• 07.05.2025

Kanceri i lëkurës


INFORMACION THEMELOR PËR KANCERIN E LËKURËS

Kanceri është një sëmundje gjatë së cilës qelizat në trup rriten në mënyrë të pakontrolluar. Kur kanceri ka zanafillën në lëkurë, atëherë quhet kancer i lëkurës.

Disa njerëz janë më të rrezikuar nga kanceri i lëkurës se sa të tjerët, por ai mund të prekë secilin nga ne. Shkaku më i shpeshtë, por i parandalueshëm i kancerit të lëkurës, është ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve ultraviolet (UV), qoftë nga dielli ose nga burime artificiale siç janë solariumet.

Çfarë është kanceri i lëkurës?

 

 

Lëkura është organi më i madh i trupit. Dy shtresat kryesore janë epidermi (shtresa e sipërme ose e jashtme) dhe dermi (shtresa e poshtme ose e brendshme). Kanceri i lëkurës fillon në epiderm, i cili përbëhet nga:

• Qelizat skuamoze: qeliza të holla e të sheshta që formojnë shtresën e sipërme të epidermit.

• Qelizat bazale: qeliza të rrumbullakëta poshtë qelizave skuamoze.

• Melanocitet: qeliza që prodhojnë melaninë dhe ndodhen në pjesën e poshtme të epidermit. Melanina është pigmenti që ia jep ngjyrën lëkurës. Kur lëkura ekspozohet në diell, melanocitet prodhojnë më shumë pigment dhe bëjnë që lëkura të marrë ngjyrë më të errët.

Karcinomat bazale dhe skuamoze janë dy llojet më të shpeshta të kancerit të lëkurës. Ato kanë zanafillë në qelizat bazale dhe skuamoze të lëkurës. Të dy llojet mund të trajtohen.

Melanoma, lloji i tretë më i shpeshtë i kancerit të lëkurës, fillon në melanocite. Nga të gjithë kanceret e lëkurës, melanoma shkakton më shumë vdekje për shkak të tendencës së saj për t'u përhapur në pjesë të tjera të trupit, duke përfshirë këtu organet vitale të trupit.

Përhapja e melanomës

Melanoma e lëkurës është kanceri i 17 më i shpeshtë tek popullata botërore, kanceri i 14 më i shpeshtë tek meshkujt dhe kanceri i 14 më i shpeshtë tek femrat.

Nga 5 raste të të gjitha llojeve të kancerit të lëkurës, 1 rast është melanomë. Gjithsej 331.722 raste të reja të melanomës  në mbarë botën (179.953 burra, 151.769 gra) dhe 58.667 raste të vdekjes nga melanoma (33.160 burra, 25.507 gra) janë vlerësuar për vitin 2022. Nëpër vende dhe rajone të botës ekzistojnë ndryshime të mëdha gjeografike në incidencë, me prevalencën më të lartë në mesin e burrave (42 në 100.000 burra) dhe tek gratë (31 në 100.000 gra) në Australi/Zelandën e Re, pastaj në Evropën Perëndimore (19 në 100.000 edhe tek burrat edhe tek gratë), Amerikën Veriore (18 në 100.000 burra, 14 në 100.000 gra) dhe Evropën Veriore (17 në 100.000 burra, 18 në 100.000 gra). Melanoma vazhdon të jetë e rrallë në shumicën e vendeve afrikane dhe aziatike, me një shkallë të incidencës zakonisht më pak se 1 në 100.000 banorë.

Nëse trendi aktual i incidencës së melanomës vazhdon, vlerësohet se deri në vitin 2040 numri i rasteve të reja të melanomës do të rritet në 510.000, ndërsa numri i rasteve të vdekjes në 96.000.

Melanoma është më e shpeshtë tek burrat se sa tek gratë në pjesën më të madhe të rajoneve të botës, por kjo gjendje ndryshon kur bëhet fjalë për moshën, me ç’rast shkalla tek gratë shpesh e tejkalon atë tek burrat në moshë nën 50 vjet.  

Edhe pse rreziku nga melanomë në përgjithësi rritet me moshën dhe incidenca është më e lartë tek popullata e moshuar, melanoma është ndër llojet më të shpeshta të kancerit tek adoleshentët.

Në RMV në vitin 2023 numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjes nga neoplazmat e tjera malinje të lëkurës është 46 me një shkallë mortaliteti prej 2,5/100 000 banorë, numri i vdekjeve tek burrat është 33 me një shkallë mortaliteti prej 3,6/100 000 burra, ndërsa numri i vdekjeve tek gratë është 13 dhe me një shkallë mortaliteti prej 1.4/100 000 gra. Nga melanoma në vitin 2023 kanë vdekur 55 persona me një shkallë mortaliteti prej 3,0 në 100.000 banorë, nga të cilët 41 janë burra, ndërsa 14 janë gra. Shkalla e mortalitetit tek burrat është 4,5 në 100 000 burra, ndërsa shkalla e mortalitetit tek gratë është 1,5 në 100 000 gra.

 

Në cilat pjesë të trupit mund të shfaqet melanoma?

 

Melanoma mund të shfaqet në të gjitha pjesët e trupit, si në pjesët që ekspozohen vazhdimisht ndaj diellit ashtu edhe në pjesët që mbrohen nga veshjet. Melanoma mund të shfaqet edhe në sy dhe në organet e brendshme. Tek meshkujt melanoma më së shpeshti shfaqet në trungun e trupit, ndërsa tek femrat tek këmbët. Nëntipi i malinjitetit mund të ndikojë në vendin se ku do të zhvillohet tumori: lentigo melanoma është më e shpeshtë në fytyrë, ndërsa melanoma lentiginoze akrale është më e shpeshtë tek pëllëmbët, shputat ose thonjtë.

 

Cilat janë shenjat e melanomës?

 

 

Ndryshimet në lëkurën tuaj janë shenja më e shpeshtë e kancerit të lëkurës. Bisedoni me mjekun tuaj nëse vini re ndonjë ndryshim në lëkurën tuaj, si për shembull një nishan të ri, një plagë që nuk do shërohet, një ndryshim të një nishani të vjetër ose ndonjë nga shenjat ABCDE të melanomës.

Rregulli ABCDE përdoret për diagnostikimin e hershëm të melanomës:

A.    Asimetria: A ka nishani ose shenja formë të parregullt me dy pjesë që duken shumë ndryshe nga njëra tjetra?

B.     Skajet: A janë skajet e parregullta dhe të gungëzuara?

C.     Ngjyra: A është ngjyra jo e njëtrajtshme?

D.    Diametri: A është nishani ose njolla më e madhe se madhësia e një bizeleje?

E.     Zhvillimi: A ka ndryshuar nishani ose njolla gjatë javëve ose muajve të fundit?

 

Fazat e melanomës:

• Faza 0 (Melanoma in situ): Kanceri është i kufizuar në shtresën e sipërme të lëkurës (epiderm).

• Faza I: Kancer primar me rrezik të ulët, pa shenja të përhapjes. Në këtë fazë melanoma e trajtuar me ndërhyrje kirurgjikale në të shumtën e rasteve ka rezultat pozitiv.

• Faza II: Janë të pranishme veçori që tregojnë për një rrezik më të lartë të përsëritjes, por nuk ka dëshmi se është përhapur.

• Faza III: Melanoma është përhapur në nyjet limfatike ose në zonat e afërta.

Melanoma është përhapur në organe të largëta ose në nyje limfatike të largëta.

Faktorët e rrezikut të shfaqjes së melanomës:

 

- Ekspozimi i tepruar (i pakontrolluar) ndaj rrezeve të diellit (si pasojë e profesionit aposi hobi)

- Pigmenti i lëkurës, d.m.th. njerëzit me lëkurë me ngjyrë të hapur

- Personat mbi 50 vjet

- Personat me mbi 50 nishane

- Raste me melanomë në familje

- Djegiet nga dielli

- Ekspozimi intensiv në një periudhë të shkurtër kohore (gjatë pushimeve), ose gjatë fundjavës

- Përdorimi i solariumeve

- Terapia me rrezatim

- Imuniteti i dobësuar: nga kimioterapia, pas transplantimit të organeve, tek pacientët me HIV/AIDS.

 

Parandalimi i kancerit të lëkurës

Kanceri i lëkurës mund të parandalohet sepse faktori kryesor i rrezikut, ekspozimi ndaj rrezeve UV, mund të reduktohet nëpërmjet ndryshimeve në sjellje dhe me reduktimin e ekspozimit ndaj diellit.

Përdorimi i veshjeve mbrojtëse, shmangia e ekspozimit direkt ndaj rrezeve të diellit ndërmjet orës 10:00 dhe 15:00 gjatë verës (kur rrezatimi UV arrin kulmin), qëndrimi në hije dhe aplikimi i rregullt i kremit kundër diellit janë masat kryesore që rekomandohen për mbrojtjen nga rrezet UV.

Ekzistojnë lloje të ndryshme të ekspozimit ndaj diellit:

1. Ekspozimi i rastësishëm në diell - koha e kaluar jashtë në ditët me diell gjatë aktiviteteve të zakonshme ditore.

2. Ekspozimi rekreativ në diell - koha e kaluar duke shijuar aktivitete rekreative ose sportive në diell.

3. Ekspozimi ndaj diellit në vendin e punës - koha e kaluar duke punuar jashtë (fermerët, peshkatarët, rojet e sigurisë, postierët, punëtorët e mirëmbajtjes, etj.).

4. Ekspozimi i qëllimshëm në diell – koha e kaluar jashtë duke bërë banjo dielli për të marrë ngjyrë më të errët të lëkurës.

Njerëzit me sy të kaltërt, flokë të kuq ose bjond, njolla dhe ngjyrë të hapur të lëkurës që digjet lehtësisht në diell janë grupi që është më i rrezikuar nga kanceri i lëkurës.

Vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet mbrojtjes së fëmijëve, sepse ekspozimi i tepërt në diell gjatë fëmijërisë e rrit rrezikun nga shfaqja e kancerit të lëkurës gjatë gjithë jetës.

Parandalimi primar nënkupton parandalimin e shfaqjes së sëmundjes dhe konsiston kryesisht në kufizimin e ekspozimit ndaj rrezeve UV.

Parandalimi sekundar nënkupton zbulimin e kancerit të lëkurës në fazën e tij më të hershme, kur ai mund të trajtohet me sukses. Kjo do të thotë vetë-ekzaminim i rregullt, njohje e faktorëve tuaj të rrezikut dhe vizita të rregullta te një dermatolog për të bërë kontrolle të lëkurës.

 

Caktoje tipin e lëkurës

 

Tipi i lëkurëscaktohet sipas karakteristikave të ndryshme, siç është ngjyra e flokëve apo teni i lëkurës. Ka katër tipe të lëkurës:

 

Tipi i lëkurës 1:

-Lëkurë me ngjyrë të hapur, me shenja

-Flokë bjond ose me ngjyrë të kuqe

-Sy të kaltër ose të gjelbërt

-Lëkura është jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj diellit, gjithmonë digjet dhe nuk merr ngjyrë.

       

Tipi i lëkurës 2:

- Lëkurë me ngjyrë të hapur, por pak më e mbyllur se aji e tipit 1

-Flokë bjond dhe me nijansë pak më të mbyllur

-Sy të kaltërt

- Lëkura është e ndjeshme ndaj diellit, merr ngjyrë ngadalë dhe mund të digjet gjatë ekspozimit ndaj diellit.

 

Tipi i lëkurës 3:

-Ten më i errët i lëkurës

-Flokë ngjyrë kafe të hapur e deri në të mbyllur

-Ngjyrë e ndryshme e syve

-Lëkura është pak e ndjeshme ndaj diellit, merr ngjyrë lehtë dhe shpejt, ngjyra e marrë zgjat për një kohë më të gjatë.

 

Tipi i lëkurës 4:

-Lëkurë me ngjyrë kafe të hapur

-Flokë me ngjyrë kafe të mbylur ose të zezë

-Sy me ngjyrë të errët

-Lëkura është e fortë, merr ngjyrë shpejt dhe thellë, ngjyra e marrë zgjat për një kohë të gjatë.

 

Vetë-kontrolli i lëkurës

 

Bëj vetë-kontroll të lëkurës një herë në muaj me ndihmën e pasqyrës:

 

Vetë-kontrolli duhet ta përfshijë të gjithë trupin, para dhe pas, me një vëmendje të veçantë tek pjesët e ekspozuara ndaj diellit.

Mos harroni, ndonjëherë simptomat e kancerit të lëkurës më lehtë mund t'i ndjeni sesa t'i shihni ato. Kaloni me duart tuaja mbi lëkurën e gjithë trupit dhe kontrolloni atë.

Kontrolloni fytyrën, duke përfshirë hundën, buzët, zgavrën e gojës dhe veshët.

 

Kontrolloni skalpin tuaj, përdorni një krehër për t’i ndarë flokët në shtresa. Nëse nuk keni shumë flokë, mos harroni ta kontrolloni tërësisht lëkurën e kokës.

 

Kontrolloni pëllëmbët tuaja nga para dhe mbrapa, midis gishtërinjve dhe thonjve.

 

Pastaj fokusohuni te qafa, stomaku dhe gjoksi (gratë duhet ta kontrollojnë me kujdes zonën poshtë gjinjve).

 

Ngrini krahun për ta kontrolluar pjesën e sipërme të krahut dhe nënsqetullës.

 

Me ndihmën e një pasqyre të vogël dhe një pasqyre të madhe, kontrolloni pjesën e pasme të qafës, shpatullat, shpinën dhe pjesën e pasme të kofshëve.

 

Kontrolloni të pasmet tuaja dhe pjesën e pasme të këmbëve tuaja. Përfundoni duke kontrolluar shputat e këmbëve.

 

Cilat janë hapat e ardhshëm

 

Nëse vini re një lezion të dyshimtë, është e rëndësishme që atë ta kontrollojë një mjek ose mundësisht një dermatolog sa më shpejt të jetë e mundur.

 

Kanceri i lëkurës mund të trajtohet dhe diagnostikimi në kohë e rrit mundësinë për një shërim të plotë.

 

Nëse trajtimi vonon, gjendja përkeqësohet dhe në disa raste mund të çojë në deformime, komplikime dhe madje edhe vdekje.

 

Mos lejo që shtyrja e një vizite te mjeku ta zvogëlojë mundësinë për një rezultat pozitiv.

 

Si duhet vepruar:

 

Mos e injoro, duke shpresuar se do të kalojë.

Mos prit të shohësh se si do të zhvillohet ose ta trajtoni vetë atë.

Mos supozo se nuk është asgjë serioze.

Mos mendo se nuk është prioritet.

Dhe mbi të gjitha, mos ki frikë ta vizitosh mjekun ose dermatologun tënd.

 

 

Përgatiti:

Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve