• 12.05.2025

12 maji – Dita Ndërkombëtare e Infermiereve dhe Teknikëve


 

 

Me rastin e Javës Ndërkombëtare të Infermierisë, në 5 maj shënohet Dita Ndërkombëtare e Mamive, ndërsa në 12 maj Dita Ndërkombëtare e Infermiereve dhe Teknikëve.

Dita Ndërkombëtare e Infermiereve dhe Teknikëve shënohet çdo vit më 12 maj në përkujtim të ditëlindjes së Florence Nightingale. Ajo ka lindur në Firencë, Itali më 12 maj të vitit 1820. Gjatë gjithë jetës së saj ajo luftoi për avancimin e profesionit të saj dhe për të drejtat e grave. Florence Nightingale konsiderohet si një pioniere e infermierisë moderne në botë, ajo ka kontribuar në promovimin e paraqitjes grafike të të dhënave statistikore, ka iniciuar edukimin profesional të infermiereve dhe ka prezantuar metoda të kujdesit ndaj pacientit dhe organizimit spitalor, të cilat janë të pranuara në shumë vende.

Mjekësia ka të bëjë me njeriun nga aspekti i sëmundjes, kurse kujdesi shëndetësor nga aspekti i nevojave themelore të njeriut. Infermierja ka një profesion të përgjegjshëm dhe avokon për një avancim të vazhdueshëm profesional dhe edukim të vazhdueshëm mjekësor.

Infermieria përfshin kujdes autonom dhe kollaborativ për personat e të gjitha moshave, familjeve, grupeve dhe komuniteteve, të sëmurë ose të shëndetshëm në të gjitha kushtet. Ajo përfshin promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve dhe kujdesin ndaj të sëmurëve, invalidëve dhe personave që janë në fund të jetës së tyre. Çdo vend ka nevojë për një fuqi punëtore shëndetësore kompetente, të arsimuar, të motivuar, të mirë-shpërndarë dhe të mbështetur si pjesë e nismës globale për mbulim shëndetësor universal, ndërsa infermieret janë çelësi për realizimin e këtyre përpjekjeve. Infermieret luajnë një rol kyç në kujdesin shëndetësor. Ata janë shpesh të parat që zbulojnë urgjencat shëndetësore dhe punojnë në vijën e parë të parandalimit të sëmundjeve dhe ofrimit të kujdesit shëndetësor primar, duke përfshirë këtu promovimin, parandalimin, trajtimin dhe rehabilitimin. Ata janë shpesh profesionistët e parë dhe ndonjëherë të fundit të kujdesit shëndetësor me të cilët kontakton një pacient dhe cilësia e vlerësimit fillestar dhe kujdesit të tyre pasues është jetike për rezultate të mira shëndetësore. Infermieret marrin pjesë në edukimin shëndetësor të popullatës dhe grupeve të veçanta të cenueshme për faktorët e rrezikut për shfaqjen e sëmundjeve infektive dhe joinfektive (pirja e duhanit, ushqimi jo i shëndetshëm, përdorimi dhe abuzimi me alkoolin, përdorimi i drogës, pasiviteti fizik, sjelljet seksuale të pasigurta, etj.)

OBSH ka dhënë rekomandime të rëndësishme, duke përfshirë këtu investimin në edukimin e infermiereve dhe mamive, angazhimin e infermiereve më të specializuara, investimin dhe përforcimin e aftësive drejtuese të infermiereve dhe mamive, përforcimin dhe njohjen e rolit të infermieres në sistemin shëndetësor dhe mbështetjen e punonjësve shëndetësorë dhe zbatimin e promovimit të shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve, të cilat janë vendimtare për zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë mjekësore në të ardhmen.

Në Ditën Ndërkombëtare të Infermiereve në vitin 2025 Organizata Botërore e Shëndetësisë do të publikojë raportin "Gjendja e Infermierisë botërore 2025" (The State of the World’s Nursing 2025 (SoWN 2025)), i cili ofron një përshkrim gjithëpërfshirës të fuqisë punëtore infermierore në botë në kontekstin e ndryshimeve globale, profileve dhe sëmundjeve më komplekse shëndetësore, kërkesave më të mëdha ndaj sistemeve shëndetësore dhe urgjencës për t’i orientuar prioritetet dhe fokusin e ndryshimeve globale. Raporti për vitin 2025 do t’i prezantojë provat më të azhurnuara mbi fuqinë punëtore globale të infermierisë, duke përfshirë këtu arsimin, punësimin, migrimin, rregulloret, kushtet e punës, lidershipin, si dhe treguesit dhe vlerësimet e infermierisë në rrafsh global dhe rajonal, mungesat dhe parashikimet deri në vitin 2030. Ky raport ka për qëllim të ofrojë të dhëna dhe prova të vërtetuara për ta mbështetur dialogun politik dhe vendimmarrjen në nivel kombëtar se ku dhe si të investohet tek infermieret, për t’i përforcuar sistemet e mbrojtjes shëndetësore primare drejt mbulimit shëndetësor universal. Gjetjet do t'u ofrojnë politikëbërësve analiza dhe opsione për politika të cilat mund të merren parasysh në vendet dhe kontekstet e tyre.

Pothuajse 50% e punonjësve shëndetësorë janë infermiere dhe mami. Bota ka nevojë edhe për 9 milionë infermiere dhe mami nëse do të arrijë mbulim shëndetësor universal deri në vitin 2030.

Infermieret trajtohen si një “burim i padukshëm dhe i pashtershëm”. Kjo duhet të ndryshojë për hir të infermiereve dhe të shëndetit global. Infermieret janë një element kritik për komunitete më të shëndetshme, shoqëri të përgjegjshme, ekonomi të lulëzuara dhe kombe të fuqishme. Tani është koha që politikëbërësit, vendimmarrësit kombëtarë dhe lokalë të ndërmarrin hapa vendimtarë për të ndërtuar dhe optimizuar një fuqi punëtore elastike, të fortë dhe të qëndrueshme të infermierisë.

Këshilli Ndërkombëtar i Infermiereve u bën thirrje qeverive dhe punëdhënësve të ndërmarrin veprime për të krijuar dhe mirëmbajtur sisteme shëndetësore që janë të sigurta, të qasshme dhe të përgjegjshme, ndërsa infermieret duhet të trajtohen si një burim të paçmuar në sistemet shëndetësore. Të investohet tek infermieret për rindërtimin e sistemeve shëndetësore që të mund t’i arrijnë Qëllimet për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe mbulimin shëndetësor universal për ta përmirësuar shëndetin global. Këshilli Ndërkombëtar i Infermiereve (ICN) si temë të Ditës Ndërkombëtare të Infermiereve (IND) për vitin 2025 ka zgjedhur "Mbështetja e infermiereve në punën e tyre të përditshme dhe përmirësimi afatgjatë i shëndetit të tyre ", për t'u përqendruar në shëndetin dhe mirëqenien e infermiereve. Kjo temë nxjerr në pah rolin kritik që luan një fuqi punëtore e shëndetshme infermierore në përforcimin e ekonomive, përmirësimin e sistemeve shëndetësore dhe ofrimin e rezultateve më të mira për komunitetet në të gjithë botën. Tema e thekson rëndësinë e mbështetjes së shëndetit dhe mirëqenies së infermiereve, të cilat janë qenësore për funksionimin e sistemeve shëndetësore në nivel global. Infermieret përballen me sfida të shumta: fizike, mendore, emocionale dhe etike, dhe është e domosdoshme që këto sfida të adresohen në një mënyrë që e promovon shëndetin e tyre të përgjithshëm. Qëllimi nuk është vetëm të nxirren në pah sfidat me të cilat përballen infermieret, por edhe të ofrohet një udhërrëfyes që përqendrohet në zgjidhje konkrete dhe të bazuara në prova për ta përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien, për të mundësuar një fuqi punëtore infermierore më të shëndetshme, duke njohur rolin e tyre qenësor në optimizimin e sistemeve shëndetësore dhe ekonomive. Adresimi i shkaqeve rrënjësore që e dëmtojnë mirëqenien e infermiereve dhe ofrimi i strategjive proaktive janë qenësore për shëndetin e infermiereve, si dhe mbështetja e çështjeve kyçe si shëndeti mendor, mirëqenia fizike dhe siguria në vendin e punës. 

Të sigurohet mbrojtje nga dhuna dhe rreziqet në vendin e punës dhe të zbatohen standardet ndërkombëtare të punës për të drejtat e infermiereve, që ato të punojnë në një mjedis pune të sigurt dhe të shëndetshëm që garanton mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor. Të avancohen strategjitë për rekrutimin dhe mbajtjen e infermiereve dhe të adresohet mungesa e fuqisë punëtore përmes planifikimit dhe monitorimit sistematik të fuqisë punëtore. Të investohet në programe të arsimimit për infermieri me cilësi të lartë dhe të akredituar për të trajnuar më shumë infermiere të reja dhe për të avancuar zhvillimin e karrierës për infermieret ekzistuese. Të promovohet dhe investohet në një kulturë të barazisë që e respekton profesionin e infermierisë si një kontribues kryesor në një sistem të mbrojtjes shëndetësore me cilësi të lartë. Pavarësisht rolit të tyre kritik në mbrojtjen shëndetësore, në mbarë botën ka një mungesë infermieresh që me rritjen e numrit të popullsisë pritet të thellohet, duke e rritur nevojën për infermiere të trajnuara në të gjitha fushat e mbrojtjes shëndetësore.

Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t'i ndjekë këto kushte dhe të praktikojë që në sistemin shëndetësor të angazhohen sa më shumë infermiere të arsimuara dhe të specializuara për mbulim më të mirë shëndetësor të popullatës së saj.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe në vendet tjera, vihet re një trend i zvogëlimit të numrit të infermiereve. Sipas Raportit të Burimeve Njerëzore të Institutit të Shëndetit Publik, në vitin 2023, në organizatat shëndetësore në Republikën e Maqedonisë ka pasur të punësuar gjithsej 9.203 infermiere, nga të cilat 1.771 infermiere me arsim universitar, 187 infermiere kishin arsim të lartë dhe 7.245 infermiere me arsim të mesëm profesional.

Infermieret luajnë një rol kritik në promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve dhe ofrimin e kujdesit primar shëndetësor. Ato ofrojnë kujdes gjatë rasteve emergjente dhe do të jenë çelësi për arritjen e kujdesit shëndetësor universal.

Duke i dhënë përparësi mirëqenies së infermiereve, ne sigurohemi që ata të mund të vazhdojnë të ofrojnë kujdes me cilësi të lartë që është kritik për shëndetin e komuniteteve tona.

Shprehim respektin tonë  të madh për infermieret për angazhimin dhe punën vetëmohuese dhe kujdesin për shëndetin e popullatës.

http://www.iph.mk/

https://mk.wikipedia.org/wiki/

https://www.who.int/

https://www.icn.ch/how-we-do-it/campaigns/international-nurses-day

Përgatiti:

Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve