• 15.05.2026

15 МАЈI – DITA BOTËRORE E FAMILJES 2026: “Familjet, pabarazitë dhe mirëqenia e fëmijëve“


Këtë vit Dita e Familjes shënohet nën moton "Familjet, pabarazitë dhe mirëqenia e fëmijëve" dhe ka për qëllim të kontribuojë për një ndërgjegjësim më të madh global për atë se si pabarazitë e dëmtojnë mirëqenien e familjes dhe fëmijëve. Eventi do t’i theksojë praktikat pozitive ndërkombëtare në krijimin e politikave të mira familjare për zvogëlimin e pabarazive dhe promovimin e mirëqenies së fëmijëve, duke i përfshirë përfitimet universale për fëmijët, lejen prindërore, kujdesin e përballueshëm për fëmijët dhe arsimin e hershëm për përforcimin e qëndrueshmërisë së familjes, zvogëlimin e varfërisë dhe për promovimin e mundësive të barabarta për mbështetjen e familjeve në komunitet.

Familjet kanë një rëndësi qenësore për progresin social dhe ekonomik, por shumë prej tyre përballen me të ardhura të pasigurta, mbështetje të kufizuar dhe qasje të pabarabartë në shërbimet bazë. Pa mbështetjen e mjaftueshme, familjet me fëmijë të vegjël përballen me një rrezik më të lartë varfërie, me pasoja afatgjata për shëndetin, arsimin dhe mirëqenien e përgjithshme të fëmijëve. Paqëndrueshmëria e të ardhurave, mbështetja e kufizuar dhe qasja e kufizuar në shërbime mund ta pengojnë zhvillimin e fëmijëve, sidomos kur përkeqësohen nga pabarazitë gjinore, racore, migrante ose të bazuara në aftësi të kufizuara. E përderisa pabarazitë globale zgjerohen, shënimi i kësaj dite këtë vit do t’i nxjerrë në pah pabarazitë në të ardhura, arsim, mbrojtje shëndetësore, qasjen digjitale dhe shërbimet bazë që i formësojnë shanset për mbijetesë të fëmijëve.

Kjo ditë do të inkurajojë edhe dialog midis vendeve anëtare, subjekteve të OKB-së dhe shoqërisë civile, do t’i theksojë praktikat e mira dhe do të iniciojë hulumtime të reja që do t’i shqyrtojnë trendet e pabarazisë dhe përgjigjet politike në kontekstin e Agjendës 2030.

Historia e Ditës Ndërkombëtare të Familjes

Në vitin 1993 Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë me të cilën e demonstruan vendosmërinë e tyre për të kontribuar në standarde më të mira jetese dhe përparim shoqëror për familjet në të gjithë botën. Në vitin 1994 Kombet e Bashkuara e shpallën zyrtarisht 15 majin si Ditën Ndërkombëtare të Familjes, si përgjigje ndaj strukturave të ndryshueshme ekonomike dhe sociale që ndikojnë në stabilitetin dhe strukturën e njësive familjare në pjesë të ndryshme të botës. Dita Ndërkombëtare e Familjes në thelb e feston faktin se familjet janë pjesa qendrore e çdo shoqërie.

Pse festohet Dita Ndërkombëtare e Familjes?

Kjo ditë festohet me një qëllim të dyfishtë - nga njëra anë për ta rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e familjes, nga ana tjetër për t’i theksuar aspektet e ndryshme që ndikojnë në mënyrë negative ndaj familjes, si qelizë kryesore në shoqëri. Çdo vit, kjo ditë shërben për t’i theksuar problemet që i shqetësojnë familjet dhe për të ndërmarrë veprime adekuate që individët, shoqëritë dhe qeveritë mund t’i ndërmarrin për t’i zgjidhur problemet e lartpërmendura. Kjo ditë ka për qëllim të tregojë se si një njësi familjare e përforcuar ndihmon në përforcimin e shoqërive dhe kombeve.

Simboli i Ditës Ndërkombëtare të Familjes  

Simboli i Ditës Ndërkombëtare të Familjes përbëhet nga një rreth i plotë jeshil me një imazh të kuq të një paraqitjeje skematike të një shtëpie dhe një zemre në qendër të rrethit. Ky simbol i fuqishëm e simbolizon mjedisin e sigurt dhe mbështetës që familja e ofron për njerëzit e të gjitha grupmoshave.

Tema e Ditës Ndërkombëtare të Familjes

Çdo vit, Kombet e Bashkuara vendosin për temën për Ditën Ndërkombëtare të Familjes. Kjo ndihmon në definimin e problemeve aktuale dhe drejtimeve për zgjidhjen e çështjeve të nxehta që meritojnë të theksohen dhe adresohen. Tema ndryshon çdo vit në varësi të sfidave dhe zhvillimeve të reja. "Familjet, pabarazitë dhe mirëqenia e fëmijëve" është tema për këtë vit.

Si shënohet Dita Ndërkombëtare e Familjes në të gjithë botën?

Dita Ndërkombëtare e Familjes shëhohet në mënyra të ndryshme në të gjithë botën. Në disa komunitete, organizohen diskutime dhe debate publike mbi sfidat e ndryshme me të cilat përballen familjet në komunitetet e tyre. Disa vende planifikojnë aktivitetet dhe ngjarjet e tyre bazuar në një temë specifike të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara. Individët gjithashtu zgjedhin ta festojnë këtë ditë duke kaluar kohë me familjet e tyre. Qëllimi i kremtimit të kësaj dite është të ofrojë një mundësi për të festuar lidhjet familjare dhe për ta rritur ndërgjegjësimin rreth problemeve me të cilat përballen familjet.

Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve