• 09.07.2025

REKOMANDIME PËR MBROJTJE NGA SËMUNDJET GJATË UDHËTIMIT


Fillimi i sezonit të verës dhe motit të ngrohtë është koha kur të gjithë i planifikojmë pushimet verore. Ata që do të vendosin që pushimet e tyre verore t’i kalojnë jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet ndaj shëndetëtit dhe mënyrat për t'i parandaluar ato. Pa dallim se ku shkoni - zona malore, plazhe apo qytete të zhurmshme - filloni aventurën tuaj të përgatitur.

 

Para se të niseni:

Ndani pak kohë për t'u njohur me destinacionin drejt të cilit do të udhëtoni. Edhe nëse e keni të njohur tashmë vendin, mund të ketë rreziqe të reja dhe të rëndësishme shëndetësore që mund ta prishin udhëtimin tuaj.

Kontaktoni Qendrën e Shëndetit Publik përgjegjëse për vendin ku jetoni për të marrë informacion nëse keni nevojë për ndonjë medikament ose për ndonjë vaksinë shtesë për destinacionin drejt të cilit do të udhëtoni.

Gjithashtu, nëse bëni pjesë në grupin e personave që kanë sëmundje kronike (sëmundje respiratore, zemrës, mëlçisë, veshkave, diabet, imunitetit të komprometuar), kërkoni këshilla nga mjeku juaj amë ose specialisti, i cili do të bëjë një vlerësim të rrezikut gjatë udhëtimit.

Gjatë udhëtimit:

Konsumoni ujë dhe ushqim të sigurt.

· Konsumoni vetëm ushqim që është i gatuar mirë dhe që shërbehet menjëherë (i ngrohtë).

· Konsumoni fruta dhe perime që i keni larë me ujë të sigurt ose i keni qëruar vetë.

· Konsumoni ujë ose pije të gazuara që janë në shishe dhe të mbyllura, ose kafe ose çaj shumë të nxehtë.

· Përdorni akull të bërë nga ujë i ambalazhuar ose i dezinfektuar.

· Lani duart shpesh dhe tërësisht me sapun dhe ujë.

 

Ushqimet ose pijet e kontaminuara mund të shkaktojnë diarre dhe sëmundje të tjera të zorrëve. Diarreja gjatë udhëtimit është sëmundja më e shpeshtë që lidhet me udhëtimet.

Në linkun në vazhdim mund ta gjeni fletushkën me informacion për ushqimin dhe ujin e sigurt.

 

1-USHQIMI I SIGURT

 

2- LARJA E DUARVE

 

Parandaloni pickimet e insekteve. Përdorimi i repelentëve mund t'ju mbrojë nga sëmundjet serioze që përhapen nga pickimet e mushkonjave, siç janë Ethet e Nilit Perëndimor, Zika, Denga, Chikungunya, Ethet e Verdha dhe Malaria.

Nëse udhëtoni në zona malore, qëndroni në pyje ose zona me bar, mbroni veten nga pickimet e rriqrave që mund të transmetojnë sëmundje serioze: ethet hemorragjike, ethet Lyme, etj. 

· Përdorni repelentë me një nga përbërësit aktivë të mëposhtëm: DEET, pikaridin, IR3535, vaj eukalipti limoni, para-mentan-diol ose 2-undekanon.

· Fillimisht përdorni kremin mbrojtës nga dielli, pastaj repelentin. Ndiqni udhëzimet në etiketë.

 

Në linqet në vazhdim mund të gjeni më shumë informacion dhe këshilla praktike për mbrojtjen e udhëtarëve nga pickimet e mushkonjave dhe rriqrat.

3- Këshilla praktike për mbrojtjen e udhëtarëve nga pickimet e mushkonjave

4- Këshilla praktike për mbrojtjen e udhëtarëve nga pickimet e rriqrave

Nëse udhëtoni drejt një vendi ekzotik në Lindjen e Mesme, sidomos në Arabinë Saudite, ku vazhdimisht regjistrohen raste me MERS CoV, atëherë:

· Evitoni kontaktin e ngushtë me njerëzit që shfaqin simptoma të sëmundjeve respiratore (sidomos në mjediset spitalore!).

· Mbani higjienë të mirë respiratore dhe higjienë të rregullt të duarve.

· Rekomandohet të konsumoni vetëm qumësht dhe mish të përpunuar termikisht, si dhe fruta dhe perime të lara ose të qëruara mirë.

Më shumë informacion në lidhje me Sindromën Respiratore të Lindjes së Mesme (MERS CoV) mund të gjeni në linkun në vazhdim.

 

 

5- Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (MERS CoV).

 

 

Për momentin epidemi të fruthit ka në shumë destinacione të njohura - mos udhëtoni të pambrojtur!

Instituti i Shëndetit Publik u rekomandon të gjithë udhëtarëve që të kontrollojnë të dhënat e vaksinimit të tyre dhe ato të fëmijëve të tyre për t'u siguruar që janë vaksinuar plotësisht sipas Kalendarit të Imunizimit, me dy doza të vaksinës kundër fruthit, ose sipas moshës.

Më shumë informacion rreth fruthit mund të gjeni në linkun në vazhdim.

6- FRUTHI

 

Mpox është një zoonozë virale (virus që transmetohet nga kafshët te njerëzit) me simptoma shumë të ngjashme me ato të lisë, edhe pse për nga pasqyra klinike është një sëmundje më pak e rëndë. Nga muaji janar i vitit 2022 dhe muajit gusht të vitit 2024 raste me Mpox kanë raportuar më shumë se 120 vende, me mbi 100.000 raste të konfirmuara në laborator dhe mbi 220 vdekje në mesin e rasteve të konfirmuara.

Nga një person tek një tjetër Mpox përhapet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë me një person të infektuar, përfshirë këtu edhe anëtarët e familjes. Me kontakt të ngushtë nënkuptohet kontakti lëkurë me lëkurë (prekje ose marrëdhënie seksuale) dhe kontakti mukozë me mukozë ose lëkurë me mukozë (puthje), si dhe transmetimin nga një person tek tjetri gjatë të folurit ose gjatë marrjes frymë në afërsi të njëri-tjetrit, nëpërmjet spërklave infektive respiratore.

7- MPOX

Bazuar në të dhënat e disponueshme, në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së/EEA-së po regjistrohen nivele të ulëta (ndërsezonale) të aktivitetit të viruseve respiratore. Është vënë re rritje e indikatorëve të aktivitetit të SARS-CoV-2 në shumë vende, edhe pse aktiviteti i përgjithshëm mbetet i ulët.

Gjatë periudhës së fundit vazhdimisht është regjistruar një shkallë e ulët pozitiviteti. Shkalla e ulët e transmetimit të SARS-CoV-2, zvogëlimi i rasteve të raportuara dhe numri i vogël i mostrave për testim kanë ndikuar në aftësinë për vlerësimin me saktësi të situatës epidemiologjike. Variantet që qarkullojnë aktualisht nuk ka gjasa të shoqërohen me ndonjë ashpërsi të shtuar të infeksionit krahasuar me variantet që qarkullonin më parë.

Popullata e BE-së/EEA-së në përgjithësi ka një nivel të konsiderueshëm të imunitetit të fituar përmes infeksioneve paraprake, si dhe vaksinimit/dozave përforcuese, të cilat ofrojnë mbrojtje kundër formave të rënda të sëmundjeve.

Personat në moshë mbi 60 vjet janë më të rrezikuar nga format e rënda të sëmundjeve.

Rekomandohet ndjekja e masave themelore për parandalimin e COVID-19 dhe sëmundjeve të tjera infektive respiratore.

Vaksinimi mbetet një masë konkrete preventive që ofron mbrojtje kundër formave të rënda të sëmundjes, edhe pse ky efekt mbrojtës me kalimin e kohës bie. Vaksinimi edhe më tej rekomandohet për njerëzit me rrezik të lartë (siç janë të moshuarit) nga format e rënda të sëmundjes dhe pasojat e rënda dhe fatale të saj.

Pas kthimit nga udhëtimi:

Nëse nuk ndiheni mirë dhe keni ndonjë simptomë që mund ta lidhni me ndonjë nga sëmundjet e lartpërmendura, kërkoni menjëherë ndihmë dhe këshillë nga mjeku!

Në këtë mënyrë do të mundësoni diagnostikimin dhe trajtimin në kohë të sëmundjes dhe do ta zvogëloni mundësinë e transmetimit të mëtejshëm të sëmundjes tek të tjerët.

 

Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve infektive

Instituti i Shëndetit Publik