- 09.02.2024
SHKURTI – MUAJI I SHËNDETIT ORAL TË FËMIJËVE
Dalja, kohëzgjatja dhe si dhe kur duhet të hiqen dhëmbët e qumështit
Fëmijët kanë 20 dhëmbë qumështi. Ato janë të përkohshme dhe i paraprijnë rritjes së dhëmbëve të përhershëm. Dhëmbët e qumështit tek fëmijët fillojnë të dalin në moshë nga 6 deri në 12 muaj. Tek numri më i madh i fëmijëve të gjithë dhëmbët e qumështit rriten deri në moshën 3-vjeçare dhe bien deri në moshën 12-vjeçare. Prindi duhet ta çojë fëmijën për kontroll tek dentisti sapo të fillojë të rritet dhëmbi i parë.
Dhëmbët e qumështit nuk janë vetëm "dhëmbë të përkohshëm", ata e ruajnë vendin për dhëmbët e përhershëm, por roli kryesor i tyre është që të mundësojnë rritjen dhe zhvillimin normal të nofullës, domethënë kanë një rëndësi të madhe për zhvillimin e të gjithë sistemit orofacial tek fëmijët. Zhvillimi më intensiv i sistemit orofacial ndodh pikërisht në kohën kur në gojë janë të pranishëm dhëmbët e qumështit. Dhëmbët e qumështit mundësojnë përtypjen dhe e lehtësojnë konsumimin e ushqimit, krijimin e zërit dhe të folurit. Kohëzgjatja e dhëmbëve të qumështit në nofull është rreth gjashtë vjet. Nga dhëmbët e përhershëm zakonisht i pari del i gjashti, molari i poshtëm. Deri në moshën 16 vjeçare fëmijët i kanë të gjithë dhëmbët e përhershëm.
Dhëmbët e parë që rriten tek foshnjat janë incizivët qendrorë të poshtëm. Menjëherë pas tyre, si rregull, rriten incizivët e sipërm qendror. Në të shumtën e rasteve, molarët e dytë janë të fundit që shpërthejnë në moshë afër 2 vjet.
Tabela 1. Mosha kur dalin dhe kur bien dhëmbët e qumështit:
Dhëmbë në nofullën e sipërme |
|
Dhëmbë në nofullën e poshtme |
||
Kur dalin dhëmbët e qumështit |
Kur bien |
|
Kur dalin dhëmbët e qumështit |
Kur bien |
8-12muaj |
6-7 vjet |
Incizivët qendrorë |
6-10 muaj |
6-7 vjet |
9-13 muaj |
7-8 vjet |
Incizivët lateralë |
10-16 muaj |
7-8 vjet |
16-22 muaj |
10-12 vjet |
Kaninët |
17-23 muaj |
9-12 vjet |
13-19 muaj |
9-11 vjet |
Molarët e parë |
14-18 muaj |
9-11 vjet |
25-33 muaj |
10-12 vjet |
Molarët e dytë |
23-31 muaj |
10-12 vjet |
Sipas Logan & Kronfeld dalja e dhëmbëve të qumështit fillon në periudhat e mëposhtme: incizivët qendrorë 6-8 muaj, lateralët 8-10, molarët e parë 12-16, kaninët 15-20, dhe molarët e dytë në moshën 20-30 muaj.
Kronologjia e fillimit të resorbimit të dhëmbëve të qumështit: qendror në vitin e 4-të, lateralët në vitin e 5-të, molarët e parë në vitin e 6-të, kaninët dhe molarët e dytë në vitin e 8-të.
Ndonjëherë ekziston mundësia që pas lindjes të shfaqen formacione të ngjashme me dhëmbët e qumështit.
Në fakt, bëhet fjalë për mbetje të indit oral, nga të cilët zhvillohen sythat e dhëmbëve. Këta, të ashtuquajturit paradhëmbë të qumështit, mund të përbëjnë rrezik për foshnjën - sepse nuk janë të ngjitur në kockë dhe mund të bien shumë lehtë, kështu që fëmija mund t'i thithë, gjë që mund të paraqesë rrezik për jetën. Gjithmonë kur shfaqen formacione të ngjashme të dhëmbëve në muajt e parë (deri në të katërtin), është më e sigurt që ato të ekzaminohen nga një dentist specialist për fëmijë dhe të vlerësohet se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë. Nëse nuk janë dhëmbë qumështi të vërtetë, atëherë ata doemos duhet të nxirren.
Dhëmbët e qumështit janë një zëvendësim i përkohshëm i dhëmbëve të përhershëm. Gjatë rritjes së dhëmbëve të qumështit në vendin e shpërthimit ka kruajtje. Shfaqja e dhëmbëve të qumështit nuk është e dhimbshme, por fëmijët i ndjejnë ndryshimet dhe vazhdimisht kanë nevojë të përtypin duart ose lodrat e gjithçka që gjejnë për ta qetësuar kruajtjen. Gjatë periudhës së rritjes së këtyre dhëmbëve, tek fëmijët mund të vijë deri tek shtimi i tajitjes së jargëve. Për disa fëmijë dalja e dhëmbëve është mjaft e vështirë, sepse nuk mund të flenë dhe të hanë normalisht, por kjo zakonisht zgjat një periudhë të shkurtër kohore.
Gjatë kësaj periudhe, prindi mund ta ndihmojë fëmijën e tij duke i dhënë për të përtypur lodra gome dhe kështu ta zvogëlojë pak shqetësimin e daljes së dhëmbëve. Lodrat e gomës mund të zëvendësohen me një version më natyral (p.sh. karrota ose mollë të pagatuara). Por duhet pasur kujdes për moshën e fëmijës dhe rrezikun nga mbytja me copa të vogla (p.sh. karrota ose molla e pagatuar duhet të jetë një copë mjaft e madhe). Gjithashtu rekomandohet një masazh i butë i gingivave me një garzë të pastër të lagur që mund ta njomni me çaj kamomili, i cili mund ta ndihmojë fëmijën të flejë më lehtë. Garza e lagur mund të ftohet paraprakisht në frigorifer për ta zvogëluar shqetësimin e kruajtjes si pasojë e rritjes së dhëmbëve të qumështit.
Dhëmbët e qumështit qëndrojnë derisa fillojnë të rriten dhëmbët e përhershëm. Dhëmbët e parë të përhershëm zakonisht fillojnë të dalin në moshën gjashtë vjeçare. Në moshën dymbëdhjetë vjet rriten dhëmbët e fundit të përhershëm, që do të thotë se kohëzgjatja mesatare e dhëmbëve të qumështit në nofull është rreth gjashtë vjet. Natyrisht, duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për kohëzgjatjen mesatare të dhëmbëve të qumështit, që nuk do të thotë se diçka nuk është në rregull nëse tek disa fëmijë ndryshojnë disa muaj më herët ose më vonë.
Ashtu si dhëmbët e përhershëm edhe dhëmbët e qumështit kanë rrënjë. Por rrënja që i mban dhëmbët e qumështit është më e dobët se rrënja e një dhëmbi të përhershëm. Fakti që rrënja e dhëmbit të qumështit nuk duket, nuk do të thotë se nuk ekziston.
Kur rrënja e dhëmbëve të qumështit resorbohet, ata lirohen dhe fillojnë të bien. Me kalimin e kohës rrënja fillon të shkrihet dhe si pasojë dhëmbi bie. Kjo ndodh menjëherë para daljes së dhëmbëve të përhershëm. Shumica e dhëmbëve të qumështit fillojnë të lirohen para se të rriten dhëmbët e përhershëm dhe bien pa dhimbje, por për disa dhëmbë të qumështit që kanë rrënjë të forta, për të parë nëse dhëmbi duhet të nxirret është e nevojshme të kërkoni këshillë nga dentisti.
Dhëmbët e qumështit nuk duhet të nxirren sepse në çdo vend të dhëmbit të qumështit vjen një dhëmb i ri i përhershëm. Edhe kur bëhet fjalë për dhëmbët e qumështit me karies, nuk rekomandohet nxjerrja e tyre sepse dhëmbët e qumështit ruajnë vend për dhëmbët e përhershëm dhe prandaj roli i tyre, edhe pse i përkohshëm, është shumë i rëndësishëm.
Shumë prindër pyesin se si të heqin një dhëmb të qumështit, por këtë gjë duhet t'ia lini kohës, sepse dhëmbi i qumështit lirohet me ndihmën e resorbimit të rrënjës dhe pas një kohe bie vetë. Ndonjëherë gjithçka që duhet është një tërheqje e butë e dhëmbit dhe ai del menjëherë. Çdo nxjerrje e parakohëshme e dhëmbëve të qumështit mund të nënkuptojë se në atë vend nuk do të rritet kurrë një dhëmb i përhershëm.
Dhëmbi nuk duhet të nxirret me forcë nëse nuk lëviz dhe në këtë mënyrë evitohet edhe shkaktimi i dhimbjes. Nga ana tjetër, tek fëmijët nën 5 vjeç, dhëmbët nuk duhet të nxirren, edhe pse ndonjëherë mund të lëvizin edhe në atë moshë. Në një rast të tillë duhet vizituar dentisti.
Shumica e fëmijëve e kalojnë këtë fazë natyrale të zëvendësimit të dhëmbëve të qumështit me të përhershëm pa asnjë problem. Ndonjëherë mund të shfaqen probleme nëse dhëmbi i qumështit nuk mund të bjerë ose nëse një dhëmb i përhershëm fillon të rritet në vendin e gabuar. Nëse dhëmbi nuk mund të dalë lehtë, nuk duhet bërë asgjë me forcë në mënyrë që fëmija të mos ketë probleme më të mëdha dhe më shumë dhimbje. Në raste të këtilla është e nevojshme të reagoni në kohë dhe të kërkoni ndihmë nga dentisti për t’i nxjerrë dhëmbët e mbetur dhe për të lejuar rritjen dhe zhvillimin normal të dhëmbëve të përhershëm dhe nofullës.
Kur dhëmbët e qumështit lëkunden, ata shpesh i shqetësojnë fëmijët. Për këtë arsye prindërit përpiqen ta nxjerrin dhëmbin për t’ia bërë më të lehtë fëmijës. Nxjerrja e dhëmbit tek disa fëmijë është e dhimbshme, ndërsa disa fëmijë as që e ndjejnë se e keni nxjerrë atë. Dhimbja varet nga shumë faktorë si: pozicioni i dhëmbëve, toleranca e fëmijës ndaj dhimbjes etj.
Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve