• 06.10.2025

TETORI - MUAJI I NDËRGJEGJËSIMIT PËR KANCERIN E GJIRIT


Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë i diagnostikuar tek gratë në mbarë botën, që përbën 25% të të gjitha rasteve dhe është një nga shkaqet kryesore të vdekjes (14%). Gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit përbëjnë 36% të të gjitha pacienteve me kancer. Në vitin 2022 janë regjistruar rreth 2,3 milion gra të diagnostikuara me kancer të gjirit dhe 670.000 raste të vdekjes në nivel global. Kanceri i gjirit ndodh në çdo vend të botës tek gratë e çdo moshe pas pubertetit, por me një rritje të rasteve në vitet e mëvonshme të jetës. Vlerësimet globale zbulojnë pabarazi domethënëse në ngarkesën e kancerit të gjirit sipas zhvillimit njerëzor. Për shembull, në vendet me një Indeks shumë të lartë të Zhvillimit Njerëzor (HDI), 1 në 12 gra do të diagnostikohet me kancer të gjirit gjatë jetës së tyre, ndërsa 1 në 71 gra do të vdesë nga kjo sëmundje. Këtu bën pjesë Belgjika, Danimarka, Holanda, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar. Shkallët më të ulëta janë regjistruar në rajonet afrikane dhe të Azisë Juglindore. Në këto rajone, 1 në 27 gra do të diagnostikohet me kancer të gjirit gjatë jetës së tyre, ndërsa 1 në 48 gra do të vdesë prej tij. Për shembull, tek gratë japoneze që emigrojnë në Shtetet e Bashkuara rreziku nga kanceri i gjirit fillon t’i afrohet atij të grave të cilat jetojnë në atë vend, gjë që tregon se edhe faktorët e mjedisit jetësor luajnë një rol kyç.

Çfarë është kanceri i gjirit?
Kanceri i gjirit është një sëmundje malinje që shfaqet kur qelizat normale të gjirit i ndryshojnë vetitë e tyre dhe fillojnë të rriten në mënyrë të pakontrolluar, të shumohen dhe t’i shkatërrojnë indet e shëndetshme përreth. Këto qeliza të modifikuara mund të arrijnë deri tek enët limfatike dhe/ose të gjakut, duke e përhapur kështu sëmundjen në pjesë të tjera të trupit. Kanceri i gjirit është lloji më i shpeshtë i kancerit tek gratë dhe një problem i rëndësishëm i shëndetit publik. Kanceri i gjirit është shkaku i tretë kryesor i vdekjes nga kanceri tek gratë, pas kancerit të mushkërive dhe kancerit të zorrës së trashë.
Kush mund të preket nga kanceri i gjirit? 
Kanceri i gjirit më shpesh i prek gratë mbi moshën pesëdhjetë vjeçare, por mund të shfaqet edhe tek gratë më të reja, dyzetë, tridhjetë dhe njëzetë vjeçare. Edhe meshkujt mund të preken nga kanceri i gjirit, por shumë më rrallë se gratë. Një përqind e të gjitha rasteve të regjistruara të kancerit të gjirit janë tek meshkujt. Cilat janë shkaqet dhe faktorët e rrezikut për kancerin e gjirit? Një numër i madh i studimeve epidemiologjike tregojnë se ekzistojnë disa faktorë rreziku të njohur që padyshim lidhen me zhvillimin e kancerit të gjirit.
Kush është i rrezikuar? 
Faktori më i madh i rrezikut për kancerin e gjirit është gjinia. Rreth 99% e të prekurve janë gra dhe vetëm 0,5–1% janë meshkuj. Trajtimi i kancerit të gjirit tek meshkujt bëhet sipas të njëjtave parime trajtimi si tek gratë.
 
Faktorët që e rrisin rrezikun nga kanceri i gjirit janë: 
• mosha, 
• predispozita gjenetike për kancer të gjirit, 
• fillimi i menstruacioneve para moshës 12 vjeçare, 
• menopauza pas moshës 50 vjeçare, 
• moslindja e fëmijëve ose lindja e fëmijëve në moshë mbi 30 vjeçare, 
• përdorimi i terapisë hormonale, 
• indi i ngjeshur i gjirit, 
• rastet e kancerit të gjirit dhe/ose vezorëve tek të afërmit, 
• sëmundje paraprake e kancerit të gjirit. 
 
Rritja e rrezikut të kancerit të gjirit lidhet me zakone dhe stile jetese të caktuara që konsiderohen të pashëndetshme, por që mund të parandalohen 
• ushqimi i pashëndetshëm (përmbajtje e lartë e yndyrës dhe sheqerit në ushqim),
• mbipesha,
• konsumi i tepërt i alkoolit,
• pirja e duhanit,
• mungesa e aktivitetit fizik,
• ekspozimi ndaj rrezatimit radioaktiv.
 
Kur duhet të bëhet mamografi dhe ekografi e gjirit? 
Mamografia është një kontroll rentgeni i gjinjve me ndihmën e të cilit zbulohen tumoret dhe ndryshimet e tjera në gji që janë shumë të vogla për t'u ndjerë. Është dëshmuar se mamografia i zbulon ndryshimet në gji rreth dy vjet para ato të mund të zbulohen me kontroll klinik bazuar në shfaqjen e simptomave ose një gunge të prekshme. Mamografia kryhet tek gratë që kanë menstruacione mes ditës së pestë dhe të dhjetë të ciklit, duke e llogaritur nga dita e parë e ciklit të fundit. Edhe pse mamografia është një test jashtëzakonisht i vlefshëm dhe i domosdoshëm për zbulimin e sëmundjes në fazat e saj të hershme, duhet theksuar se mamografia nuk mund të zbulojë 15-20% të kancerit të gjirit, sidomos tek gjinjtë me një strukturë të dendur gjëndrore. Çdo grua duhet ta bëjë mamografinë e saj të parë midis moshës 38 dhe 40 vjeçare, ndërsa pastaj një herë në vit ose në çdo dy vjet. Tek gratë me histori familjare të kancerit të gjirit, rekomandohet që kontrollet e rregullta të fillojnë më herët. Krahas mamografisë, ekografia rrit ndjeshëm saktësinë e diagnostikimit të sëmundjeve beninje dhe malinje të gjirit. Është një metodë e kontrollit të gjirit tek gratë më të reja dhe një metodë ndihmëse e rëndësishme që pastaj mund të shoqërohet me mamografi. Tek gratë nën 40 vjet në përgjithësi nuk rekomandohet mamografia si një kontroll rutinë. Në këtë grupmoshë një herë në vit mund të bëhet një ekografi i gjirit. Por, tek gratë tek të cilat dyshohet për sëmundje malinje të gjirit, mamografia duhet të bëhet në një moshë edhe më të re.
Edhe pse këto teste janë me vlerë, saktësia e tyre është shpesh më e ulët se teknikat moderne si PET/CT ose PET/MR, të cilat ofrojnë ndjeshmëri dhe specifikim më të madh. PET/MR mundëson vlerësimin e njëkohësishëm të të gjithë trupit me një dozë më të ulët të rrezatimit jonizues sesa PET/CT.
Çfarë është vetëkontrolli i gjirit? 
Vetëkontrolli i gjirit është një procedurë që i mundëson një gruaje t’i kontrollojë vetë gjinjtë e saj. Gjatë kryerjes së një vetëkontrolli, një vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet shenjave të mëposhtme: gjetja e një gunge gjatë prekjes, trashja e gjirit, zmadhimi i njërit gji, çdo ndryshim në lëkurën e thithave dhe gjinjve, rrjedhje nga thithat, dhimbje në gji, ndryshime në nënsqetulla. Nëse një grua vëren ndonjë nga simptomat e mësipërme, menjëherë duhet të konsultohet me një mjek.
Kur bëhet vetëkontrolli i gjirit? 
Vetëkontrolli i gjirit rekomandohet një herë në muaj, mundësisht disa ditë pas përfundimit të ciklit, ndërsa nëse një grua nuk ka më cikël mujor, mirë është që të caktojë një ditë të muajit kur do ta bëjë atë. Rregullshmëria është shumë e rëndësishme, kështu që është mirë të zgjidhni një datë fikse çdo muaj për të bërë një vetëkontroll. Kjo ndihmon me qëndrueshmërinë dhe e bën më të lehtë vënien re të çdo ndryshim në gji. Në çfarë moshe duhet të fillohet me vetëkontroll të gjirit është një temë shumë e rëndësishme për gratë që kujdesen për shëndetin e tyre. Vetëkontrolli i gjirit rekomandohet që të fillohet që në kohën e menstruacioneve të para, në mënyrë që gjatë rritjes së gjirit vajzat të njihen me anatominë e tyre dhe në të ardhmen të jenë në gjendje t’i ndjekin të gjitha ndryshimet që ndodhin. Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit luan një rol kyç në trajtimin e suksesshëm. Kombinimi i vetëkontrollit të rregullt me metoda të tjera të skriningut si ekografia, mamografia, kontrolli mjekësor dhe rezonanca magnetike rrit gjasat për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Sa më herët të zbulohet kanceri i gjirit, aq më të mëdha janë mundësitë për një trajtim më të shpejtë dhe më të suksesshëm. Vetëkontrolli i gjirit duhet të bëhet pjesë integrale e rutinës së çdo gruaje. Me vetëkontrollin gratë mund të vënë re ndryshime në madhësinë dhe formën e gjinjve të tyre, si dhe gunga ose simptoma të tjera. Me pak fjalë, vetëkontrolli i gjirit është çelësi për zbulimin e kancerit të gjirit në një fazë të hershme. Vetëkontrolli i rregullt luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit të gjirit dhe uljen e rrezikut të ndërlikimeve që ndoshin si pasojë e kancerit të gjirit.
Vetëkontrolli i gjirit në pesë hapa 
1. Kontrolli vizual i gjirit para pasqyrës 
Filloni vetëkontrollin e gjirit para pasqyrës për t’i kontrolluar vizualisht tiparet e jashtme të gjinjve tuaj. Qëndroni me krahët anash dhe kushtojini vëmendje madhësisë, formës dhe ngjyrës së gjinjve tuaj. Duke e kryer këtë hap rregullisht ju do të njiheni me anatominë e gjinjve tuaj dhe do të jeni në gjendje të vini re çdo parregullsi. Gjatë ekzaminimit vizual kërkoni simptomat e mëposhtme:
- gjinjtë nuk duhet të jenë të trashur ose të rrudhur, lëkura nuk duhet të duket si lëkurë portokalli,
- thithat nuk duhet të jenë të tërhequra kah brenda ose të rrafshta me lëkurën,
- lëkura nuk duhet të ketë skuqje, gunga të dukshme ose ndryshime në ngjyrë,
- gjinjtë nuk duhet të jenë të dhimbshëm, përveç gjatë ciklit menstrual.
Nëse vini re ndonjë nga këto simptoma, e rëndësishme është që ta kontaktoni mjekun tuaj për këshilla profesionale dhe udhëzime të mëtejshme. 
2. Kontrolli vizual i gjirit para pasqyrës me krahë të ngritur
Ngrini krahët lartë dhe analizoni me kujdes gjinjtë tuaj për të parë të njëjtat ndryshime si në hapin e parë, duke përfshirë këtu formën, madhësinë, strukturën e lëkurës dhe shenja të tjera. 
3. Kontrolli i thithave 
Duke qëndruar para pasqyrës, shtypni butësisht thithin për të parë nëse ka rrjedhje. Ajo mund të jetë e lëngët, me qumësht, e verdhë ose me gjak. 
4. Kontrolli i gjinjve në pozicion të shtrirë 
Prekni gjinjtë përderisa qëndroni të shtrirë për të parë nëse ka ndonjë gungë ose anomali që nuk e keni vënë re më parë. Përdorni dorën e djathtë për ta kontrolluar gjirin e majtë dhe dorën e majtë për ta kontrolluar gjirin e djathtë. Filloni me lëvizje të buta, sipërfaqësore dhe vazhdoni me lëvizje më intensive dhe më të thella duke i përdorur majat e tre gishtërinjve të mesëm, duke i mbajtur të sheshtë dhe të bashkuar. Vendosni dorën në anën e gjirit që po e kontrolloni, poshtë kokës. Kontrolloni gjirin me lëvizje rrethore, duke filluar nga pjesa e sipërme nën klavikulë, përmes pjesës së jashtme (aksilare), pjesës së poshtme dhe pjesës së brendshme drejt vijës së qafës. Bëni një rreth me gishtat rreth skajit të gjirit. Vazhdoni me lëvizje rrethore, duke bërë rrathë gjithnjë e më të vegjël në të njëjtin drejtim drejt thithit, të cilin do e kontrolloni gjithashtu. Kujdesuni që ta kontrolloni të gjithë gjirin. Mund ta filloni vetëkontrollin nga thithi, duke lëvizur në rrathë gjithnjë e më të mëdhenj deri në skajin e jashtëm të gjirit.
5. Kontrolli i gjirit në pozitë të ulur ose në këmbë
Në fund fare të vetëkontrollit prekni gjinjtë tuaj duke qëndruar në pozitë të ulur ose në këmbë. Kontrolloni të gjithë gjirin duke i përdorur të njëjtat lëvizje të duarve dhe metodat e përshkruara në hapin e mëparshëm. Nëse është më e lehtë për ju, përdorni vaj ose kremë për lëkurë në gjinjtë tuaj, ose nëse jeni në vaskë, lyeni ato me shkumë. 
Diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit përmirëson mundësinë për trajtim të suksesshëm dhe e përmirëson cilësinë e jetës.
 
Përgatiti dhe përktheu: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve