njëjtën gjë.

• Qeveritë mund të zbatojnë programe vaksinimi, të caktojnë rregulla për përdorimin e solariumeve, ta ndalojnë asbestin dhe të promovojnë fushata për shëndetin publik.

• Shkollat ​​mund të edukojnë për faktorët e rrezikut të kancerit dhe ta promovojnë ushqimin e shëndetshëm dhe aktivitetin fizik.

• Punëdhënësit mund të zbatojnë politika për taparandaluar ekspozimin ndaj kancerogjenëve dhe për të promovuar stile të shëndetshme të jetesës.

• Komunitetet mund të krijojnë mjedise që e mbështesin shëndetin dhe mirëqenien.

 

PARANDALIMI SEKUNDAR FOKUSOHET NË SKRININGUN DHE ZBULIMIN E HERSHËM ME QËLLIM QË KANCERI TË ZBULOHET NË FAZËN E TIJ MË TË HERSHME KUR MUNDËSITË PËR SHËRIMIN E TIJ JANË MË TË MËDHA

Skriningu i rregullt si mamografia për kancerin e gjirit, testet PAP për kancerin e qafës së mitrës dhe kolonoskopitë për kancerin kolorektal janë qenësore. Këto teste mund t’i zbulojnë anomalitë përpara se të shfaqen simptomat, duke mundësuar kështu që të bëhet një ndërhyrje në fazë të hershme.

Zbulimi i hershëm e rrit ndjeshëm shkallën e mbijetesës. Për shembull, kanceri i gjirit nëse zbulohet në një fazë të hershme ka një shkallë të mbijetesës pesëvjeçare prej 99%, krahasuar me një shkallë mbijetese prej 27% nëse zbulohet në një fazë më të vonshme. Kontrollet e rregullta mund të mundësojnë trajtim të menjëhershëm, duke e reduktuar kështu vdekshmërinë nga kanceri.

Ndërgjegjësimi dhe edukimi i popullatës për rëndësinë e skriningut mund të inkurajojë më shumë njerëz që të marrin pjesë në këto teste që mund t’ua shpëtojnë jetën. Dhënësit e shërbimeve shëndetësore duhet të ofrojnë shërbime të qasshme dhe të përballueshme për skrining për të përfshirë popullatën më të gjerë, sidomos në zonat që nuk janë përfshirë plotësisht.

Duke i dhënë përparësi sriningut dhe zbulimit të hershëm, ne mund ta reduktojmë edhe më shumë ngarkesën globale të kancerit.

https://www.worldcancerday.org/about

 

Përgatiti:

Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve