• 26.06.2026

Dita Ndërkombëtare Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Paligjshëm të Drogës


26 qershori është Dita Ndërkombëtare Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Paligjshëm të Drogës, e themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1987. Kjo ditë është një thirrje globale për ta forcuar veprimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në adresimin e problemit të abuzimit dhe trafikimit të paligjshëm të drogave dhe të substancave psikoaktive.

Abuzimi me drogat është një sfidë serioze e shëndetit publik, sociale dhe e sigurisë. Pasojat ndikojnë në shëndetin fizik dhe mendor të individit, familjes dhe komunitetit, ndërsa trafikimi i paligjshëm i drogës është i lidhur ngushtë me krimin e organizuar, dhunën dhe paqëndrueshmërinë sociale. Sipas Kombeve të Bashkuara problemi global i drogës vazhdon të rritet me përdorimin e drogës dhe shumëllojshmërinë e substancave të disponueshme në tregun e paligjshëm që po rritet.

Shënimi i këtij viti e thekson edhe një herë nevojën për një qasje të bazuar në prova shkencore, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e shëndetit. Vëmendje e veçantë i kushtohet parandalimit si strategjia më efektive për uljen e përdorimit të drogës, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë. Edukimi në kohë, zhvillimi i aftësive jetësore, mbështetja nga familja dhe shkolla, si dhe krijimi i një mjedisi të shëndetshëm dhe të sigurt, janë faktorë kyç në parandalimin e sjelljeve të rrezikshme.

Personat që përballen me probleme të përdorimit të drogës kanë nevojë për qasje në kohë në shërbime shëndetësore dhe sociale, trajtim, rehabilitim dhe mbështetje për riintegrim në komunitet. Ulja e stigmës dhe diskriminimit është gjithashtu një parakusht i rëndësishëm për parandalim dhe rimëkëmbje të suksesshme.

Me rastin e 26 qershorit - Ditës Ndërkombëtare kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Paligjshëm të Drogës, Instituti i Shëndetit Publik përkujton se parandalimi i përdorimit të substancave psikoaktive është një përgjegjësi e përbashkët e sektorit shëndetësor, arsimor dhe social, institucioneve, familjeve dhe të gjithë komunitetit. Vetëm përmes një qasjeje të koordinuar, edukimit të vazhdueshëm dhe zbatimit të masave efektive parandaluese mund të kontribuojmë për një mjedis më të shëndetshëm dhe më të sigurt për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

"Parandalimi fillon me informacion, mbështetje dhe reagim në kohë."