- 18.02.2025
Çfarë është zgjebja dhe pse është e rëndësishme kjo temë?
Edhe pse në shikim të parë mund të duket si një problem i vogël, zgjebja përbën një kërcënim serioz shëndetësor dhe social, veçanërisht në komunitetet me kushte më të vështira për jetesë. Kjo është një temë që meriton vëmendje, pasi parandalimi i hershëm dhe trajtimi i duhur mund ta reduktojnë ndjeshëm përhapjen dhe komplikimet e kësaj sëmundjeje.
Çfarë është zgjebja dhe pse është e rëndësishme kjo temë?
Zgjebja është një infeksion parazitar i shkaktuar nga një parazit i vogël, i njohur si Sarcoptes scabiei var hominis. Ky parazit depërton në shtresën e sipërme të lëkurës, ku shumohet, duke shkaktuar kështu një skuqje të fortë dhe kruajtje të padurueshme. Por zgjebja nuk është vetëm një shqetësim – ajo mund të shkaktojë edhe komplikime serioze si infeksione bakteriale të lëkurës, sepsë, madje edhe sëmundje të zemrës dhe veshkave.
Përhapja e zgjebes në botë dhe në Maqedoninë e Veriut
Në nivel global nga zgjebje preken mbi 200 milionë njerëz. Në rajonet e varfra tropikale përqindja e fëmijëve të prekur sillet nga 5 në 50%. Zgjebja më së shpeshti shfaqet në komunitetet me popullsi të dendur me kushte joadekuate higjienike.
Në Maqedoninë e Veriut zgjebja shfaqet kryesisht tek grupet e cenueshme sociale, si dhe në institucione ku rreziku nga përhapja është më i madh, si shkolla, shtëpi pleqsh dhe mjedise të tjera kolektive. Ne si Institut i Shëndetit Publik i jemi përkushtuar parandalimit, zbulimit të hershëm dhe edukimit për këtë sëmundje.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik të Republikës së Maqedonisë së
Veriut gjatë vitit 2024 deri më 31.12.2024 janë regjistruar 493 raste të të infektuarve, ndërsa në vitin 2023 për periudhën e njëjtë janë regjistruar 337 persona të infektuar (+46,3%). Në periudhën 2014-2023 numri më i madh i rasteve (527) janë regjistruar në vitin 2015, ndërsa numri më i vogël në vitin 2021 (151).
Mesatarisht, gjatë kësaj periudhe në vit janë regjistruar 332 persona të infektuar (+48,5%).
Në vitin 2024 numri më i madh i personave me zgjebe janë regjistruar në Shkup (182), Kumanovë (108) dhe Gostivar (101).
Në janar 2025 janë regjistruar 28 raste, 16 prej të cilave në Shkup. Ato nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, domethënë sëmundja nuk shfaqet në formë epidemie.
Cilat janë simptomat?
Simptomat e zgjebes mund të shfaqen 4 deri në 6 javë pas infektimit. Më shpesh ato manifestohen si:
• Kruajtje e fortë, e cila është më intensive gjatë natës.
• Lokalizimi më i zakonshëm i ndryshimeve janë thellimet (të çarat) midis gishtërinjve dhe këmbëve, në bërryl, nën sqetulla, kërthizë, bel dhe pjesës të ijeve. Pjesa e pasme e trupit preket më rrallë, ndërsa koka dhe qafa zakonisht nuk preken.
• Shenja të rëndësishme diagnostike janë kanalet e zgjebes, në fund të të cilave dallohet një pikë e zezë. Gjithashtu në trup mund të vihen re edhe ndryshime të tjera të lëkurës,si makulat dhe papulat. Në fillim të sëmundjes në lëkurë ka pak ndryshime, por pacienti është infektiv për mjedisin përreth. Me zhvillimin e alergjisë, intensifikohen edhe kruajtjet.
• Tek fëmijët e vegjël skuqja mund të shfaqet edhe tek pëllëmbët e dorës, shputat dhe skalp.
Njerëzit me sistem imunitar të dobësuar, sidomos ata me sëmundje kronike dhe ata me HIV, mund të zhvillojnë zgjebe me kore. Kjo është një formë e rëndë që shkakton zona të thata, me luspa të lëkurës, me mijëra deri në miliona parazitë. Kjo formë është shumë ngjitëse dhe kërkon trajtim intensiv.
Si transmetohet zgjebja?
Zgjebja transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë të ngushtë fizik lëkurë me lëkurë me një person të infektuar (nëse jetoni në të njëjtën amvisëri, nëse fleni në të njëjtin shtrat, gjatë udhëtimeve në kamping dhe midis njerëzve që jetojnë në kushte të këqija higjienike). Rreziku është veçanërisht i lartë në shtëpi, shkolla, spitale ose kampe refugjatësh. Transmetimi përmes veshjeve ose shtratit ndodh më rrallë, por është i mundur. Është e rëndësishme të theksohet se një person i infektuar mund ta transmetojë sëmundjen edhe përpara se të shfaqë simptoma, duke e bërë zgjeben një sfidë të vërtetë për ta kontrolluar.
Komplikimet e zgjebes
Përveç shqetësimit për shkak të kruajtjes, zgjebja mund të shkaktojë komplikime serioze. Kruajtja e zgjatur dhe dëmtimi i lëkurës krijojnë kushte për infeksione bakteriale, si impetigo, që mund të kalojë në sepsë - një gjendje e rrezikshme për jetën. Në zonat tropikale zgjebeja shoqërohet shpesh me sëmundje akute dhe kronike të veshkave dhe zemrës, si glomerulonefriti poststreptokoksik dhe sëmundjet reumatike të zemrës.
Çfarë mund të bëjmë që ta parandalojmë zgjeben?
Parandalimi është qenësor. Këto janë hapat kryesore:
1. Shmangni kontaktin me persona të infektuar, veçanërisht nëse kanë kruajtje ose skuqje.
2. Nëse dikush në familje ka zgjebe, trajtojini të gjithë anëtarët e familjes, edhe nëse nuk kanë simptoma.
3. Shtrati, veshjet dhe sendet personale duhet të lahen në ujë të nxehtë dhe të thahen në temperaturë të lartë ose në diell.
4. Pastrimi i dhomave me fshesë korrenti ose pastrim është i dobishëm, veçanërisht nëse ka njerëz të infektuar.
Si mjekohet zgjebja?
Trajtimi për zgjeben është i thjeshtë, por kërkon kujdes. Më së shpeshti përdoren:
• Kremrat topikal, si p.sh. 5% permethrin ose 10-25% benzyl benzoate.
• Bari oral ivermektin, i cili është shumë efektiv, por nuk rekomandohet për gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël.
Është e rëndësishme që trajtimi të përsëritet pas 7 deri në 14 ditë për të eliminuar parazitët e rinj. Me trajtim duhet të përfshihet e gjithë familja, që të mund të parandalohet riinfektimi.
Roli i Institutit të Shëndetit Publik
Si Institut i Shëndetit Publik ne i përkushtohemi:
• Ofrimit të edukimit për ndërgjegjësimin e popullatës.
• Identifikimit dhe izolimit në kohë të rasteve në mjedise me rrezikshmëri të lartë.
• Mbështetja e profesionistëve të kujdesit shëndetësore me protokolle moderne të diagnostikimit dhe trajtimit.
• Mbikëqyrjes dhe kontrollit të epidemive, si dhe bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare për zbatimin e praktikave më të mira.
Thirrje për qytetarët
Kujdesi për shëndetin tonë është një përgjegjësi e përbashkët. Zgjebja nuk është turp, është një sëmundje që mund të trajtohet dhe të kontrollohet. Informohuni dhe respektoni masat higjienike dhe të kërkoni ndihmë në simptomat e para. Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta mund të mbrojmë shëndetin e familjeve dhe komuniteteve tona.
Përfundim
Zgjebja është një sfidë që kërkon kujdes, por edhe vendosmëri. Me edukim të duhur, trajtim në kohë dhe me bashkëpunim, ne mund ta kontrollojmë këtë sëmundje dhe ta zvogëlojmë ndikimin e saj në shoqërinë tonë.
Departamenti i Epidemiologjisë së Sëmundjeve Ngjitëse
Instituti i Shëndetit Publik