Dita Botërore e Foshnjave të lindura para kohe, 17 Nëntori, është një nga ditët më të rëndësishme të vitit për të rritur ndërgjegjësimin për sfidat dhe ngarkesën e lindjes së parakohshme në mbarë botën.
Tema globale për Ditën Botërore të foshnjave të lindura prematurë 2023 është: VEPRIME TË VOGLA NDIKIM I MADH: kujdes i menjëhershëm lëkurë më lëkurë për çdo bebe kudo!
Krahas ngjyrës vjollcë që nënkupton ndjeshmëri, çorapet janë kthyer në një simbol të Ditës Botërore të Lindjeve të Parakohëshme. Çifti i çorapeve të vogla të purpurta – të shoqëruara me nëntë palë çorape për fëmijë me madhësi të plotë– simbolizojnë se 1 në 10 foshnja që në botë lindin para kohe. Foshnjat e lindura para kohe lindin në moshë gestacionale nën 37 javë dhe me peshë të ulët të lindjes nën 2.5 kilogramë. Rreth 1 milion fëmijë vdesin çdo vit për shkak të komplikimeve nga lindja e parakohshme. Lindja e parakohshme është shkaku kryesor i vdekjes tek fëmijët nën moshën pesë vjeç. Çdo vit në mbarë botën para kohe lindin rreth 15 milionë foshnja.
Nga të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shkalla e vdekshmërisë foshnjore për vitin 2022 ka qenë 3,2 vdekje foshnjore në 1.000 lindje të gjalla. Ndërsa shkalla e vdekshmërisë foshnjore për vitin 2012 ka qenë 9,8 vdekje foshnjore në 1.000 lindje të gjalla. Në këtë periudhë vihet re një trend pozitiv i rënies së shkallës së vdekshmërisë foshnjore.
Shumë foshnja të mbijetuara përballen me aftësi të kufizuara gjatë gjithë jetës, përfshirë këtu vështirësi gjatë të mësuarit dhe probleme më shikimin dhe dëgjimin.
Pandemia globale e COVID-19 i detyroi repartet e neonatologjisë në mbarë botën të miratojnë masa të rrepta sigurie që për fat të keq shpesh kanë ndarë prindërit nga foshnjat e tyre të lindura para kohe, me pasoja të dëmshme si për foshnjat ashtu dhe për prindërit.
Krahas sfidave shëndetësore me të cilat përballen të porsalindurit, ndarja e prindërve nga foshnjat e tyre kontribuon në zhvillimin e problemeve serioze dhe afatgjata shëndetësore dhe zhvillimore te të porsalindurit, si dhe ndikon në shëndetin mendor të prindërve.
Edhe pa rreziqet shtesë foshnjat e lindura para kohe janë ndër pacientët më të rrezikuar në mbarë botën dhe siç tregojnë vazhdimisht studimet, foshnjat kanë nevojë që t’i kenë pranë prindërit e tyre!
Rekomandime
Kontakti lëkurë me lëkurë e njohur si metoda kangur duhet të aplikohet sa më parë që të jetë e mundur pas lindjes sepse mund të ketë efekte pozitive dhe mbrojtëse, si rregullimi i ritmit të zemrës dhe të frymëmarrjes, parandalimi i sepsës (infeksion i rëndë), hipotermisë (temperatura e ulët e trupit) dhe hipoglikemisë (nivel i ulët i sheqerit në gjak) dhe reduktimi i ripranimeve në spital. Kujdesi me metodën kangur i mundëson foshnjës të bjerë në një gjumë më të thellë që e lejon atë të drejtojë më shumë energji në funksione të tjera trupore. Rritja e peshës trupore nënkupton edhe një qëndrim më të shkurtër në spital.
Ndërkohë, ushqyerja e hershme dhe vetëm me gji dhe sigurimi i qumështit të gjirit kanë një ndikim pozitiv në rezultatet afatshkurtra dhe afatgjata fiziologjike dhe neurozhvilluese të foshnjës.
Është po aq e rëndësishme të sigurohemi që foshnjat e lindura shumë herët, shumë të vegjël ose shumë të sëmurë, nëse është e nevojshme, të kenë qasje të barabartë dhe të shpejtë në nivele më të larta të kujdesit spitalor, pa dallim se ku kanë lindur.
Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme është një përkujtim për ta rritur ndërgjegjësimin dhe për të inkurajuar veprime për parandalimin e lindjeve e parakohshme aty ku është e mundur, për t’i përmirësuar sistemet shëndetësore dhe për ta shpëtuar jetën e foshnjave.
Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve