- 18.07.2026
REKOMANDIME PËR POPULLATËN NË GOSTIVAR
Rekomandime për përdorimin e ujit dhe parandalimin e sëmundjeve që përhapen nëpërmjet ujit
Më 17.07.2026 Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë lëshoi ndalesë për përdorimin e ujit të pijshëm nga sistemi i furnizimit me ujë të Gostivarit për shkak të dyshimit të arsyeshëm se i njëjti është i kontaminuar dhe i pasigurt për përdorim.
Për shkak të ndalesës së përkohshme për përdorimin e ujit të pijshëm nga ujësjellësi i qytetit në Gostivar, qytetarëve u rekomadohet që t’i respektojnë masat në vazhdim deri në publikimin e njoftimit zyrtar se uji sërish është i sigurt për përdorim.
E rëndësishme: Deri në heqjen zyrtare të ndalesës, uji nga ujësjellësi i qytetit nuk duhet të përdoret për pirje, as edhe pas zierjes, përveç se nëse institucionet kompetente japin një rekomandim ndryshe.
1. Uji i pijshëm dhe përgatitja e ushqimit
• Ujin nga ujësjellësi i qytetit mos e përdorni për pirje dhe për përgatitjen e ushqimit.
• Nëse keni qasje në ujë të ambalazhuar, atëherë siguroni sasi të mjaftueshme për këtë periudhë. Nevojiten të paktën 4 litra ujë për person në ditë.
• Për pirje përdorni ujë të paketuar fabrikisht (ujë të ambalazhuar).
• Ujin nga ujësjellësi mos e përdorni për:
o përgatitjen e ushqimit;
o larjen e frutave dhe perimeve që konsumohen të freskëta;
o përgatitjen e akullit;
o përgatitjen e lëngjeve, kafesë, çajit dhe pijeve të tjera.
• Ujin nga ujësjellësi i qytetit mos e përdorni për përgatitjen e ushqimit për foshnjat.
2. Higjiena e duarve
• Duart lani shpesh me sapun dhe me ujë të sigurt (ujë të ambalazhuar), sidomos:
o para përgatitjes dhe konsumimit të ushqimit;
o pas përdorimit të tualetit;
o pas ndërrimit të pelenave të foshnjës;
o pas kontaktit me një person të sëmurë.
• Nëse nuk keni ujë të sigurt, atëherë përdorni preparat për dezinfektim që përmban alkool, në rastet kur duart nuk janë dukshëm të pa pastra.
3. Higjiena personale
• Për larjen e dhëmbëve përdorni vetëm ujë të sigurt (ujë të ambalazhuar);
• Për të bërë dush dhe për tu larë përdorni ujë të sigurt (ujë të ambalazhuar) ose ujë të zier, por kini kujdes që të mos kapërdini nga uji;
• Nëse nuk keni ujë të sigurt, atëherë përdorni peceta të lagura ose peceta për një përdorim gjatë periudhës që vlen ndalesa për përdorimin e ujit.
4. Përgatitja e ushqimit
• Ushqimin duhet ta përpunoni mirë termikisht;
• Evitoni përgatitjen e ushqimit i cili nuk gatuhet nëse nuk mund të përdorni ujë të sigurt;
• Përdorni enë për një përdorim që ta evitoni larjen e tyre.
5. Restorantet, kafenetë dhe objektet hotelierike
• të mos përdorin ujë nga ujësjellësi për përgatitjen e pijeve;
• të mos përdorin ujë për larjen e frutave dhe perimeve;
• të përdorin vetëm ujë të sigurt (ujë të ambalazhuar) për përgatitjen e ushqimit;
• të mos i përdorin aparatet për akull.
6. Kopshtet e fëmijëve
• fëmijët të pinë vetëm ujë të sigurt (ujë të ambalazhuar);
• të mos përdoret uji nga çezmat për mbushjen e shisheve;
• ushqimi të përgatitet vetëm me ujë të sigurt (ujë të ambalazhuar).
7. Rekomandime shëndetësore
Menjëherë drejtohuni tek mjeku juaj amë ose pranë institucionit më të afërt shëndetësor nëse shfaqet:
• diarre;
• të vjella;
• nauze;
• ngërçe në stomak;
• temperaturë e lartë e trupit;
• dobësi;
• shenja të dehidrimit (etje e fuqishme, gojë e thatë, zvogëlim i urinimit, lodhje).
Një kujdes të veçantë duhet pasur për:
• foshnjat dhe fëmijët e vegjël;
• gratë shtatzëna;
• personat e moshuar;
• personat me sëmundje kronike dhe me imunitet të dobësuar.
8. Parandalimi i sëmundjeve që përhapen nëpërmjet të ujit
Uji i pa sigurt mund të jetë burim i infeksioneve bakteriale, virale dhe parazitare të cilat shkaktojnë gastroenterite.
Për ta zvogëluar rrezikun:
• për pirje dhe për përgatitjen e ushqimit përdorni vetëm ujë të sigurt;
• mirëmbani higjienën e duarve;
• ndani ushqimin e gatuar nga ai i pa gatuar;
• ruajeni ushqimin në temperaturë adekuate;
• mirëmbani higjienën në kuzhinë;
• mos pini me gotën e njëjtë dhe me enë të njëjta me personat që kanë simptoma të një infeksioni të stomakut.
9. Ndani informacionet zyrtare
Qytetarët duhet t’i ndjekin njoftimet e institucioneve kompetente rregullisht (Instituti i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë).
Uji nga ujësjellësi i qytetit mund të përdoret për pije vetëm pas njoftimit zyrtar se është hequr ndalesa dhe se uji është i sigurt për përdorim.
10. Si duhet të veprohet pas heqjes së ndalesës
Pas heqjes zyrtare të ndalesës:
• lëreni ujin të rrjedhë 5–10 minuta;
• zbrazni dhe pastroni aparatet për ujë;
• hidheni akullin e prodhuar gjatë kohës kur ndalesa ishte në fuqi;
• ndërroni filtrat nëse një gjë e tillë rekomandohet nga prodhuesi.
POROSI PËR QYTETARËT
Me respektimin në kohë të këtyre rekomandimeve zvogëlohet dukshëm rreziku nga shfaqja dhe përhapja e sëmundjeve që përhapen nëpërmjet ujit. Një kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet mbrojtjes së foshnjave, fëmijëve të vegjël, grave shtatzëna, personave të moshuar dhe personave me sëmundje kronike, të cilët janë më të rrezikuar nga pasoja më të rënda gjatë shfaqjes së infeksioneve të zorrëve.
- Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve infektive