- 12.12.2025
Dita Botërore e Mbulimit Shëndetësor Universal, 12 Dhjetor 2025

Dita Botërore e Mbulimit Shëndetësor Universal 2025 e përqendron vëmendjen tek barra e rëndë dhe pasojat serioze që i shkaktojnë shpenzimet e papërballueshme dhe tepër të larta të shërbimeve shëndetësore , si për individët ashtu edhe për komunitetet. Pavarësisht angazhimeve të shumta politike dhe deklaratave ndërkombëtare për arritjen e mbulimit shëndetësor universal deri në vitin 2030, realiteti është shqetësues: më shumë se gjysma e popullatës së botës ende nuk ka qasje në shërbimet shëndetësore thelbësore.
Për më tepër, një në katër persona përballet me vështirësi financiare gjatë pagesave për shërbimet shëndetësore nga xhepi i vet , gjë që shpesh nënkupton zgjedhje mes shëndetit dhe nevojave të tjera themelore si ushqimi, strehimi apo arsimi.
Mbulimi shëndetësor universal nuk është vetëm një politikë shëndetësore, ai është një parakusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet social. Shoqëritë me qytetarë më të shëndetshëm janë më rezistente ndaj krizave, më produktive dhe më të suksesshme. Kur njerëzit e shmangin ose e shtyjnë përdorimin e mbrojtjes shëndetësore për shkak të shpenzimeve të larta , kjo ka si pasojë përkeqësimin e shëndetit, rritjen e barrës së sëmundjeve dhe pasoja ekonomike afatgjata për familjet dhe komunitetet.
Në këtë kontekst Organizata Botërore e Shëndetësisë bën thirrje për veprim të menjëhershëm: përforcimin e masave për mbrojtje financiare, reduktimin dhe eliminimin gradual të pagesave të drejtpërdrejta për shërbimet shëndetësore dhe sigurimin e qasjes së drejtë për kategoritë më të cenueshme : personat me të ardhura të ulëta, me sëmundje kronike, si dhe personat që përballen me forma të ndryshme të cenueshmërisë sociale.
Prandaj, Dita e Mbulimit Shëndetësor Universal përfaqëson një pikë globale mobilizimi që ua kujton qeverive se deklaratat duhet të shndërrohen në politika, masa dhe investime reale. Slogani i këtij viti, "Shpenzime të larta shëndetësore? Mjaft më!" , e pasqyron shqetësimin dhe pakënaqësinë në rritje të njerëzve në mbarë botën që përballen me sfida të tilla. Për miliona familje ky është një realitet i përditshëm që e thellon varfërinë dhe e rrit pabarazinë sociale. Kjo ditë na kujton se pas çdo shifre qëndron një jetë njerëzore dhe se shëndeti është një e drejtë, jo një privilegj.
Shërbimet shëndetësore të papërballueshme i detyrojnë familjet të zgjedhin mes kujdesit mjekësor dhe nevojave të tjera thelbësore të jetës , duke lënë kështu pasoja të përhershme , nga ulja e produktivitetit deri te çrregullimi i stabilitetit social dhe ekonomik. Në të kundërt, investimet në mbulimin universal shëndetësor , veçanërisht përmes përforcimit të mbrojtjes shëndetësore primare mundësojnë rezultate më të mira shëndetësore , kohezion më të madh social dhe reduktim të pabarazive.
Gjendja në Republikën e Maqedonisë
Sistemi shëndetësor në Maqedoni ofron një paketë shërbimesh bazë relativisht gjithëpërfshirëse, ndërsa sigurimi i detyrueshëm shëndetësor mbulon më shumë se 90% të popullatës. Kjo përbën një bazë të rëndësishme për arritjen e përparimit drejt mbulimit shëndetësor universal.
Edhe pse pjesa më e madhe e shërbimeve në nivelin primar janë pa pagesë, participimi për kontrollet specialistike, trajtimin spitalor dhe barnat paraqesin një barrierë për qasjen në shërbimet shëndetësore.
Në dekadën e fundit vihet re një ulje e nevojave shëndetësore të paplotësuara për arsye financiare, por ato mbeten të larta te personat me të ardhura të ulëta. Në të njëjtën kohë, sistemi informatik "Termini Im" e ka përmirësuar shumë efikasitetin e caktimit të kontrolleve dhe shërbimeve për diagnostikim, përsëri roli i tij në mbrojtjen shëndetësore primar mund të përforcohet edhe më shumë për të siguruar qasje më të madhe dhe vazhdimësi të kujdesit.
Përveç barrierave financiare, vendi përballet edhe me sfida serioze strukturore: rënien e shkallës së imunizimit te fëmijët, uljen e jetëgjatësisë për shkak të pandemisë, barrën e lartë të sëmundjeve joinfektive , prevalencën e lartë të duhanpirjes, si dhe emigrimin dhe plakjen e punonjësve shëndetësorë. Këta faktorë e vështirësojnë më tej sigurimin e mbrojtjes shëndetësore të drejtë, të qasshme dhe cilësore për të gjithë qytetarët.
Thirrje për veprim të përbashkët
Veprimi i përbashkët, koordinimi dhe kuptimi i nevojave lokale janë qenësore për arritjen e mbulimit shëndetësor universal. Secili e ka rolin e vet në krijimin e ndryshimeve të rëndësishme - institucionet, komunitetet, qytetarët. Vetëm nëse veprojmë të bashkuar, mbulimi universal shëndetësor mund të bëhet realitet për të gjithë.
Le të jetë kjo ditë një nxitje për të gjithë liderët që ta vendosin barazinë shëndetësore në qendër të politikave kombëtare. Mbulimi shëndetësor universal nënkupton qasje në shërbimet shëndetësore për të gjithë , pavarësisht nga të ardhurat, vendbanimi, pozita sociale apo gjendja shëndetësore. Prandaj, përparimi drejt mbulimit shëndetësor universal do të thotë përparim drejt shoqërive më të drejta, më gjithëpërfshirëse dhe më rezistente që nuk lënë askënd prapa.
Burimi: OBSH
Përgatiti: Departamenti për promovimin e shëndetit dhe ndjekjen e sëmundjeve