- 28.04.2025
JAVA EVROPIANE E IMUNIZIMIT – 2025
27.04 - 03.05.2025
Java Evropiane e Imunizimit është një iniciativë e udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për ta rritur ndërgjegjësimin për rolin qenësor që luan imunizimi në parandalimin e sëmundjeve dhe në mbrojtjen e jetës. Tradicionalisht shënohet çdo vit të dielën e fundit të muajit prill dhe ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e imunizimit në parandalimin e sëmundjeve dhe promovimin e shëndetit.
Vaksinat janë një nga arritjet më të mëdha në historinë e mjekësisë dhe shëndetit publik, ndërsa vaksinimi është një nga investimet shëndetësore më të leverdisshme. Sot ka në dispozicion më shumë se 30 vaksina të ndryshme që mund të parandalojnë më shumë se 30 sëmundje dhe infeksione kërcënuese për jetën, duke i ndihmuar njerëzit e të gjitha moshave të jetojnë jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme.
Arsyet kryesore se pse janë kaq të rëndësishme vaksinat:
Parandalojnë sëmundje: Vaksinat i mbrojnë individët nga sëmundje të rënda dhe ndonjëherë vdekjeprurëse, siç janë fruthi, poliomeliti, hepatiti, gripi, tetanozi. Duke stimuluar sistemin imunitar, vaksinat ndihmojnë trupin të njohë dhe të luftojë patogjenë specifikë pa shkaktuar sëmundje. Është vlerësuar se vaksinimi parandalon 3,5-5 milionë vdekje çdo vit, nga sëmundje të tilla si difteria, tetanozi, pertusis, gripi dhe fruthi.
Mbrojnë komunitetet: Kur vaksinohet një përqindje e madhe e popullatës, krijohet imuniteti i tufës, i cili i mbron ata që nuk mund të vaksinohen (p.sh., fëmijët e vegjël që nuk kanë mbushur moshën për t'u vaksinuar, njerëzit që kanë kundërindikacione ndaj vaksinimit ose ata me sistem imunitar të dobësuar). Kjo ndihmon në reduktimin e përhapjes së sëmundjeve dhe mbrojtjen e grupeve të cenueshme.
I çrrënjos sëmundjet: Vaksinat kanë mundësuar zhdukjen e sëmundjeve si lija dhe janë domosdoshme në përpjekjet për të eliminuar sëmundje të tjera, si poliomeliti. Pesë nga gjashtë rajone të OBSH-së janë certifikuar si "pa poliomelit", përfshirë këtu edhe vendin tonë. Transmetimi endemik ndodh vetëm në Afganistan dhe Pakistan. Por deri sa të ndalohet transmetimi i poliovirusit në këto vende, të gjitha vendet e tjera janë të rrezikuara nga importimi i virusit. Fushatat e vaksinimit në shkallë të gjerë mund ta parandalojnë përhapjen dhe rishfaqjen e sëmundjeve të rrezikshme infektive.
I zvogëlojnë shpenzimet për mbrojtje shëndetësore: Vaksinimi ndihmon në zvogëlimin e ngarkesës financiare ndaj sistemeve të mbrojtjes shëndetësore duke i parandaluar trajtimet e kushtueshme, hospitalizimet dhe ndërlikimet afatgjata si pasojë e sëmundjeve të parandalueshme nga vaksina.
Parandalojnë shpërthimin e epidemive: Duke ruajtur një mbulim të lartë të nivelit të vaksinimit, minimizohet rreziku i shfaqjes së epidemive të sëmundjeve të parandalueshme nga vaksinat. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve shumë ngjitëse si fruthi dhe pertusis, të cilat mund të kenë pasoja serioze për fëmijët dhe grupet e cenueshme të popullatës.
Ndikimi global: Vaksinimi është çelësi i sigurisë globale shëndetësore, pasi sëmundjet ngjitëse nuk njohin kufij. Imunizimi i popullatës në të gjithë botën ndihmon në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve nëpër vende dhe kontinente, duke kontribuar në kontrollin e pandemive globale.
Vaksinimi është themeli i shëndetit publik modern dhe jo vetëm që mbron individët, por edhe forcon komunitetet, parandalon rishfaqjen e sëmundjeve dhe siguron një të ardhme më të shëndetshme për të gjithë.