• 27.10.2023

Ditës Botërore të Goditjes në Tru - 29 Tetor


Sipas Shoqatës Amerikane për Goditjet në Tru, në çdo katër sekonda një person përjeton një goditje në tru dhe çdo 40 minuta një person vdes si pasojë e saj.
Goditja në tru është një gjendje akute e rrezikshme për jetën që ndodh si rezultat i çrregullimit të furnizimit të trurit me gjak.
Goditja në tru është një gjendje e ishemisë akute të sistemit nervor qendror, e cila ndodh për shkak të ndërprerjes ose reduktimit të qarkullimit intracerebral të gjakut. Kjo mund të ndodhë për shkak të trombozës, embolisë ose spazmës, ose gjakderdhjes së një ene arteriale të gjakut, që ka si rezultat reduktimin e qarkullimit të gjakut në një zonë të caktuar në varësi të zonës së vaskularizimit dhe, si rezultat, dëmtim të indit të trurit.
Ekzistojnë dy lloje të goditjes në tru- hemorragjike (gjakderdhje e trurit) dhe goditje ishemike (infarkt në tru). Gjakderdhja në tru ndodh për shkak të plasjes (çarjes) të një ene gjaku të trurit. Kjo ndodh si pasojë e rritjes së papritur dhe të tepërt të tensionit të gjakut.
Gjithashtu, tek disa pacientë, gjakderdhja në tru ndodh edhe për shkak të çarjes së një aneurizmi (zgjerimi) të një ene gjaku të trurit. Gjatë çarjes së enëve të gjakut vjen deri te derdhja e gjakut në indin e trurit, duke shkaktuar kështu dëmtime të një pjese të funksioneve të trurit.
Goditja ishemike ndodh për shkak të bllokimit (okluzionit) të një ene gjaku në tru, me ç’rast ndodh i ashtuquajturi infarkt i trurit. Gjatë okluzionit të një ene të gjakut vjen deri tek ndërprerja e qarkullimit të gjakut në një pjesë të trurit, gjë që shkakton dëmtime të përhershme në një pjesë të trurit - infarkt cerebral.
 
Mungesa e furnizimit me gjak shkakton rënie të sasisë së oksigjenit ose lëndëve të tjera ushqyese në tru me ç’rast vjen deri te vdekja e qelizave të trurit.
Disa njerëz mund të përjetojnë vetëm ishemi të përkohshme të qarkullimit të gjakut në tru dhe një gjendje të quajtur si sulm ishemik kalimtar (TIA), që për fat të mirë nuk shkakton dëmtime të përhershme neurologjike.
Nëntëdhjetë përqind e goditjeve në tru ndodhin për shkak të mpiksjes së gjakut, pra goditje ishemike në tru, të shkaktuara nga ekzistenca e një trombi në një pjesë të caktuar të trurit që shkakton vdekjen e indeve të trurit që nuk mund të mbijetojnë pa oksigjen.
Shenjat dhe simptomat e një goditjeje në tru:
 
·         Vështirësi në të folur dhe vështirësi në perceptimin e mjedisit, konfuzion ose afazi shqisore.
·         Paralizë ose dobësi e fytyrës, krahëve ose këmbëve. Kjo shpesh ndodh vetëm në njërën anë të trupit, dhe gjithashtu mund të shkaktojë edhe asimetri të buzëve.
·         Probleme me shikimin në njërin ose të dy sytë, dobësim i shikimit ose njolla të errëta në njërin ose të dy sytë, ose dyfishim i figurave.
·         Dhimbje koke – një dhimbje e fortë dhe e papritur e kokës që shpesh shoqërohet me të vjella, marramendje ose çrregullim të vetëdijes.
·         Vështirësi në ecje – ataksi, humbje e koordinimit ose dobësi e papritur.
 Dalloi simptomat e goditjes në tru dhe reago “URGJENTISHT”!
·         Dobësi në gjymtyrë ose paralizë në njërën anë të trupit
·         Njolla të errëta në njërin ose të dy sytë, dobësim i të pamurit ose ose dyfishim i figurave
·         Dhimbje e papritur e kokës
·         Vështirësi në të folur
Faktorët e rrezikut që mund të sjellin deri tek goditja në tru
Goditja ishemike, si lloji më i shpeshtë i goditjes në tru, ndodh për shkak të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, të modifikueshëm dhe të pa modifikueshëm, të cilët shpesh edhe kombinohen.
Historia familjare e goditjes në tru, mosha mbi 55 vjeç, gjinia mashkullore, ataku paraprak ishemik kalimtar (TIA), disa hemoglobinopati (anemia drapërocitare), foramen ovale persistente (PFO), trombofilia madhore gjenetike - janë faktorë të pamodifikueshëm që individi nuk mund t'i ndryshojë, e as të ndikojnë dukshëm në to. Prandaj, këta pacientë duhet të bëjnë kontrolle më të shpeshta si dhe t’i evitojnë faktorët ose kushtet provokuese ose terapi të caktuara.
Faktorët e modifikueshëm janë: ruajtja e tensionit të gjakut nën 130/80 mm Hg, niveli i ulët i kolesterolit në gjak, trajtimi i sëmundjeve kardiovaskulare (foramen ovale persistent, defekti septal atrial, sëmundja mitrale, fibrilacioni atrial), kontrolli i sëmundjes periferike dhe karotide ose arterosklerozës, mirëmbajtja e peshës trupore, lënia e duhanit, kontrolli i diabetit, si dhe kontrolli i pacientëve që kanë pasur një infeksion të zgjatur me COVID.
Këtu nuk duhet të anashkalohet edhe migrena si shenjë paralajmëruese për TIA ose goditje në tru dhe shoqërimi i saj me PFO ose aneurizmën intrakraniale – shkaku më i shpeshtë i goditjes hemorragjike në tru tek të rinjtë.
Diagnoza dhe terapia
Diagnoza vendoset në bazë të pasqyrës klinike, gjendjes neurologjike, metodave neuro-imazherike si tomografia e kompjuterizuar dhe rezonanca magnetike dhe sonografia Doppler e arterieve kryesore të trurit të karotideve dhe vertebrobazilareve. Terapia mund të jetë konservative ose kirurgjikale e shoqëruar me terapi fizikale për ta përshpejtuar rehabilitimin.
Terapia konservative konsiston në përshkrimin e barnave që normalizojnë densitetin e gjakut, të gjitha barnat si Aspirina dhe Clopidogrel dhe antikoagulantët oralë dhe parenteralë si Warfarin, Rivaroxaban, Heparin etj. Nëse bëhet fjalë për goditje hemorragjike, atëherë nevojitet trajtim kirurgjikal.
 
Parandalimi i goditjes në tru
 
Sipas një hulumtimi të vitit 2014 të Qendrës Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve, 80% e sëmundjeve kardiovaskulare, duke përfshirë sulmin në zemër dhe goditjen në tru, mund të parandalohen!
Faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru janë dieta jo e shëndetshme, pasiviteti fizik, përdorimi i duhanit dhe përdorimi i dëmshëm i alkoolit. Efektet e faktorëve të rrezikut mund të ndodhin tek individë të cilët kanë tension të lartë të gjakut, niveli të lartë të glukozës në gjak, yndyrna të larta dhe janë mbipeshë dhe obezë. Këta "faktorë të rrezikut mesatar" mund të maten në mjediset e mbrojtjes shëndetësore primare dhe janë tregues për një rrezik të shtuar nga sulmi në zemër, goditja në tru, dobësimi i zemrës dhe komplikime të tjera.
 
Lënia e përdorimit të duhanit, reduktimi i sasive të kripës në ushqim, konsumimi i shumë frutave dhe perimeve, aktiviteti i rregullt fizik dhe shmangia e përdorimit të dëmshëm të alkoolit e zvogëlojnë rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare. Politikat shëndetësore që krijojnë qasshmëri në kontrolle shëndetësore parandaluese dhe edukim janë qenësore për t’i motivuar njerëzit që të fitojnë dhe mirëmbajnë sjellje të shëndetshme.
Identifikimi i personave që janë në rrezik më të madh nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ofrimi i trajtimit të duhur mund ta parandalojë vdekjen e parakohshme. Qasja në barna për sëmundjet jo ngjitëse dhe teknologjitë bazë shëndetësore në të gjitha institucionet shëndetësore primare është thelbësore për të siguruar që ata që kanë nevojë marrin trajtimin dhe këshillimin e duhur.
 Një theks i veçantë duhet vënë te terapia fizikale, e cila ka një aktivitet të rëndësishëm në procesin e rehabilitimit dhe zvogëlimit të shkallës së invaliditetit.
Parandalimi është shumë i rëndësishëm në trajtimin e suksesshëm të pasojave të një goditjeje. Njohja në kohë e disa simptomave dhe shenjave (TIA - Sulmi Ishemik Kalimtar, i cili është paralajmëtar i një goditjeje ose mini-infarkti në tru), trajtimi i duhur i sëmundjeve kronike, marrja e rregullt dhe në kohë e terapisë së përshkruar, ndryshimi i stilit të jetesës, abstenimi nga alkooli, cigaret dhe drogat kanë rol të rëndësishëm në parandalimin e përsëritjes së goditjes në tru.
Goditja në tru është një nga pesë shkaqet e vdekjes dhe invaliditetit në rrafsh global. Njohja dhe trajtimi në kohë ka një rëndësi të madhe në uljen e morbiditetit dhe mortalitetit nga kjo sëmundje.
 
Përgatiti:
Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve
Literatura