- 05.06.2025
Rekomandime të Institutit të Shëndetit Publik për mbrojtje nga temperaturat e larta të ambientit
REKOMANDIME SHËNDETËSORE PUBLIKE PËR MBROJTJE GJATË MOTIT TË NXEHTË
Për shkak të njoftimeve nga Drejtoria e Punëve Hidrometeorologjike (DPA) për temperatura maksimale ditore më të larta që priten të regjistrohen nga data 06.06.2025 deri më 08.06.2025, si dhe duke pasur parasysh festat në ditët e ardhshme, Instituti i Shëndetit Publik bën thirrje për respektimin e masave mbrojtëse dhe për kujdes gjatë periudhave me temperatura të larta të ambientit.
Si ndikon moti i nxehtë në shëndetin tonë dhe çfarë duhet të bëjmë?
Kur temperatura e ajrit të ambientit është afër ose e tejkalon temperaturën normale të trupit prej rreth 36,7°C, aftësia e trupit të njeriut për t'u ftohur bie. Përveç kësaj, edhe kur lagështia relative e ajrit të ambientit është e lartë, avullimi i djersës është më i vështirë dhe me këtë bëhet më e vështirë edhe ftohja e trupit.
Kur trupi bëhet shumë i nxehtë ose ka vështirësi në balancimin e temperaturës, kjo mund të shkaktojë një ndjenjë dobësie, tharje të gojës, marramendje, nauze, djersitje të tepërt, lëkurë të thatë, dhimbje stomaku. Ndërsa gjatë të ashtuquajturës "goditje nga të nxehtit" mund të shfaqen edhe simptomat dhe shenjat e mëposhtme: ndërprerje e djersitjes, lëkurë jashtëzakonisht e nxehtë, konfuzion (marramendje), rrahje të shpejta të zemrës, vështirësi në frymëmarrje, alivanosje dhe madje edhe vdekje.
Grupet e cenueshme të popullatës:
· Personat mbi 60 vjet, gratë shtatzëna, fëmijët, personat në rrezik social, punonjësit në mjedise të hapura.
· Personat me sëmundje kronike, si:
o Personat me sëmundje të sistemit kardiovaskular, semundje respiratore, sëmundje të veshkave, diabet, me çrregullime të shëndetit mendor, me mbipeshë, dhe personat që pranojnë terapi e cila e shton urinimin (diuretikë, disa barna për epilepsi, sëmundjen e Parkinsonit, etj).
Rekomandime për mbrojtje nga moti i nxehtë
1. Evitoni ekspozimin në diell (përfshirë këtu edhe kryerjen e aktiviteteve dhe punëve në mjedis të hapur) nga ora 11:00 deri në ora 17:00.
2. Vishni rroba të lehta dhe me ngjyrë të hapur, ndërsa gjatë kepozimit të drejtpërdrejtë në diell mbani syze dhe kapelë me ngjyrë të çelët dhe strehë të gjerë.
3. Qëndroni në ambiente të kondicionuara.
4. Gjatë qëndrimit të domosdoshëm në mjedise të hapura gjatë kësaj periudhe krijoni mundësi për pushime më të shpeshta në hije dhe evitoni ekspozimin e drejpërdrejtë ndaj diellit.
5. Gjatë ditës mbyllni dritaret dhe perdet dhe hapini ato natën kur temperatura është më e ulët.
6. Konsumoni sasi të moderuara të ushqimit. Evitoni ushqimet me yndyrë dhe me shumë kalori, si dhe ushqimet që përmbajnë një sasi të madhe të sheqerit.
7. Pini shumë lëngje (mos prisni derisa të keni etje), mundësisht ujë. Evitoni pijet alkoolike, pijet me kafeinë dhe pijet shumë të ftohta.
8. Kur qëndroni në një automjet të parkuar, hapni dritaren për të mundësuar qarkullim të ajrit. Automjetet e mbyllura plotësisht nxehen shumë. Mos lini askënd brenda automjetit!
9. Bëni dush me ujë sipas nevojës, si alternativë, vendosni kompresa të ftohta dhe mbajini këmbët në ujë të ftohtë.
10. Personat me sëmundje kronike, sidomos ata me sëmundje kardiovaskulare, neurologjike dhe respiratore, duhet duhet tu përmbahen këtyre rekomandimeve dhe ta marrin terapinë e tyre të rregullt. Për çdo ndryshim në gjendjen e tyre shëndetësore ata duhet të konsultohen me mjekun e tyre amë.
Çfarë duhet të bëni nëse nuk ndjeheni mirë?
1. Nëse ndjeni marramendje, debulesë, shqetësim ose etje dhe dhimbje të forta të kokës, kërkoni ndihmë, kaloni në një vend më të freskët sa më shpejt të jetë e mundur dhe matni temperaturën e trupit.
2. Pini ujë ose një pije minerale pa gaz që të hidratoheni.
3. Nëse keni dhimbje muskulore të dhimbshme, zakonisht në këmbë, krahë dhe stomak, kaloni menjëherë në një vend të freskët dhe pini lëngje që përmbajnë elektrolite. Kërkoni ndihmë mjekësore nëse dhimbjet zgjasin më shumë se një orë.
4. Nëse ndonjë anëtar i familjes tuaj, ose një person të cilin po e ndihmoni, ka lëkurë të nxehtë dhe të thatë, ngërçe dhe/ose është pa ndjenja, telefononi menjëherë në 194 ose 112; Përderisa e prisni ambulancën, zhvendoseni atë në një vend të freskët dhe vendoseni në një pozicion horizontal, ngrijani këmbët në lartësi mbi 20 cm.
5. Hiqjani rrobat, bëni ftohje të jashtme, siç janë kompresat e ftohta në qafë, sqetulla dhe ijë, freskojeni vazhdimisht dhe spërkatjani lëkurën me ujë.
6. Mos i jepni terapi.
7. Nëse personi është pa ndjenja, vendoseni në një anë.
8. Këshillohuni me mjekun tuaj nëse ndjeni simptoma/shenja të pazakonta, ose nëse të njëjtat zgjasin për një kohë më të gjatë.
Duke e pasur parasysh informacionin e përcjellë Instituti i Shëndetit Publik u bën thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat e rekomanduara për mbrojtje nga stresi nga moti i nxehtë dhe t'u kushtojnë vëmendje të veçantë grupeve të cenueshme të popullatës.
Për informacion më të hollësishëm ju mund të shfletoni Planin e Veprimit për Parandalimin e Pasojave nga Valët e të Nxehtit ndaj Shëndetit të Popullatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2025 - 2030 dhe materialet informative të cilat mund t’i gjeni në uebfaqen e ISHP-së.