• 30.08.2024

INFORMACION PËR REGJISTRIMIN E RASTIT TË TRETË ME ETHET E NILIT PERËNDIMOR


 Hyrje

Virusi West Nile (WNV) është një arbovirus që i përket familjes së flavoviruseve. Ai u zbulua në vitin 1937 në Ugandë dhe prania e tij është dokumentuar pothuajse në të gjitha kontinentet - në Afrikë, Amerikë, Azi, Australi, Evropë dhe Lindjen e Mesme.

Infeksioni me WNV përcillet nga vektorët dhe më së shumti i prek zogjtë e egër. Infeksionin mes tyre e përcjellin lloje të ndryshme të mushkonjave. Njerëzit dhe zogjtë, e sidomos kuajt, janë nikoqirë të rastësishëm dhe kanë një rol të kufizuar në ciklin natyror të tij.

Njerëzit më së shpeshti infektohen nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Sëmundja nuk transmetohet nga një person tek një person tjetër, por nuk përjashtohet mundësia e transmetimit përmes transfuzionit të gjakut dhe transplantimit të organeve.

Periudha e inkubacionit zakonisht zgjat nga 3 deri në 14 ditë.

Rreth 80% e infeksioneve tek njerëzit kalojnë pa manifestuar simptoma. 20% e të infektuarve kanë infeksione simptomatike, që zakonisht shoqërohen me ethe të cilat qetësohen vetë, ndërsa tek më pak se 1% e njerëzve të infektuar zhvillohet formë e rëndë e sëmundjes, me një pasqyrë klinike të rëndë dhe që mund të shkaktojë edhe vdekje  (p.sh. inflamacion i trurit , inflamacion i membranave të trurit ose paralizë).

Nuk ka terapi të veçantë për këtë infeksion, ndërsa trajtimi ka për qëllim kryesisht mjekimin e simptomave. Kujdesi adekuat intensiv mjekësor jep një mundësi më të madhe për mbijetesë për pacientët me forma të rënda. Tek rastet e rënda vdekshmëria është 3-15% dhe rritet me kalimin e moshës. Për ata që mbijetojnë shërimi është i gjatë, me një lodhje të vazhdueshme, dobësi të muskujve, vështirësi në ecje, humbje të kujtesës, depresion e të ngjashme.

Nuk ka vaksinë për njerëzit.

Mënyra më e mirë e prandalimit është evitimi i pickimit nga mushkonjat.

 

Gjendja në vitin 2024 në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Mbikëqyrja sezonale ndaj kësaj sëmundjeje në Evropë kryhet nga muaji qershor deri në muajin nëntor, pra në sezonin e përhapjes së mundshme kur ka prani masive të mushkonjave si vektorë të sëmundjes.

RMV gjatë vitit 2024 janë raportuar gjithsej 3 raste laboratorike të konfirmuara me ethet e Nilit Perëndimor.

Rasti i parë i importuar është regjistruar në prill të vitit 2024 tek një banor i komunës së Vasilevës, në territorin e Qendrës së Shëndetit Publik Strumicë.

Edhe rasti i dytë është i importuar, në muajin korrik të vitit 2024, tek një banor i Koçanit.

Rasti i tretë është autokton, është regjistruar në muajin gusht të vitit 2024, tek një banor i Tetovës.

 

Informacion për rastin e tretë me WNV

Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve ngjitëse është informuar për një rast me ethet e Nilit Perëndimor nga Njësia e virologjisë pranë ISHP-së përmes një Raporti për izolimin/konfirmimin e një shkaktari të dorëzuar më 22 gusht 2024.

Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve ngjitëse menjëherë e ka njoftuar epidemiologun kompetent në Spitalin e Tetovës.

Rasti i regjistruar është një 60-vjeçarе nga Tetova.

 

Të dhëna klinike:

Simptomat fillestare të pacientes kanë filluar më 13 gusht të vitit 2024 me  një debulesë të përgjithshme, pas së cilës ajo ka vizituar mjekun amë, ku i është dhënë terapi. Për shkak të manifestimit të konfuzionit dhe çorientimit, me 15.08.2024 ajo është dërguar në SK Tetovë ku i janë kryer procedura neurologjike diagnostike. Me datë 16.08.2024 pacientja ka pasur çrregullim të baraspeshës dhe kolaps, me ç'rast rrëzimi i ka ndodhur në shtëpi, është transferuar në Spitalin e Tetovës, ku i është konstatuar temperaturë e rritur trupore (deri në 39,5°C), ethe, pas çka i është dhënë  terapi adekuate. Për shkak të mospërmirësimit të gjendjes më 19 gusht të vitit 2024 për shkak të dyshimeve për meningjit, pacientja është transferuar në KU sëmundje infektive dhe gjendjeve febrile në Shkup. Atje janë marrë mostra për analiza mikrobiologjike për më shumë shkaktarë.

Me ndihmën e analizave serologjike në serum dhe lëngun cerebrospinal në laboratorin virologjik pranë ISHP-së janë fituar të dhëna për praninë e antitrupave kundër shkaktarit – WNV, përkatësisht është konfirmuar sëmundja Ethet e Nilit Perëndimor.

Pacientja ende është e hospitalizuarUK të sëmundjeve infektive dhe gjendjeve febrile në Shkup.

 

Të dhëna epidemiologjike:

Të dhënat gjatë hulumtimit epidemiologjik nga ana e epidemiologut nga ISHP janë marrë nga pacientja, infektologu dhe dokumentacioni mjekësor.

Pacientja mohon se ka udhëtuar jashtë vendit, si dhe jashtë vendit të banimit (nëpër RMV) gjatë periudhës së inkubacionit. Ajo ka vënë re shenja të pickimit nga mushkonjat deri në 15 ditë para fillimit të simptomave. Nuk ka anëtarë të tjerë të familjes me simptoma të ngjashme.

Në rajonin e Tetovës është vënë re prani e mushkonjave. Sipas informacioneve nga epidemiologu kompetent ende  po vijon procedura e tenderimit, pra deri më tani nuk është kryer asnjë aktivitet për dezinsektim.

 

Vlerësimi i rrezikut:

Kjo sëmundje në RMV është regjistruar me raste sporadike, kryesisht te pacientët e testuar me forma neuroinvazive të sëmundjes.

Sëmundjet që përcillen nga vektorët po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme dhe po ndryshojnë pasqyrën e ngarkesës nga sëmundjet ngjitëse. Ndryshimet klimatike ndikojnë shumë në shpërndarjen dhe aktivitetin e vektorëve. Shumë nga këto sëmundje janë tashmë të pranishme në RMV (sëmundja Lajm, ethet e Nilit Perëndimor, disa ethe hemorragjike, tularemia, etj.), ndërsa të tjera si malaria, dengoja, çikungunia dhe shumë të tjera rrezikojnë të futen në vendin tonë.

 

Duke e pasur parasysh këtë, ekziston mundësia për paraqitjen dhe raportimin e rasteve të reja në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ekziston një rrezik mesatar për popullatën në periudhën pranverë-verë, por ai mund të minimizohet duke iu përmbajtur rekomandimeve për parandalim që i përcjellin institucionet kompetente.

 

Masat e ndërmarra: Janë ndërmarrë këto masa:

1. Për të sëmurën është përgatitur anketa epidemiologjike nga një epidemiolog nga ISHP.

2. Është mbajtur një kontakt i vazhdueshëm me epidemiologun nga QSHP Tetovë.

3. Është dorëzuar Raport për sëmundje ngjitëse dhe Raport për shkaktar të izoluar.

 

Mara të rekomanduara:

1.      Për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes është i nevojshëm edukimi i popullatës përmes përgatitjes së materialit përkatës edukativ për sëmundjen, mënyrat e transmetimit, si dhe mundësitë e parandalimit.

2.      Mjekët amë dhe infektologët duhet të informohen për shfaqjen e sëmundjes me qëllim diagnostikimin e saj më të lehtë dhe raportimin sa më të shpejtë pranë shërbimeve kompetente.

3.      Realizimi i planifikuar i aktiviteteve të DDD (sipas Planit të dorëzuar në komunë) si dhe dezinsektimi sipas indikacioneve epidemiologjike.

4.      Dorëzimi me kohë i raportit për sëmundje/vdekje nga sëmundje ngjitëse nga mjeku i institucionit shëndetësor i cili e ka diagnostikuar sëmundjen në përputhje me dispozitat e Ligjit për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet ngjitëse.

5.      Dorëzimi me kohë i Raportimit për shkaktar të izoluar ose të vërtetuar në ndonjë mënyrë tjetër nga laboratorët që kryejnë diagnostikim në përputhje me dispozitat e Ligjit për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet ngjitëse.

 

Parandalimi i sëmundjeve që përcillen nga mushkonjat:

1.      Мasa që ndërmerren në mjedisin jetësor (zvogëlimi i popullatës së mushkonjave dhe qëndrimit të tyre në mjediset ku jetojnë njerëzit).

ü  Parandaloni shtimin e mushkonjave në mjedisin tuaj:

§  Mos lini fuçi të hapura, kova, mjete për lëvizje në ujë (varka, kanu) dhe goma të vjetra në oborre ku mund të mblidhen ujërat e shiut!

§  Pastroni rregullisht ulluqet për të mundësuar rrjedhje të papenguar të ujit të shiut!

§  Mbani të pastra pishinat, pishinat dekorative, shatërvanët!

§  Mos krijoni pellgje në oborret tuaja.

ü  Zvogëloni mundësinë e ekspozimit ndaj mushkonjave:

§  Përdorni qirinj aromatikë, spirale aromatike, si repelentë mbrojtës gjatë qëndrimit jashtë dhe në natyrë (kopsht, oborr).

§  Përdorni llamba të posaçme, fenerë,  pajisje që i largojnë mushkonjat me zë!

§  Vendosni rrjeta mbrojtëse në dyert dhe dritaret e shtëpisë!

§  Shmangni daljen dhe qëndrimin jashtë në agim ose muzg, kur mushkonjat janë më aktive!

2.      Masa për mbrojtje personale nga pickimi i mushkonjave.

ü  Vishni veshje adekuate, mundësisht me ngjyra të hapura, që do mbulojnë sa më shumë trupin/lëkurën tuaj (mëngë të gjata, pantallona të gjata, çorape, kapele...)!

ü  Aplikoni mjete mbrojtëse (repelentë) në formë kremi, stiku, spraji për lëkurën dhe rrobat, e i dëbojnë mushkonjat!

ü  Mos përdorni produkte për mbrojtjen e prerjeve, plagëve të hapura, nën rroba, rreth syve dhe gojës, në pëllëmbë! Bëni kujdes me fëmijët e vegjël!!!

ü  Udhëtarët që udhëtojnë/qëndrojnë në vende apo rajone ku janë regjistruar sëmundje që përcillen nga mushkonjat gjatë qëndrimit të tyre atje duhet të përdorin repelentë, ndërsa dritaret dhe shtretërit e gjumit duhet të rrethohen me rrjeta mbrojtëse, të njomura ose spërkatura me një insekticid adekuat!!!

ü  Pas kthimit në shtëpi, këta persona duhet të jenë të vetëdijshëm për infektimin e mundshëm të tyre gjatë qëndrimit në zona të tilla dhe ta monitorojnë gjendjen e tyre shëndetësore. Nëse shfaqin simptoma të sëmundjes, ata duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore dhe ta informojnë mjekun për qëndrimin në zonat ku ekzistojnë sëmundje që përhapen nga mushkonjat. Diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi në kohë mund ta parandalojnë shfaqjen e një forme të rëndë të sëmundjes, e cila mund të përfundojë me dëmtim të rëndë shëndetit dhe me pasoja të rënda ose me vdekje.

 

 

Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve ngjitëse praISHP-së është në komunikim me QSHP Tetovë dhe e monitoron situatën, ndërsa nëse ka ndryshim, do informojë në kohë.

 

 

 

Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve ngjitëse

Instituti i Shëndetit Publik

30.08.2024