- 25.06.2025
Dita Ndërkombëtare kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Paligjshëm të Drogës
26 QERSHOR 2025 – TEMA: DËSHMITË JANË TË QARTA: INVESTONI NË PARANDALIM. NDËRPRITNI CIKLIN.
Me rezolutën 42/112 nga data 7 dhjetor e vitit 1987 Asambleja e Përgjithshme vendosi që ta shënojë 26 qershorin si Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Paligjshëm të Drogës, si shenjë të vendosmërisë së saj për ta përforcuar veprimin dhe bashkëpunimin drejt arritjes së qëllimit për një shoqëri ndërkombëtare pa abuzim me drogën.
Me mbështetje nga individë, komunitete dhe organizata të ndryshme në të gjithë botën, ky shënim global për çdo vit ka për qëllim të ngrejë ndërgjegjësimin për problemin e madh që drogat e paligjshme e paraqesin për shoqërinë.
Problemi global me drogën është një sfidë të shumëllojshme që prek jetën e miliona njerëzve në mbarë botën. Duke filluar nga individët që luftojnë me çrregullimet si pasojë e përdorimit të substancave e deri te komunitetet që përballen me pasojat e trafikimit të drogës dhe krimit të organizuar, ndikimi i drogës është i gjerë dhe kompleks. Në qendër të përballjes me këtë sfidë është imperativi për të miratuar një qasje shkencore të bazuar në prova që i jep përparësi parandalimit dhe trajtimit.
Dita Ndërkombëtare kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Paligjshëm të Drogës, ose Dita Botërore e Drogës, shënohet çdo vit më 26 qershor për ta përforcuar veprimin dhe bashkëpunimin në arritjen e një bote pa abuzim me drogën. Dita Botërore e Drogës këtë vit bën thirrje për investime në parandalim, duke përfshirë drejtësinë, arsimin, mbrojtjen shëndetësore dhe mjetet alternative të jetesës - elementet kryesore për një rezistencë të qendrueshme.
Fushata e këtij viti, "Ndërpreje Ciklin. #StopOrganizedCrime“ e thekson nevojën për veprime të koordinuara dhe afatgjata për ta ndërprerë ciklin e krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës – nëpërmjet trajtimit të shkaqeve rrënjësore, investimeve në parandalim dhe nëpërmjet ndërtimit të sistemeve më të fuqishme shëndetësore, arsimore dhe sociale.
Instituti i Shëndetit Publik në vazhdimësi zbaton hulumtime lidhur me përdorimin e drogës, që kanë për qëllim ndjekjen e trendeve aktuale sa i përket përdorimit të drogës, modeleve të përdorimit, sjelljeve dhe rreziqeve të reja. Gjetjet e këtyre hulumtimeve nxjerrin në pah përdorimin e përhapur të kanabisit, përdorimin në rritje të kokainës, ndikimin në rritje të tregjeve online të drogës dhe stigmën e vazhdueshme që e rrethon përdorimin e drogës, e cila paraqet një pengesë për ta diskutuar hapur këtë temë dhe në qasjen në trajtim.
Në vitin 2024 IShP për herë të dytë e zbatoi hulumtimin evropian online për drogat me personat të cilët kishin përdorur drogë në 12 muajt e fundit, si dhe hulumtimin ESPAD (Projekti Evropian për hulumtim në shkolla për alkoolin dhe droga të tjera) të dedikuar për nxënës të moshës 15 dhe 16 vjet. Ky hulumtim paraqet një mënyrë shumë të mirë për ndjekjen e trendeve të përdorimit të duhanit, alkoolit dhe drogës, nëse ka një rritje apo rënie të tyre, si dhe për krahasim të ndërsjellë me vendet evropiane.
Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve