- 23.06.2025
REKOMANDIME SHËNDETËSORE PUBLIKE PËR MBROJTJEN E PUNONJËSVE GJATË TEMPERATURAVE TË LARTA
Për shkak të njoftimit nga Drejtoria e Punëve Hidrometeorologjike (DPH) për temperatura maksimale ditore më të larta që pritet të regjistrohen nga 24 deri më 27 qershor të vitit 2025, Instituti i Shëndetit Publik bën thirrje për respektimin e masave për mbrojtjen e shëndetit për popullatën e përgjithshme dhe grupet e cenueshme të popullatës gjatë temperaturave të larta të ambientit.
Krahas kësaj, si kategori të cenueshme konsiderohen personat që punojnë në mjedise të hapura dhe janë më të ekspozuar ndaj ndikimit të valëve të të nxehtit, ose personat që punojnë në vende pune ku ekspozohen ndaj temperaturave të larta dhe rrezatimit termik, personat që humbasin shumë lëngje trupore gjatë punës, etj., të cilët mund të jenë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve që shfaqen si pasojë e motit të nxehtë. Për shembull: punonjësit në ndërtimtari, bujqit, policia rrugore, distributorët, etj
Rekomandime për mbrojtjen e punonjësve gjatë temperaturave të larta
· Kontrollimi dhe mirëmbajtja e masave teknike dhe teknologjike si ventilimi, kondicionimi, matja e rregullt e temperaturës së ambientit dhe vendosja e vendeve të punës sa më larg të jetë e mundur nga burimet e dritës së diellit dhe nxehtësisë;
· Sigurimi i të paktën një dhome me ajër të kondicionuar për "freskim" (ku punonjësit do mund të freskohen për një kohë të caktuar gjatë orarit të punës);
· Shqyrtimi i mundësisë për punë online, orarit fleksibël të punës, punës në dy turne, kompensimit të orëve të humbura të punës dhe modaliteteve të tjera;
· Evitimi i punës në natyrë nga ora 11:00 deri në orën 17:00, pushime më të shpeshta dhe sigurimi i lëngjeve dhe elektroliteve;
· Rotacion i detyrave të punës dhe vendosja e punonjësve në mjedise më të freskëta sa herë që është e mundur. Sigurimi i një numri më të madh punonjlësish, sipas nevojës;
· Pushime më të shpeshta gjatë punës, freskimi i punonjësve duke siguruar dhoma me ajër të kondicionuar dhe konsumimi i lëngjeve dhe elektroliteve;
· Zvogëlimi i intensitetit të punës dhe normave të prodhimit;
· Evitimi i tejkalimit të orarit të punës;
· Ndërprerja e punës në rast nevoje;
· Kujdes për grupet e cenueshme të punonjësve (të moshuar, me sëmundje kronike, me mbipeshë, shtatzënat, etj.) dhe vendosja e tyre në vende pune të përshtatshme për gjendjen e tyre;
· Sigurimi i pajisjeve adekuate për mbrojtje personale dhe lejimi i heqjes së tyre gjatë pushimeve;
· Mbikëqyrje gjatë punës me kimikale për shkak të rrezikut të shtuar nga intoksikimi, parandalim i punës jashtë orarit dhe inkurajim i vetë-raportimit të simptomave.
· Ushqim ekuilibruar, konsumimi i të paktën 2 litrave ujë në ditë, shmangia e alkoolit dhe kafeinës, dhe në rast të djersitjes së shtuar edhe përdorim i elektroliteve;
· Pushim i rregullt, gjumë i mjaftueshëm, dush dhe edukim për akomodim ndaj temperaturave të larta;
· Veshja e rrobave të lehta, me ngjyrë të hapur dhe të bëra nga pambuku, mbajtja e syzeve për mbrojtje nga dielli, kapelave dhe aplikimi i kremit me faktor UV 30+ gjatë qëndrimit në natyrë;
· Dallimi e simptomave të goditjes nga të nxehtit (marramendje, lodhje, shqetësim, të vjella) dhe të qenit vigjilent për kolegët. Një punonjës me simptoma të goditjes nga të nxehtit nuk duhet lejuar të largohet nga vendi i punës derisa të stabilizohet ose të marrë trajtimin e duhur.
· Nëse vini re simptoma të goditjes nga të nxehtit, telefononi menjëherë në 194 ose 112.
· Personi në fjalë duhet zhvendosur në një dhomë të freskët, të shtrihet horizontalisht me këmbët e ngritura, të freskohet me kompresa të ftohta dhe të spërkatet me ujë;
· Nuk duhet dhënë terapi derisa të mbërrijë ndihma mjekësore;
· Nëse është pa ndjenja, të vendoset në pozicion anësor.
Ekzaminimet e jashtëzakonshme kryhen nga një specialist i mjekësisë së punës për kategoritë e cenueshme, me qëllim që të fitohet një qasje e individualizuar ndaj aftësisë së punonjësit për të punuar në kushtet e dhëna, duke marrë parasysh gjendjen e tij shëndetësore, si dhe konsultime me mjekun amë mbi terapinë e aplikuar ose nevojën për pushim mjekësor.
Sigurisht që mbetet nevoja për t’i respektuar rekomandimet e përgjithshme për mbrojtjen e popullatës nga valët e të nxehtit.
Për më shumë informacion:
Plani i Veprimit për Përballje me Valët e të Nxehtit 2025–2030
Rekomandime për mbrojtjen e shëndetit të punonjësve gjatë valëve të të nxehtit