• 07.04.2025

Dita Botërore e Shëndetit 2025


 

"Fillim i shëndetshëm, e ardhme shpresëdhënëse"

Më 7 Prill të vitit 2025 ne e shënojmë Ditën Botërore të Shëndetit duke u fokusuar në themelin më të rëndësishëm për çdo shoqëri – shëndetin e nënave, të porsalindurve dhe fëmijëve. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), nën moton "Fillim i shëndetshëm, e ardhme shpresëdhënëse", po fillon një fushatë mbarëbotërore njëvjeçare nëpërmjet të cilës u bën thirrje qeverive, komuniteteve dhe të gjithë njerëzve që të ndërmarrim hapa konkretë për t’i mbështetur nënat, të sapolindurit dhe fëmijët që në minutat e para të jetës, duke ndihmuar në krijimin e një të ardhmeje të sigurt dhe shpresëdhënëse. Pra, pa një fillim të sigurt, nuk ka të ardhme të sigurt. Çdo jetë e shëndetshme fillon me një shtatzëni stabile, lindje të sigurt dhe mbështetje për nënat dhe të porsalindurit në periudhën pas lindjes. Prandaj, qëllimi kryesor i fushatës së këtij viti është të parandalojë vdekjet dhe të sigurojë një shëndet dhe mirëqenie afatgjatë të grave në mbarë botën. Në këtë kontekst OBSH dhe partnerët e saj po ndajnë materiale edukative dhe informacion të dobishëm që do të ndihmojnë shumë për mbështetjen e shtatzënive të shëndetshme, lindjeve të sigurta dhe për kujdes më të mirë në periudhën pas lindjes, sepse kujdesi shëndetësor cilësor nuk përfundon me lindjen e foshnjës, por vazhdon të mundësojë mbështetje për nënën dhe fëmijën në të gjitha fazat e mëpasshme të jetës së tyre.

Pse është prioritet shëndeti i nënave, i të porsalindurve dhe i fëmijëve?

Ndihma dhe mbështetja për çdo grua dhe për çdo të porsalindur për të mbijetuar dhe lulëzuar është qenësore për ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme. Megjithatë, të dhënat në nivel global janë alarmante:

·         Çdo vit rreth 300.000 gra e humbin jetën për shkak të komplikimeve që kanë të bëjnë me shtatzëninë dhe lindjen.

·         Mbi 2 milionë foshnja vdesin në muajin e parë të jetës dhe mijëra të tjerë nuk i mbijetojnë lindjes. Kjo do të thotë se çdo 7 sekonda një nënë apo një i porsalindur vdes nga shkaqe që mund të parandalohen!

·         Sipas tendencave aktuale, 4 nga 5 vende janë larg arritjes së objektivave globale për reduktimin e vdekshmërisë së nënave dhe të porsalindurve deri në vitin 2030.

 

Kjo është një thirrje për tu vetëdijësuar - është koha për veprim!

 

 

Dëgjimi dhe mbështetja e grave dhe familjeve – çelësi i ndryshimit drejt një të ardhmeje të shëndetshme

 

Për t’i ndryshuar këto tendenca ne duhet t'i dëgjojmë gratë dhe familjet, t’i vlerësojmë përvojat e tyre dhe t'u ofrojmë atyre një kujdes shëndetësor cilësor, veçanërisht në aspektin e mbështetjes fizike dhe emocionale - para, gjatë dhe pas lindjes. Sistemet shëndetësore duhet të përgatiten për t’i adresuar sfidat e shumta shëndetësore që kanë të bëjnë me shëndetin e nënës dhe të të porsalindurit, siç janë komplikimet obstetrike, gjendjet e shëndetit mendor, sëmundjet jo infektive dhe planifikimi familjar.

Gjithashtu, shëndeti dhe të drejtat e grave duhet të mbrohen me ligje dhe politika që kujdesen për shëndetin e tyre në mënyrë që të krijohet një shoqëri që investon në të ardhmen e çdo familjeje.

Qëllimet e fushatës

• Ngritja e ndërgjegjësimit për problemet që lidhen me mbijetesën e nënës dhe të porsalindurit dhe nevojën për t'i dhënë përparësi kujdesit shëndetësor afatgjatë të grave.

• Avokimi për investime efektive në sistemet shëndetësore që ofrojnë kujdes cilësor shëndetësor të nënës dhe fëmijës.

• Inkurajimi i veprimit kolektiv përmes inkurajimit dhe mbështetjes – duke filluar nga ndihma për prindërit, deri te motivimi i punonjësve të punonjësve shëndetësorë që ofrojnë kujdes qenësor.

• Sigurimi i informacionit të dobishëm në lidhje me shtatzëninë e sigurt, lindjen dhe kujdesin pas lindjes që duhet ta ketë çdo grua dhe çdo familje.

Si mund të inkuadroheni?

·         Ngritja e vetëdijes: Ndani informacion në rrjetet sociale me hashtag #HopefulFutures dhe #HealthForAll.

·         Merrni pjesë: Inkuadrohuni në eventet globale për Ditën Botërore të Shëndetit dhe mësoni më shumë se si mund t'i jepet fund vdekshmërisë së nënave dhe foshnjave.

·         Bëni donacione: Mbështeteni Fondacionin e OBSH-së, i cili punon për përmirësimin e shëndetit të nënave dhe të porsalindurve në vendet e botës.

·         Ndani historitë tuaja: Tregoni përvojat tuaja me shtatzëninë, lindjen ose për personat që ju kanë mbështetur në këtë rrugë.

Gjendja në Maqedoninë e Veriut: Sfidat dhe rekomandimet për përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve

Në Ditën Botërore të Shëndetit vendi ynë vazhdon përpjekjet për përmirësimin e shëndetit të nënave, të porsalindurve dhe fëmijëve, gjë që mbetet një nga prioritetet kryesore të politikës së shëndetit publik. Megjithatë, edhe krahas përparimit të arritur në vitet e fundit, ne vazhdojmë të përballemi me sfida serioze që kërkojnë përpjekje të vazhdueshme dhe adresim të problemeve strukturore. Vdekshmëria e nënave dhe foshnjave ka shënuar rënie, por në rajone të caktuara mbetet ende e lartë, e sidomos në zonat rurale dhe të varfra të vendit, gjë që flet për nevojën për ndërhyrje dhe masa të mëtejshme.

Programi për mbrojtje shëndetësore aktive të nënës dhe fëmijës në Republikën e Maqedonisë së Veriut është një mekanizëm kyç për adresimin e këtyre sfidave. Nëpërmjet aktiviteteve për zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe për parandalim, programi synon përmirësimin e indikatorëve shëndetësorë duke promovuar kujdesin antenatal dhe postnatal, skriningun neonatal, si dhe edukimin për stil të shëndetshëm të jetesës. Ky program nuk fokusohet vetëm në aspektet mjekësore, por synon të sigurojë qasje të barabartë në mbrojtje shëndetësore cilësore, me theks të veçantë tek kategoritë e cenueshme të popullatës, si gratë rome, gratë nga zonat rurale dhe personat pa sigurim shëndetësor.

Programi për mbrojtjen aktive shëndetësore të nënave dhe fëmijëve është i lidhur ngushtë me kushtet sociale dhe ekonomike. Varfëria, niveli i ulët arsimor dhe qasja e kufizuar në shërbimet shëndetësore ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen shëndetësore të nënave dhe fëmijëve. Pa i adresuar këto çështje, arritja e përparimit të plotë në reduktimin e vdekshmërisë të nënave dhe fëmijëve do të jetë e vështirë dhe e kufizuar. Prandaj, për të arritur një përmirësim real të shëndetit të këtyre grupeve, është e nevojshme të adoptohet një qasje holistike dhe gjithëpërfshirëse, e cila do të përfshijë sektorë të ndryshëm dhe do të fokusohet në adresimin e këtyre determinantave kritike sociale.

Maqedonia e Veriut po ashtu përballet me sfidën e realizimit të ulët të disa aktiviteteve të caktuara në kuadër të programit. Edhe pse vitet e fundit ka pasur një përparim në fushën e edukimit shëndetësor dhe parandalimit, shumë nga këto aktivitete nuk realizohen në një nivel që do të jepte rezultate domethënëse. Shembull për këtë është përqindja e ulët e përdorimit të kontraceptivëve falas, e cila në vitin 2023 ka qenë vetëm 16,5%, gjë që flet për mungesën e komunikimit dhe koordinimit efektiv ndërmjet institucioneve shëndetësore dhe grupeve të synuara, gjë që ka si pasojë shfrytëzim jo të plotë të burimeve. Gjithashtu, janë realizuar vetëm 13% e ekzaminimeve të planifikuara falas për gratë që kanë pësuar dhunë seksuale, dhunë me bazë gjinore dhe dhunë në familje, gjë që e konfirmon nevojën për ta përforcuar bashkëpunimin ndërsektorial dhe për të siguruar qasje më të mirë në shërbime. Në Komunën e Shuto Orizares edhe përkundër stimulimit mujor prej 15.000 denarë për gjinekolog amë, ende ekziston rreziku i mbylljes së shërbimit gjinekologjik për shkak të paqëndrueshmërisë financiare. Këto sfida dëshmojnë se është e nevojshme një mbështetje shtesë dhe planifikim më i mirë për të garantuar mbrojtje shëndetësore të vazhdueshme dhe cilësore për grupet e cenueshme.

Gjithashtu, për të arritur progres e nevojshme është që të përmirësohet financimi i programit, si dhe të definohen nevoja buxhetore të qarta dhe realiste. Kjo do të mundësojë zhvillimin e vazhdueshëm të aktiviteteve dhe uljen e borxheve të institucioneve shëndetësore. Planifikimi i indikatorëve për performancën dhe vlerësimin e rregullt të rezultateve do të mundësojë përshtatjen e vazhdueshme të strategjive dhe do të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies për programin.

Duke e vazhduar bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe pushtetit lokal, si dhe përforcimin e partneriteteve me sektorin joqeveritar, mund të sigurohet një qasje më e mirë në shërbimet shëndetësore për grupet më të cenueshme të popullatës. Gjithashtu është e nevojshme që të investohet në edukimin e vazhdueshëm të punonjësve shëndetësorë dhe të popullatës në përgjithësi, për të siguruar kujdes në kohë dhe adekuat për nënat dhe fëmijët.

 Forcimi i shërbimit të patronazhit është i një rëndësie të veçantë për përmirësimin e kujdesit ndaj nënave dhe fëmijëve. Infermieret e patronazhit gjatë vizitave në shtëpi luajnë një rol kyç në ofrimin e kujdesit për gratë shtatzëna, nënat, të porsalindurit dhe fëmijët, si dhe në edukimin e tyre rreth praktikave të shëndetshme. Me vizita dhe me monitorim të rregullt të shëndetit të nënave dhe fëmijëve, ato ndihmojnë në zbulimin e hershëm të problemeve të mundshme shëndetësore dhe promovojnë masa parandaluese.

Mbështetja dhe burimet e rritura për shërbimin e patronazhit do të mundësojnë zgjerimin e shërbimeve, veçanërisht për grupet e cenueshme të popullatës. Sipas analizës së fundit të tendencave në kapacitetet dhe funksionet e shërbimit të patronazhit, disa nga problemet më të mëdha lidhen me mungesën e kuadrove dhe pajisjet e kufizuara. Në vitin 2023 numri i infermiereve të patronazhit në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka rënë në 258, që është i pamjaftueshëm për të ofruar kujdes cilësor për të gjitha nënat dhe fëmijët. Kjo për si pasojë e rialokimit të infermiereve në shërbime të tjera shëndetësore dhe arsyeja kryesore e largimit të tyre nga shërbimi i patronazhit është transferimi në struktura të tjera shëndetësore. Në kontekst të këtyre sfidave i domosdoshëm është investimi i burimeve për rritjen e numrit të infermiereve në komunitet dhe për përmirësimin e pajisjeve, gjë që do të çojë në një përmirësim të cilësisë së kujdesit shëndetësor. Komunikimi efikas me publikun është gjithashtu vendimtar për suksesin e shërbimit të patronazhit, pasi rritja e ndërgjegjësimit dhe promovimi i shërbimeve të ofruara nga infermieret e patronazhit do të mundësojë shfrytëzim më të madh të tyre.

Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut luan një rol kyç në mbështetjen dhe promovimin e vazhdueshëm të shëndetit të nënës dhe fëmijës. Në këtë drejtim, institucioni organizon rregullisht fushata për shënimin e ditëve dhe javëve botërore që kanë të bëjnë me shëndetin e nenave dhe fëmijëve. Me qëllim të sensibilizimit dhe edukimit të popullatës përgatiten fletushka, postera dhe materiale informative të ndryshme që i promovojnë aspektet e rëndësishme të shtatzënisë së shëndetshme, ushqyerjen e duhur me gji dhe kujdesin ndaj të porsalindurve.

Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut punon edhe për mbështetjen e grave përmes Qendrës së këshillimit "Info Baby". Kjo linjë telefonike është aktive çdo të martë dhe të enjte nga ora 11:00 deri në 13:00 dhe ofron rekomandime dhe këshilla falas për gratë për shtatzëni të shëndetshme, mëmësinë dhe kujdesin ndaj foshnjës. Rekomandimet përfshijnë zakone të shëndetshme të jetesës, konsumimin e duhur të ushqimeve të shëndetshme, kujdesin, higjienën e foshnjave, vaksinimet në kohë dhe aspekte të tjera të kujdesit për foshnjën. Të gjitha materialet informative dhe edukative, përfshirë këtu edhe udhëzuesit, për të gjithë të interesuarit janë të disponueshme në faqen e internetit të Institutit të Shëndetit Publik.

Duke i pasur parasysh të gjitha këto në Ditën Botërore të Shëndetit ne jo vetëm që e  rikonfirmojmë angazhimin tonë për shëndetin e nënës dhe fëmijës, por gjithashtu e theksojmë edhe nevojën për përpjekje dhe burime të përbashkëta për të arritur përparim të qëndrueshëm. Duke investuar në shërbimet shëndetësore, arsimin dhe mbështetjen për grupet më të cenueshme, ne mund të sigurojmë kushte më të mira për rritjen dhe zhvillimin e brezave të ardhshëm. Ata jo vetëm që do të rriten në një mjedis të shëndetshëm, por do të bëhen edhe krijues të një shoqërie të shëndetshme dhe të begatë.

Fillimet e shëndetshme nuk janë vetëm një sukses personal, por edhe një përgjegjësi kolektive dhe investimi më i madh për një të nesërme më të mirë. Të investojmë në shëndetin e nënave dhe fëmijëve sot, që të ndërtojmë një të ardhme të sigurt dhe të shëndetshme për të gjithë!

Referenca:

1.      Светска здравствена организација (СЗО). Светски ден на здравјето 2025: Здрави почетоци, надежна иднина. Преземено од https://www.who.int/campaigns/world-health-day/2025.

2.      Рахиќ, Б. и Шаќири, Ј. Анализа на трендот на капацитетите и функциите на патронажната служба и грижата за здравјето на мајките и децата. Институт за јавно здравје на Република Северна Македонија. 2024.

3.      Влада на Република Северна Македонија. Програма за активна здравствена заштита на мајките и децата во Република Северна Македонија за 2023 година. 2023.

4.      Министерство за здравство на Република Северна Македонија. Годишен извештај за програмска и буџетска реализација на Програмата за активна здравствена заштита на мајките и децата за 2023 година. 2023.

5.      ХЕРА - Асоцијација за здравствена едукација и истражување, Здружение за поддршка на луѓето што живеат со ХИВ - Заедно Посилни, Здружение за еманципација, солидарност и еднаквост на жените - ЕСЕ, Здружение Иницијатива за правата на жените од Шуто Оризари. Главни економски аргументи за инвестирање во Програмата за активна здравствена заштита на мајките и децата. 2023.

Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve