- 18.06.2024
Përgatitje për një verë të gjatë dhe të nxehtë
Si edhe gjatë tre viteve të fundit pjesa më e madhe e Rajonit Evropian të OBSH-së duhet të përgatitet për një verë të gjatë dhe të nxehtë. Kushtet e motit parashikojnë që vera e ardhshme në rajon të jetë më e nxehtë dhe më e thatë se zakonisht për shkak të ndryshimeve klimatike. Popullata, punonjësit shëndetësorë dhe autoritetet e shëndetit publik duhet të jenë të përgatitur për valët e të nxehtit dhe t'i parandalojnë ato dhe t’i menaxhojnë pasojat e mundshme shëndetësore nga ekspozimi ndaj temperaturave shumë të larta.
Frekuenca, intensiteti dhe kohëzgjatja e valëve të të nxehtit është gjithnjë e më e madhe, me një tendencë të theksuar intensifikimi në Rajon, gjë që paraqet një shqetësim të madh për shëndetin publik. Për shkak të ndryshimeve klimatike potenciali për ekspozim të rrezikshëm ndaj nxehtësisë ekstreme në dekadat e fundit është përkeqësuar dhe do të vazhdojë të përkeqësohet më tej në të ardhmen. Studimet e fundit vlerësojnë se mundësia e rritjes së mëtejshme të temperaturave po rritet për 31 qytete evropiane (kryeqytetet e Bashkimit Evropian, Londra, Moska, Oslo dhe Cyrihu) dhe nxorrën në pah se të gjitha zonat metropolitane evropiane të përfshira në këto studime do të jenë më të cenueshme nga nxehtësia ekstreme në dekadat e ardhshme. Konsensusi shkencor është se nëse nuk zbatojmë aktivitete të fuqishme për përshtatje, ndryshimet klimatike do ta zmadhojnë ngarkesën e sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë. Kjo është gjithashtu e një rëndësie të madhe për ta shmangur ngarkesën shtesë që do u shkaktohet sistemeve të mbrojtjes shëndetësore.
Temperaturat e larta ndikojnë në shëndetin e shumë njerëzve, e sidomos ndikim të madh kanë tek të moshuarit, foshnjat, njerëzit që punojnë në mjedise të hapura dhe tek të sëmurët kronikë. Nxehtësia mund të shkaktojë lodhje dhe mund të përkeqësojë gjendjet ekzistuese - si sëmundjet kardiovaskulare, respiratore, të veshkave ose ato mendore. Efektet e padëshiruara shëndetësore si pasojë e motit të nxehtë mund të parandalohen përmes praktikave të mira të shëndetit publik.
Freskohuni gjatë motit të nxehtë.
Gjatë periudhave të nxehta është e rëndësishme që të freskoheni me qëllim që t’i shmangni efektet negative të nxehtësisë ndaj shëndetit.
Qëndroni larg nxehtësisë.
Shmangni shëtitjet dhe aktivitetet e rënda gjatë periudhës më të nxehtë të ditës nga ora 11:00-17:00. Qëndroni në hije, mos lini fëmijë apo kafshë në automjete të parkuara dhe nëse është e nevojshme dhe e mundur, kaloni 2-3 orë në ditë në një vend të freskët. Nëse indeksi UV është më i lartë se 8, detyrimisht përdorni kremë me faktor mbrojtës, një kapele dhe syze me mbrojtje ndaj rrezatimit UV, si dhe kur dilni jashtë siguroni që të lëvizni në hije. Rrezatimi UV dhe nxehtësia janë më intensive në periudhën nga ora 10 deri në orën 14 dhe rekomandohet që gjatë kësaj periudhe ekspozimi ndaj diellit të jetë sa më i vogël. Gjithashtu, vizitorët e plazheve duhet të kenë parasysh se rëra e bardhë dhe sipërfaqet e tjera të bardha e reflektojnë rrezatimin UV dhe mund ta dyfishojnë ekspozimin tuaj ndaj rrezatimit.
Mbajeni shtëpinë tuaj të freskët.
Përdorni ajrin e freskët të natës për ta ftohur shtëpinë tuaj, me ajrosje natyrale kur temperaturat e jashtme janë më të ulëta, por mos harroni të përdorni mbrojtje kundër mushkonjave. Që ta zvogëloni nxehtësinë në shtëpi gjatë ditës përdorni roletat dhe mos i mbani kyçur pa nevojë pajisjet elektrike.
Mbajeni trupin tuaj të freskët dhe të hidratuar.
Përdorni veshje të lehta, të bardha dhe të gjera, bëni dush ose banjë me ujë të ftohtë dhe pini ujë të sigurt, shmangni pijet që përmbajnë sheqer, alkool ose kafeinë.
Shmangni ekspozimin në diell ose në temperatura mbi 38°C, pasi kjo gjë rrit rrezikun nga djegiet dhe sëmundjet e lidhura me nxehtësinë.
E përderisa kujdeseni për veten, mos harroni të kontaktoni edhe familjarët, miqtë dhe fqinjët tuaj të cilët pjesën më të madhe të kohës e kalojnë vetëm. Personat e grupeve të cenueshme mund të kenë nevojë për ndihmë në ditët e nxehta dhe nëse ndonjë i afërmi i juaj është në rrezik, ndihmojeni me këshilla dhe mbështetje duke respektuar rekomandimet për ruajtjen e distancës fizike. Personat që përdorin terapi të rregullt duhet të konsultohen me mjekët amë dhe farmacistët për efektet e mundshme të terapisë ndaj aftësisë së trupit për ta rregulluar temperaturën e trupit.
Për shkak të temperaturave të larta dhe rritjes së mundësisë së helmimit nga ushqimi dhe shfaqjes së sëmundjeve infektive të zorrëve, rekomandohet larja e produkteve bujqësore (perimet dhe frutat e freskëta) para përdorimit, përgatitja termike e ushqimit dhe konsumimi i tij në një kohë shumë të shkurtër pas përgatitjes, ose të vendoset në frigorifer në +4 gradë Celsius dhe para përdorimit të ngrohet në +100 gradë. Rekomandohet që të mos konsumohen produkte që nuk janë përpunuar termikisht.
OBSH/Evropa u rekomandon vendeve dhe rajoneve që të zhvillojnë dhe zbatojnë plane veprimi lidhur me ngrohjen. Këto plane kanë për qëllim të parandalojnë, reagojnë dhe të përmbajnë rreziqet që burojnë si pasojë e nxehtësisë për shëndetin dhe duhet të përfshijnë masa për parandalim afatgjatë, gatishmëri afatmesme dhe masa afatshkurtra të emergjencës. Republika e Maqedonisë së Veriut me Planin e veprimit për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit ndaj shëndetit të popullatës në Republikën e Maqedonisë, i cili është miratuar nga Qeveria në vitin 2011, zbaton aktivitete preventive për parandalimin dhe minimizimin e efekteve të dëmshme të mundshme shëndetësore nga temperaturat e larta.