- 03.12.2025
Material informаtiv-edukativ për popullatën mbi infeksionet nga norovirusi
Fakte themelore
o Norovirusi shkakton simptoma gastrointestinale si të vjella, diarre dhe dhimbje barku.
o Njerëzit e të gjitha moshave mund të sëmuren dhe të zhvillojnë simptoma.
o Larja e duhur e duarve dhe mirëmbajtja e higjienës e zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun nga infektimi dhe transmetimi i norovirusit.
Çfarë është norovirusi?
Norovirusi është një virus shumë ngjitës që shkakton gastroenterit akut, me simptoma të të vjellave dhe diarresë. Virusi mund të mbijetojë për javë të tëra në sipërfaqe dhe objekte të kontaminuara (tavolina pune, doreza dyersh, telefona, orendi), duke lejuar transmetim të shpejtë dhe të lehtë nga një person tek tjetri. Prandaj, ai mund të përhapet me shpejtësi në mjedise të mbyllura siç janë shkollat, qendrat e kujdesit ditor, spitalet, azilet e pleqve, restorantet, institucionet korrektuese dhe kampet. Shpesh quhet edhe si "virusi i stomakut" ose "gripi i stomakut", por nuk ka të bëjë me gripin. Shumica e njerëzve shërohen brenda 1-3 ditëve, por ata mund ta përhapin virusin edhe disa ditë pasi të jenë zhdukur simptomat.
Infeksionet ndodhin gjatë gjithë vitit, por incidenca është më e lartë nga muaji nëntor deri në muajin prill.
Si transmetohet norovirusi?
Norovirusi eliminohet përmes jashtëqitjeve dhe të vjellave të individëve të infektuar. Të vjellat mund të gjenerojnë aerosole që e ndotin mjedisin. Mekanizmi fekalo-oral i transmetimit është dominant, ndërsa transmetimi nëpërmjet duarve të kontaminuara dhe të papastra është një rrugë e shpeshtë e transmetimit.
Një person është infektiv që nga fillimi i simptomave deri në disa ditë pas zhdukjes së tyre, ndërsa eliminimi i virusit mund të zgjasë dy javë ose më shumë.
Ekzistojnë shumë lloje dhe gjenotipe të norovirusit, prandaj infeksioni mund të ndodhë më shumë herë gjatë jetës. Infeksioni me një lloj norovirusi nuk mbron nga infeksioni i mundshëm me një lloj tjetër të virusit.
Imuniteti është specifik për llojin dhe kohëzgjatja e tij nuk është e përcaktuar qartë, gjë që shpjegon se pse një person i çfarë do moshe mund të riinfektohet gjatë epidemive.
Rrugët e transmetimit:
Norovirusi është shumë ngjitës dhe përhapet lehtë dhe shpejt nëpërmjet:
• kontaktit të drejtpërdrejtë me një person të infektuar (gjatë përkujdesjes, ndarja e ushqimit/veglave, ngrënia e ushqimit të përgatitur nga një person i infektuar, ndërrimi i pelenave).
• konsumimit të ushqimit ose pijeve të kontaminuara.
• konsumimit të ujit të kontaminuar me norovirus, përfshirë këtu ujin e pishinës.
• kontaktit me sipërfaqet e kontaminuara dhe gëlltitjes së virusit përmes gojës, futjes së gishtërinjve në gojë (sidomos tek fëmijët e vegjël).
• përdorimit të tualetit me njerëz që janë tashmë të infektuar me norovirus.
• pastrimit jo të duhur të të vjellave ose jashtëqitjeve nga njerëzit e infektuar me norovirus, pa përdorur mbrojtje personale adekuate (doreza, maskë).
• përhapjes së zgjatur të virusit — një person mund ta transmetojë virusin deri në dy javë ose më gjatë pas shërimit.
• norovirusi mund të mbijetojë në sipërfaqe dhe objekte për javë të tëra.
Kush është i ekspozuar ndaj rrezikut?
Kushdo mund të infektohet me Norovirus.
Njerëzit që janë më të rrezikuar nga zhvillimi i pasqyrës të rëndë të sëmundjes janë:
• fëmijët <5 vjeç
• të moshuarit
• personat me imunitet të kompromentuar
Manifestimet klinike:
Periudha e inkubacionit, ose koha nga ekspozimi ndaj virusit deri në shfaqjen e simptomave, zakonisht është 12-48 orë. Simptomat zakonisht zgjasin 1-3 ditë.
Simptomat më të shpeshta janë:
• të vjella akute
• diarre
• të përziera
• dhimbje dhe ngërçe barku
Simptoma të tjera:
• temperaturë e lehtë (temperaturë e ngritur lehtë e trupit)
• dhimbje koke
• dhimbje muskujsh
Simptomat janë të njëjta si tek të rriturit ashtu edhe tek fëmijët, por tek të rriturit mund të dominojnë simptomat e diarresë, ndërsa tek fëmijët mund të dominojnë simptomat e të vjellave akute.
Dehidratimi
Infeksioni me norovirus mund të shkaktojë episode të shumta të të vjellave dhe diarresë gjatë gjithë ditës, të cilat mund të shkaktojnë dehidratim, sidomos tek:
• fëmijët e vegjël
• të moshuarit
• personat me sëmundje kronike
Shenjat e dehidratimit:
• rënie e diurezës (urinim i zvogëluar)
• urinë e errët
• gojë dhe fyt i thatë
• marramendje gjatë qëndrimit në këmbë
• tek fëmijët: qarje pa lot ose pak lot, përgjumje ose nervozizëm
Testimi dhe diagnoza:
Diagnostikimi bëhet në laborator, nëpërmjet zbulimit të virusit në feçe (më shpesh me RT-PCR) dhe zbulimit të antigjeneve virale. Gjatë epidemive konfirmimi laboratorik është çelësi për identifikimin e burimit dhe marrjen e masave të kontrollit.
Njësia e virologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik disponon teste për diagnostikimin e Norovirusit sipas indikacioneve klinike (me udhëzim nga mjeku amë, specialisti i sëmundjeve infektive) dhe epidemiologjike, të disponueshme për qytetarët gjatë turnit të parë dhe të dytë çdo ditë pune.
Trajtimi:
Nuk ka terapi konkrete antivirale dhe norovirusi nuk reagon ndaj antibiotikëve (sepse është virus, jo bakter). Trajtimi është simptomatik dhe bazohet në rehidratimin oral (marrje lëngjesh nga goja) ose intravenoz.
- Marrja e sasive të mëdha të lëngjeve është masa më e rëndësishme.
- Tretjet për rehidratim oral janë më të përshtatshmet.
- Shumica e pacientëve shërohen brenda 1-3 ditësh.
Kur ka nevojë për ndihmë mjekësore?
Dehidratimi i rëndë mund të kërkojë trajtim spitalor me rehidratim intravenoz. Nëse vini re shenja të dehidratimit duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.
Masat preventive:
Edhe pse norovirusi është shumë ngjitës, infeksioni mund të parandalohet me masat e mëposhtme:
• Mirëmbajtja e higjienës e zvogëlon ndjeshëm rrezikun e infeksionit dhe transmetimit të norovirusit.
• Larja e shpeshtë dhe e plotë e duarve me sapun dhe ujë (≥20 sekonda, sidomos pas përdorimit të tualetit, ndërrimit të pelenave dhe para se ta prekni ushqimin).
• Trajtimi i plotë termik i ushqimit, larja e frutave dhe perimeve.
• Shmangia e prekjes së ushqimit dhe kujdesit për njerëzit e tjerë ndërsa jeni infektiv.
• Trajtimi në shtëpi dhe mungesa nga puna/shkolla gjatë simptomave. Personat që punojnë në mjediset ku ofrohet kujdes shëndetësor dhe që operojnë me ushqim duhet të marrin leje nga puna për të paktën deri më 48 orë pasi të jenë zhdukur simptomat.
• Pastrimi dhe dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara (duke marrë parasysh se dezinfektantët me bazë alkooli janë më pak efekas kundër norovirusit).
• Larja e rrobave dhe çarçafëve në një temperaturë mbi 60°.
• Dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara me një tretje që përmban hipoklorit natriumi.
• Qëndrimi në shtëpi për të paktën 48 orë pasi të jenë zhdukur simptomat.
• Kur udhëtoni jashtë vendit konsumoni ushqim të gatuar, shmangni tezgat e ushqimit në rrugë, konsumoni ujë të ambalazhuar.
• Ajrosje e shpeshtë, pastrim i sipërfaqeve dhe dezinfektim.
Burimi:
https://www.cdc.gov/norovirus/about/index.html
https://www.cdc.gov/norovirus/index.html
https://www.ecdc.europa.eu/en/norovirus-infection/facts
https://www.cdph.ca.gov/Programs/CID/DCDC/Pages/Norovirus.aspx