• 19.07.2024

PAJISJET PËR KONDICIONIMIN E AJRIT DHE EFEKTET NDAJ SHËNDETIT


 Deri para pak kohë më parë, kondicionimi i ajrit ishte një luks të cilin mund t’ja lejonin vetes vetëm të privilegjuarit, por sot është normë në shumë ambiente afariste, zyra dhe sisteme të transportit publik, e në këtë mënyrë edhe pjesë e jetës tonë. Kondicionimi i ajrit përdoret në shtëpi dhe biznese në mbarë botën, por pak dihet për efektet e tij negative ndaj shëndetit. Edhe pse mund t’i bëjë ditët e verës më të rehatshme, mund edhe të përkeqësojë disa probleme shëndetësore dhe të ndotë ajrin me grimca organike dhe inorganike.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor (USEPA ose EPA) paralajmëron se përqendrimi i grimcave ndotëse në ajrin e brendshëm mund të jetë më i lartë se ai në ajrin e ndotur në mjedisin e jashtëm. Kjo rrit ndjeshëm rrezikun për njerëzit me probleme të frymëmarrjes dhe sëmundje kardiovaskulare që kalojnë një pjesë të kohës brenda. Kjo e rrit ndjeshëm rrezikun për njerëzit me probleme të frymëmarrjes dhe sëmundje kardiovaskulare që kalojnë një pjesë të kohës në mjedise të mbyllura. Lagështia në sistemet e kondicionimit mundëson ekspozimin ndaj agjensëve mikrobiologjikë, duke shkaktuar efekte shëndetësore nëpërmjet mekanizmave që përfshijnë efekte irrituese, toksike ose alergjike. Sipas EPA kondicionimi mund të kontribuojë në ndotjen dhe përhapjen e baktereve, mykut, viruseve, polenit dhe sekrecioneve dhe ekstrakteve të kafshëve. Si në rastin e shumë sëmundjeve të tjera, grup i rrezikuar, apo i cenueshëm janë fëmijët, adoleshentët, gratë shtatzëna dhe të moshuarit, sidomos ata me sëmundje të frymëmarrjes dhe sistem të dobët imunologjik.
 
 
Kondicionerët dhe vendi i punës
Ndenja gjithnjë e më shumë kohë në ambiente të mbyllura, dhe si rrjedhim ekspozimi ndaj kondicionerëve, mund të jetë një faktor rreziku për shfaqjen e të ashtuquajturës
“Sindroma e ndërtesave të sëmura” që u referohet simptomave që shfaqen te një numër i madh punonjësish në një ndërtesë, e të cilat zhduken pasi e ata largohen nga ajo. Kondicionerët mund të shkaktojnë probleme për njerëzit me probleme kronike të sinuseve, ndërsa për njerëzit që punojnë në mjedise me ajër të kondicionuar është dëshmuar se preken nga ftohja dhe gripi më shpesh sesa ata që punojnë jashtë. Është vërtetuar shkencërisht se trupi përjeton një shkallë të caktuar të stresit kur njerëzit detyrohen të kalojnë nga një mjedis i ngrohtë në një mjedis me ajër të kondicionuar dhe anasjelltas. Edhe pse më rrallë, nuk përjashtohen as sëmundjet imunologjike si pneumonia hipersensitive, shumë çrregullime respiratore dhe muskulo-skeletore, të cilat mund të shfaqen tek personat e ekspozuar ndaj kondicionerëve në mjedisin e punës. Gjithashtu është e qartë se personat që kalojnë pjesën më të madhe të kohës në ambiente me ajër të kondicionuar nuk janë në gjendje t’i përballojnë lehtë temperaturat e larta të verës. Si pasojë, gjatë shfaqjes së valëve të të nxehtit rritet numri i të vdekurve, që më së shumti vjen si pasojë e pamundësisë për t'u përshtatur me ndryshimet e menjëhershme dhe të mëdha të temperaturës, sidomos tek personat me sëmundje kronike.
 
Pikërisht për këtë, Instituti i Shëndetit Publik rekomandon adaptimin e trupit për të paktën 15 minuta në një ambient me temperaturë më afër temperaturës së jashtme. Ju mund ta bëni këtë, për shembull, duke e fikur kondicionerin, duke qëndruar në një dhomë më të ngrohtë, etj.
 
Cost-benefit e pajisjeve për kondicionimin e ajrit
 
Përfitime:
 Vapa e intensive ka një ndikim negativ në aktivitetin mendor dhe fizik të një personi dhe përdorimi i kondicionerëve i përmirëson ato deri në një masë të caktuar gjatë muajve të verës;
 Kondicionerët e përmirësojnë dhe rrisin nivelet e rehatisë në punë dhe pushim;
 Përmirëson efikasitetin e punës dhe mund të rezultojë në rritjen e aktivitetit fizik dhe intelektual;
 Temperatura më e ulët e zvogëlon praninë e parazitëve, insekteve, zvarranikëve dhe llojeve të tjera të kafshëve;
 Temperatura më e ulët ndikon në uljen e djersitjes, uljen e humbjes së lëngjeve dhe të rrezikut nga dehidrimi;
 Sistemi i pastër për kondicionimin e ajrit ndihmon në largimin e alergjenëve të jashtëm, siç është poleni;
 Nëse pajisja për kondicionimin e ajrit është e mirë dhe e mirëmbajtur, ajo pastron dhe përmirëson cilësinë e ajrit në ambientet e brendshme;
 E redukton zhurmën në ambientet e brendshme.
 
Rreziqet:
 Ndryshimet e papritura të temperaturës dhe lagështisë së ajrit ndikojnë negativisht në sistemin e frymëmarrjes - gulçim, tharje e fytit, kollë e thatë dhe irrituese, teshtitje, simptoma të ngjashme me gripin, etj;
 Përdorimi i vazhdueshëm i kondicionerëve shoqërohet me shfaqjen e simptomave në rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe përkeqësimin e rinitit kronik, sinusitit dhe faringitit, acarimin dhe ngjirjen e zërit, infeksioneve të veshit e deri te sëmundjet e stomakut;
 Tharje dhe acarim i mukozave;
 Kondicionerët mund të shkaktojnë ose t’i intensifikojnë problemet e syve si konjuktiviti dhe blefariti dhe të shkaktojnë probleme me lentet e kontaktit te njerëzit që i përdorin ato rregullisht;
 Parezë muskulore;
 Kondicionerët i përkeqësojnë efektet e artritit dhe neuritit;
 Intolerancë ndaj të nxehtit;
 Me qarkullimin e vazhdueshëm të ajrit, shkaktarët e sëmundjeve infektive mund të përcillen në organet e frymëmarrjes;
 Pluhuri, grimcat organike dhe kërpudhat mund të shkaktojnë reaksione alergjike;
 Kondicionerët me funksionim të vazhdueshëm kontribuojnë në rritjen e nivelit të zhurmës së ambientit.
 
Të mbahet mend:
 
 Ambientet me ajër të kondicionuar duhet të ajrosen rregullisht;
 Instalimi dhe mirëmbajtja profesionale janë thelbësore si për njësitë qendrore të ajrit të kondicionuar ashtu edhe për kondicionerët e njësive të brendshme dhe të jashtme;
 Është mirë që temperatura në ambientet e mbyllura të mbahet nga 21º deri në 25ºC. Megjithatë, gjatë valës së të nxehtit, temperatura nuk duhet të jetë nën 25ºC;
 Lagështia relative në ambientet e mbyllura duhet të mbahet nga 60% dhe 70%;
 Kondicionerët duhet të pastrohen dhe dezinfektohen rregullisht dhe në mënyrën e duhur, mundësisht dy herë në vit para stinës së dimrit dhe verës.