- 20.03.2025
20 Marsi - Dita Botërore e Shëndetit Oral
Sëmundjet orale përfshijnë një sërë sëmundjesh dhe gjendjesh si: kariesi dentar, sëmundjen periodontale, humbjen e dhëmbëve, kancerin oral, traumën orale dhe dentare, noma dhe defekte të lindura si çarja e buzës dhe e qiellzës.
Sëmundjet e gojës janë ndër sëmundjet më të sjpeshta joinfektive në mbarë botën.
Ngarkesa globale nga gjendjet e shëndetit oral është shqetësuese, sidomos në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare, pasi ajo po rritet dhe do të vazhdojë të rritet për shkak të rritjes së numrit të popullsisë dhe plakjes së saj.
Sëmundjet orale i prekin më së shumti grupet më të cenueshme dhe më të rrezikuara të popullatës. Popullatat me status të ulët socio-ekonomik janë më të prekura nga sëmundjet orale dhe kjo lidhshmëri vazhdon gjatë gjithë jetës, që nga fëmijëria e hershme e deri në pleqëri, pa dallim nga niveli i përgjithshëm i të ardhurave në vend. Shumica e sëmundjeve dhe gjendjeve orale kanë faktorë të përbashkët të rrezikut me sëmundjet kryesore joinfektive (diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe çrregullimet mendore).
Këta faktorë rreziku përfshijnë përdorimin e duhanit, konsumimin e alkoolit dhe ushqimin jo të shëndetshëm të pasur me sheqerna, të cilat po rriten vazhdimisht në rrafsh global. Ekziston një lidhje e vërtetuar mes shëndetit oral dhe shëndetit të përgjithshëm. Është vënë re, për shembull, se diabeti lidhet me zhvillimin dhe përparimin e periodontitit. Përveç kësaj, ekziston një lidhje shkak-pasojë midis konsumit të lartë të sheqerit dhe diabetit, obezitetit dhe kariesit dentar.
Kur shëndeti oral rrezikohet nga sëmundja ose lëndimi, ai gjithashtu ndikon edhe në shëndetin e përgjithshëm. Dhimbja dhe shqetësimi i lidhur me sëmundjet orale e zvogëlojnë efikasitetin në aktivitetet e përditshme, shkaktojnë mungesa në shkollë ose punë dhe mund të shkaktojnë edhe izolim social. Sëmundjet orale kanë një ndikim serioz social dhe ekonomik tek individët dhe familjet për shkak se i rrisin shpenzimet e familjes dhe ndikojnë seriozisht në cilësinë e jetës dhe mirëqenien e njerëzve.
Rreth 3,7 miliardë njerëz (46.8% e popullsisë së botës) janë të prekur nga sëmundjet orale. Nga ato, rreth 1,9 miliardë jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe mesatare.
Prevalenca e sëmundjeve orale është e ngjashme në të gjithë rajonet e OBSH-së, ku rajoni evropian i OBSH-së ka prevalencën më të lartë me 53,6%, pastaj Rajoni i Azisë Juglindore të OBSH-së me 49,8%. Në rajonet e OBSH-së në Azinë Juglindore dhe në rajonet e Paqësorit Perëndimor numri i rasteve të sëmundjeve orale është më i lartë për shkak të numrit të madh të popullsisë. Sipas raportit të parë gjithëpërfshirës themelor për zbatimin e GOHAP (Global Oral Health Action Plan (2023–2030)), sëmundjet orale vazhdojnë të jenë shkaku kryesor i morbiditetit që prekin një popullatë më të madhe se çdo sëmundje tjetër joinfektive. Ende ka dallime të konsiderueshme globale dhe rajonale në përfshirjen e kujdesit të shëndetit oral brenda paketave kombëtare për përfitimet e UHC (Universal health coverage) që mund të sigurojnë mbulim të mjaftueshëm të popullsisë me shërbime themelore për shëndetin oral. Vendet me të ardhura të larta dhe Rajoni Evropian i OBSH-së janë liderë në zbatimin e masave rregullatore, ndërsa vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare kanë nevojë për mbështetje shtesë. Ekziston një mospërputhje e madhe midis disponueshmërisë së shërbimeve themelore për shëndetin oral dhe mbulimin shëndetësor, gjë që ngre shqetësime sa i përket qasjes së popullatës që mbështetet në shërbimet publike. Për këto arsye, raporti e thekson nevojën urgjente për t'i dhënë përparësi kontrollit të sëmundjeve orale në kuadër të prioriteteve të tjera kombëtare shëndetësore. Programet për shëndetin oral duhet të planifikohen dhe zbatohen në kuadër të programeve për sëmundjet joinfektive dhe nën ombrellën e agjendave kombëtare. Ministria e Shëndetësisë e menaxhuar nga punonjës të përkushtuar është e një rëndësie qenësore për kryerjen e aktiviteteve të koordinuara në drejtim të menaxhimit të politikave kombëtare, strategjive ose planeve të veprimit për shëndetin oral. Për sa i përket faktorëve të rrezikut, sipas raportit, konsumi i sheqernave është një faktor rreziku i rëndësishëm për kariesin dentar dhe sëmundjet e tjera joinfektive, ndërsa për sa i përket faktorëve mbrojtës, fluori ka një rol të mirëvendosur dhe të rëndësishëm në parandalimin e kariesit dentar.
Burimi: https://www.who.int/publications/m/item/draft-global-oral-health-action-plan-(2023-2030)
https://iris.who.int/bitstream/handle/10665/380314/9789240106031-eng.pdf?sequence=1
https://www.who.int/health-topics/oral-health#tab=tab_1
Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve