• 03.12.2025

3 Dhjetori – Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar


 Sot e shënojmë ditën kushtuar rritjes së ndërgjegjësimit, respektit dhe mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar.

Personat me aftësi të kufizuar — fizike, intelektuale, shqisore ose të kombinuar — shpesh përballen me sfida shtesë shëndetësore dhe sociale. Për të siguruar mbrojtje shëndetësore të plotë, të qasshme dhe cilësore nevojitet një qasje sistemike që do të marrë parasysh nevojat e tyre specifike. Në Republikën e Maqedonisë një nga institucionet që ka një rol të rëndësishëm në këtë është Instituti i Shëndetit Publik.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar është një ditë që shënohet çdo vit në të gjithë botën më 3 dhjetor. Shënimi i kësaj dite ndërkombëtare për herë të parë u shpall në vitin 1992 me rezolutën 47/3 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Respektimi i Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar ka për qëllim ta promovojë kuptimin për çështjet e aftësisë së kufizuar dhe të mobilizojë mbështetje për dinjitetin, të drejtat dhe mirëqenien e personave me aftësi të kufizuar.

Dedikimi i Kombeve të Bashkuara për përmbushjen e të gjitha të drejtave të njeriut për personat me aftësi të kufizuar përforcohet nga Konventa e ratifikuar gjerësisht për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Agjenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Duke pasur parasysh krizat e shumta në botën e sotme, arritja e Qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm (QZHQ) është në rrezik. Në gjysmën e periudhës së zbatimit të Agjendës 2030 bota ende nuk është në rrugën e duhur për të arritur një numër të caktuar të qëllimeve deri në vitin 2030.

Për fat të keq më të varfrit dhe më të prekshmit në botë shpesh janë më të goditurit në kohë krize. Gjetjet paraprake nga Raporti i ardhshëm i OKB-së për Aftësinë e Kufizuar dhe Zhvillimin 2023 tregojnë se progresi nuk është i mirë dhe se ekziston rreziku i dështimit në përmbushjen e disa nga QZhQ-të për personat me aftësi të kufizuar.

Përpjekjet tona për t’i shpëtuar OZHQ-të për, me dhe nga personat me aftësi të kufizuar duhet të intensifikohen dhe përshpejtohen, duke pasur parasysh se personat me aftësi të kufizuar historikisht janë margjinalizuar dhe shpesh kanë qenë ndër ata që janë lënë pas.

Është kritik një ndryshim qenësor në angazhim, solidaritet, financim dhe veprim. Pjesë integrale e kësaj është përfshirja e zërave, nevojave dhe prioriteteve të komunitetit global të personave me aftësi të kufizuar me të gjithë diversitetin e tyre.

Është inkurajuese që me miratimin e Deklaratës Politike në Samitin e fundit të QZHQ-ve, udhëheqësit botërorë u riangazhuan për të arritur zhvillim të qëndrueshëm dhe prosperitet të përbashkët për të gjithë, duke u përqendruar në politika dhe veprime që synojnë më të varfrit dhe më të prekshmit, përfshirë këtu personat me aftësi të kufizuar.

Për këtë nevojiten përpjekje të përsëritura nga shtetet anëtare, sistemi i Kombeve të Bashkuara, shoqëria civile dhe komuniteti global i personave me aftësi të kufizuar, përmes veprimeve të përforcuara dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për t'i bërë QZHQ-të një realitet për, me dhe nga personat me aftësi të kufizuar.

 

Më 3 dhjetor në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar ne e përsërisim angazhimin tonë të fuqishëm dhe të qëndrueshëm për ta avancuar mbrojtjen shëndetësore, barazinë dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në të gjitha aspektet e shoqërisë.

 

Instituti i Shëndetit Publik punon vazhdimisht për:

- Përmirësimin e qasjes në shërbimet shëndetësore për personat me aftësi të kufizuar;

- Zhvillimin e programeve për zbulimin e hershëm, parandalimin dhe mbështetjen, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës;

- Avancimin e politikave shëndetësore publike drejt krijimit të një mjedisi shëndetësor gjithëpërfshirës;

- Bashkëpunimin me institucionet, shoqatat dhe komunitetet lokale për promovimin e të drejtave dhe mirëqenies së këtyre personave;

- Edukimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e respektit, mirëkuptimit dhe integrimit.

 

Kjo ditë është një përkujtim se çdo person ka të drejtën e dinjitetit, mbështetjes dhe mundësisë për të marrë pjesë aktive në shoqëri. Misioni ynë është të krijojmë një sistem që i njeh nevojat dhe ndërton zgjidhje për një të ardhme më të mirë, më të shëndetshme dhe më të drejtë për të gjithë.

 

Së bashku ne ndërtojmë një shoqëri pa barriera.

 

Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve