- 17.10.2025
Dita Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë -17 Tetori, 2025
Dita Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë është një përkujtim vjetor se fundi i varfërisë nuk ka të bëjë vetëm me të ardhurat e ulëta, por edhe me dinjitetin, drejtësinë dhe përkatësinë.
Me rezolutën 47/196 të 22 dhjetorit të vitit 1992, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e miratoi 17 Tetorin si Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë.
Fokusi i kësaj dite në vitin 2025 është një temë e fuqishme: "T’i japim fund abuzimit social dhe institucional duke siguruar respektim dhe mbështetje efektive për familjet". Qëllimi është i thjeshtë, por urgjent: së pari të ndërtohen institucione që i ndihmojnë familjet të qëndrojnë së bashku, të lulëzojnë dhe ta formësojnë të ardhmen e tyre. Familjet që jetojnë në varfëri shpesh përballen me sfida të mëdha, stigmë, kontroll dhe sisteme që janë më të prirura të ndëshkojnë sesa të mbështesin. Në të gjithë botën, prindërit - veçanërisht nënat vetëushqyese, familjet indigjene dhe ata nga grupe historikisht të diskriminuara - raportojnë përvoja të përditshme gjykimi dhe kontrollimi në vende që janë të destinuara për të ndihmuar: shkolla, klinika, zyra për mbrojtjen e fëmijëve, agjenci për ndihmë sociale. Këto ndërveprime shpesh e minojnë besimin, veprimin, e madje mund të kenë si rezultat ndarjen e familjes për shkak të varfërisë, me dëmtime të përhershme emocionale dhe sociale si për fëmijët ashtu edhe për prindërit.
Tema e vitit 2025 bazohet në konsultimet globale me njerëz që kanë përvojë me varfërinë dhe me organizatat që punojnë me ta. Ajo na bën thirrje të gjithëve - politikëbërësve, praktikuesve dhe komuniteteve – t’i dëgjojmë familjet, t’i njohim përpjekjet e tyre dhe t’i transformojmë sistemet e mbështetjes në mënyrë që ato të ndërtohen mbi besim, respekt dhe bashkëpunim.
Si t'i japim fund "abuzimit"?
Abuzimi social dhe institucional nuk kufizohet vetëm në disa aktorë; ai shpesh është i inkorporuar në rregulla dhe rutina. Si shembuj mund të përmendim mbikëqyrjen e imponuar të familjeve, kontrollet e vështira të përshtatshmërisë, takimet poshtëruese me ofruesit e shërbimeve ose programet me burime të pamjaftueshme që zakonisht nuk ofrojnë mbështetje të plotë. Rezultat i kësaj është një klimë frike dhe turpi që mund t'i pengojë familjet të kërkojnë ndihmë që në fillim. Për të ndryshuar kursin, tema e Ditës bën thirrje për tre ndryshime:
1. Nga kontrolli deri te kujdesi: Hartoni shërbime të besueshme. Ulni kushtëzimet ndëshkuese, thjeshtoni dokumentacionin dhe prioritizoni respektin e ndërsjellë të përqendruar tek personi.
2. Nga mbikëqyrja deri tek mbështetja: Ribalanconi investimet nga monitorimi dhe heqja te shërbimet për përforcimin e familjes: mbështetje për të ardhura, kujdes cilësor për fëmijët, strehim adekuat, kujdes për shëndetin mendor, mbështetje për prindërit dhe qasje në drejtësi.
3. Zgjidhje të dizajnuara nga lart poshtë: Përfshini familjet që jetojnë në varfëri në çdo fazë përmes vlerësimit, hartimit, buxhetimit, zbatimit dhe vlerësimit - në mënyrë që politikat t’i pasqyrojnë nevojat reale të familjeve.
Mbështetja e familjeve është thelbësore për arritjen e Qëllimeve për Zhvillim të Qendrueshëm (QZHQ):
• Pa varfëri (QZHQ 1);
• Zero uri (QZHQ 2);
• Shëndet i mirë dhe mirëqenie (QZHQ 3);
• Arsim cilësor (QZHQ 4);
• Barazi gjinore (QZHQ 5);
• Punë e dinjitetshme dhe mbrojtje sociale (QZHQ 8);
• Zvogëlim i pabarazive (QZHQ 10) dhe
• Paqe, drejtësi dhe institucione të fuqishme (QZHQ 16).
Politikat koherente në mbrojtjen sociale, arsim, shëndetësi, strehim dhe punësim - të hartuara dhe të zbatuara së bashku - krijojnë kushte në të cilat familjet mund të qëndrojnë së bashku dhe fëmijët mund të lulëzojnë. Këtë vit kjo Ditë shënohet vetëm disa javë para Samitit të Dytë Botëror për Zhvillimin Social (Doha, 4-6 nëntor 2025), ku qeveritë, shoqëria civile dhe partnerët do të përqendrohen në zhvillimin e përqendruar te njerëzit dhe zgjidhjet praktike për ta përshpejtuar progresin social. Thirrja për një ditë për t’i respektuar, mbrojtur dhe mbështetur familjet është një kontribut jetësor në atë agjendë - duke ndihmuar që angazhimeve të kthehen në ndryshime konkrete dhe të matshme.
Përktheu dhe redaktoi - Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve