• 11.08.2026

REKOMANDIME SHËNDETËSORE PUBLIKE PËR FTOHJEN E MJEDISEVE TË MBYLLURA GJATË MOTIT TË NXEHTË


Gjatë periudhave me temperatura të larta dhe valëve të të nxehtit, përpiquni t'i mbani mjediset në të cilat qëndroni të freskëta. Nëse përdorni ajër të kondicionuar këshillohet që temperatura ambientale të mbahet rreth 25 °C, duke e shmangur kështu ftohjen e tepërt dhe kalimet e papritura nga një mjedis më i ftohtë në një mjedis dukshëm më të ngrohtë.

Nëse ka dallim të madh midis temperaturës në hapësirën e brendshme dhe temperaturës së ajrit të jashtëm, rekomandohet që para se të dilni gradualisht të përshtateni me temperaturën më të lartë. Nëse është e mundur të paktën 15 minuta para se të dilni nga mjedisi më i freskët, ulni gradualisht intensitetin e ftohjes ose qëndroni në një mjedis ​​me një temperaturë më afër asaj të jashtmes. Në këtë mënyrë e shmangni ekspozimin e papritur ndaj një ndryshimi të madh të temperaturës dhe mundësoni që trupi juaj të përshtatet gradualisht me kushtet e jashtme.

Kur temperatura e jashtme është më e lartë se temperatura në mjedisin e brendshëm, atëherë mbani dritaret e mbyllura për ta kufizuar depërtimin e ajrit të ngrohtë. Mjediset e ekspozuara ndaj rrezeve të diellit hijesoni me roleta, kapakë ose perde. Nëse nuk ka mundësi tjetër për t’i bllokuar rrezet e diellit, atëherë përkohësisht mund të përdorni pëlhura adekuate.

Hapni dritaret dhe ajrosni dhomat kur ajri i jashtëm është më i freskët se ajri brenda, sidomos në mbrëmje, natën dhe orët e hershme të mëngjesit. Kur t’i hapni dritaret mos harroni të përdorni mbrojtje adekuate kundër insekteve, në rastet kur një gjë e tillë është e nevojshme.

Pajisjet elektrike shtesë gjatë funksionimit gjenerojnë nxehtësi dhe kontribuojnë në ngrohjen e mjedisit. Fikni dritat dhe pajisjet elektrike që nuk janë të nevojshme ose nuk janë në përdorim dhe shmangni përdorimin e panevojshëm të pajisjeve që mund të gjenerojnë nxehtësi.

Ventilatorët elektrikë mund të kontribuojnë për një ndjesi më të mirë freskie dhe rehatie termike kur temperatura e dhomës është nën 35 °C. Në temperatura më të larta efektiviteti i tyre në mbrojtjen nga rreziqet shëndetësore që lidhen me nxehtësinë është i kufizuar, prandaj ato nuk duhet të përdoren si e vetmja mënyrë për t'u freskuar.

Për t’i përdorur pajisjet për ftohje në mënyrë më efikase dhe ekonomike ftohni mjediset ku kaloni më shumë kohë, në vend që ta ftohni të gjithë shtëpinë pa nevojë. Gjatë kohës që kondicioneri është në punë, dritaret dhe dyert e dhomave që nuk ftohen mbani të mbyllura.

Përgatitni ushqimin gjatë periudhave më të ftohta të ditës, nëse është e mundur. Kufizoni përdorimin e sobave, furrave dhe pajisjeve të tjera që gjenerojnë nxehtësi shtesë. Pas përdorimit të tyre ajrosni mjedisin kur temperatura e jashtme është më e ulët se temperatura në mjedis.

Gjelbërimi dhe pemët luajnë një rol të rëndësishëm në zvogëlimin e ngrohjes së mjedisit dhe në sigurimin e hijes natyrore. Pemët me degëzim të zhvilluar janë me rëndësi të veçantë, duke kontribuar në hijezimin e ndërtesave dhe zonave të jashtme. Ruajtja e gjelbërimit ekzistues dhe mbjellja e pemëve të reja janë masa të rëndësishme afatgjata për zvogëlimin e ekspozimit ndaj temperaturave të larta dhe për të krijuar një mjedis jetësor më të shëndetshëm dhe më të këndshëm.

Ftohja adekuate e hapësirave të mbyllura, kufizimi i ngrohjes direkte diellore, ventilimi i duhur dhe përdorimi racional i pajisjeve ftohëse janë masa të rëndësishme për zvogëlimin e ekspozimit ndaj nxehtësisë së tepërt dhe rreziqeve shëndetësore si pasojë e temperaturave të larta.