• 18.12.2025

Masat për reduktimin e ndotjes së ajrit dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit


 

Masat që duhen ndërmarrë klasifikohen në disa grupe:

  • Masat administrative – ekzistimi dhe zbatimi i akteve ligjore dhe nënligjore që e rregullojnë këtë problematikë, duke filluar nga përcaktimi i vlerave kufitare për materiet ndotëse deri te krijimi dhe mirëmbajtja e sistemit të monitorimit. Legjislacioni kombëtar në Republikën e Maqedonisë së Veriut është mjaft i harmonizuar me atë evropian; mbetet vetëm zbatimi i qëndrueshëm i asaj që është shkruar dhe i detyrimeve.
  • Masat urbanistike – planifikimi dhe shfrytëzimi i duhur i hapësirës me krijimin e sipërfaqeve të reja të gjelbra urbane dhe mirëmbajtjen e tyre, kontrolli i ndërtimit, ndërtimi i qarkoreve (unazave) dhe riorientimi i komunikacionit jashtë qyteteve, mirëmbajtja e pastërtisë komunale, sigurimi i infrastrukturës për përdorim më të madh të biçikletave dhe ecjes.
  • Inkurajimi i përdorimit të transportit publik dhe modaliteteve të tjera të transportit – prezantimi i trolejbusit, tramvajit ose automjetit urban me shina ku është e mundur, automjete hibride për transport publik, stimulimi i përdorimit të biçikletave dhe de-stimulimi i udhëtimit me makina.
  • Masat industriale dhe tekniko-teknologjike – zbatimi i qëndrueshëm i dispozitave në lejet ekologjike të integruara A dhe B të instalimeve industriale dhe përmirësimi i kontrollit inspektues, prezantimi i teknologjive për djegie të përmirësuar në instalime dhe aplikimi i teknologjive moderne për pastrimin e gazrave dhe grimcave.
  • Masat ekonomike – sigurimi i mjeteve nga pushteti qendror, por edhe nga autoritetet lokale, për aplikimin e masave për efikasitet energjetik (dritare të reja, soba më efikase, sisteme termike me shfrytëzimin e energjisë diellore), blerjen e biçikletave, kondicionerëve inverter, investime për një transport publik më të mirë, etj.
  • Masat për amvisëritë – promovimi i burimeve të rinovueshme të energjisë dhe inkurajimi i efikasitetit energjetik në amvisëri, blerja e lëndëve djegëse më ekologjike si peletet, inkurajimi i pastrimit të oxhaqeve, asgjësimi i duhur i mbetjeve të ngurta.
  • Informimi i publikut – qasja e publikut në informacion përmes portalit të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH), uebfaqes së Institutit të Shëndetit Publik, me rekomandime për popullatën për mbrojtje në kushte të ndotjes së ajrit, uebfaqet e palëve të tjera të interesit (ministritë, pushteti lokal), rrjetet sociale, etj.
  • Rritja e vetëdijes publike – broshura për rritjen e vetëdijes publike për t’i kuptuar efektet e ndotjes së ajrit, këshilla për mbrojtje nga ajri i ndotur, praktika të mira për djegien e drurit në shtëpi, zgjidhje për mobilitet dhe cilësi më të mirë të jetës, etj.
  • Masat individuale – reduktimi i përdorimit të automjeteve personale në favor të transportit publik, përdorimi i biçikletës ose udhëtimi në këmbë, kursimi i energjisë – në shtëpi, në punë dhe kudo, ndjekja e Indeksit të Cilësisë së Ajrit dhe rekomandimeve shëndetësore përkatëse në ditët me cilësi të dobët të ajrit.

Rekomandime për popullatën kur Indeksi i Cilësisë së Ajrit është "i keq"

  • Para se të dilni jashtë, detyrimisht kontrolloni Indeksin e Cilësisë së Ajrit.
  • Qëndroni në shtëpi nëse nuk keni nevojë të dilni.
  • Shmangni qëndrimin dhe aktivitetet në ambient të hapur (sport, rekreacion). Kjo vlen jo vetëm për grupet e ndjeshme, por edhe për fëmijët dhe të rinjtë që kalojnë më shumë kohë jashtë, si dhe veçanërisht për personat që janë të angazhuar profesionalisht dhe punojnë në ambient të hapur.
  • Gjatë qëndrimit në ambient të hapur mbani maskë mbrojtëse me efikasitet të vërtetuar.
  • Nëse ndjeni simptoma si kollë ose dhimbje fyti qëndroni në shtëpi ose reduktoni sforcimin fizik, sidomos në ambient të hapur.
  • Mos i hapni dritaret e shtëpisë tuaj kur ajri është i ndotur.
  • Përdorni pastrues ajri në shtëpi ose në vendin e punës (për personat të ndjeshëm me astmë, sëmundje kronike – respiratore ose të sistemit të qarkullimit të gjakut, fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna).
  • Të rriturit dhe fëmijët me probleme respiratore, të rriturit me probleme të zemrës dhe të moshuarit duhet t’i shmangin aktivitetet fizike të mundimshme.
  • Gratë shtatzëna duhet të qëndrojnë në shtëpi.
  • Personat me astmë mund të kenë nevojë për përdorim më të shpeshtë të inhalatorit.
  • Personat me sëmundje kronike ta marrin rregullisht terapinë  dhe sipas nevojës, nëse ndjejnë simptoma, të lajmërohen menjëherë te mjeku i tyre amë ose në spital.
  • Konsumoni ushqim të pasur me vitamina (antioksidantë – vitaminë A, vitaminë C dhe E).
  • Konsultohuni me mjekun tuaj. Nëse ndiheni keq ose nëse përjetoni ndonjë efekt negativ nga ndotja e ajrit vizitoni mjekun amë ose klinikën shëndetësore.