• 20.09.2024

Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Alzheimerin


Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Alzheimerin shënohet çdo vit më 21 shtator për ta rritur ndërgjegjësimin për sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen njerëzit me këtë sëmundje dhe familjet e tyre, dhe për të punuar në reduktimin e stigmës që e rrethon atë.

Sëmundja e Alzheimerit (latinisht: Morbus Alzheimer) — sëmundje nga grupi i sëmundjeve neurodegjenerative. Zakonisht prek popullatën mbi 65 vjet dhe është përgjegjëse për 60% të sëmundjeve të demencës, e ndjekur nga demenca vaskulare në vendin e dytë dhe demenca alkoolike në vendin e tretë.

Sëmundja e Alzheimerit është një sëmundje progresive, fatale e trurit, e cila karakterizohet me humbje të kujtesës, humbje të aftësisë të të folurit dhe të menduarit, si dhe me ndryshime të humorit dhe sjelljes. Është e njohur globalisht se kjo sëmundje është multifaktoriale, heterogjene dhe e pakthyeshme, ndërsa shfaqja dhe zhvillimi i saj ndihmohen nga një kombinim i faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë. Megjithatë, ndryshimet biologjike në tru mund të ndodhin edhe me dekada para simptomave të para. Në fazat e fundit të sëmundjes, njerëzit shpesh nuk janë në gjendje të komunikojnë dhe janë plotësisht të varur nga të tjerët, madje edhe për detyra të thjeshta të përditshme.

Sëmundja e Alzheimerit dëmton tetë funksione kognitive - kujtesën, të folurit, perceptimin, vëmendjen, aftësitë konstruktive, orientimin, zgjidhjen e problemeve dhe aftësitë funksionale.

Shenjat paralajmëruese

Sipas Institutit Kombëtar të ShBA-së për Plakjen, ekzistojnë shtatë shenja paralajmëruese të sëmundjes:

1. Përsëritja e të njëjtave pyetje

2. Përsëritja e së njëjtës histori

3. Personi i sëmurë nuk di të kryejë disa aktivitete ditore, p.sh. gatim, duke luajtur letra, të përdorë telekomandën

4. Personi i sëmurë nuk di t’i menaxhojë paratë, llogaritë, transfertat etj.

5. Personi i sëmurë nuk mund të gjejë objekte të caktuara ose i vendos në vende të pazakonta dhe mendon se persona të tjerë i kanë lëvizur

6. Neglizhimi i pamjes së jashtme

7. Personi i sëmurë u përgjigjet pyetjeve duke e përsëritur të njëjtën pyetje që i drejtohet atij

 Përparimi i sëmundjes së Alzheimerit zhvillohet në tre faza

Disa karakteristika të sëmundjes së Alzheimerit në të shumtën e rasteve klasifikohen në tre shkallë ose faza. Jo të gjitha këto karakteristika do të jenë të pranishme tek çdo person dhe ato mund të shfaqen në faza të ndryshme.

Faza e lehtë ose e hershme e sëmundjes së Alzheimerit

Ndonjëherë kjo fazë bëhet e dukshme vetëm në retrospektivë. Fillimi i sëmundjes së Alzheimerit është zakonisht gradual dhe shpesh është e pamundur të identifikohet se kur saktësisht ka filluar.

Personi mund: • të duket më apatik • ta humbasë interesin për hobi dhe aktivitete • të jetë më pak i gatshëm të provojë gjëra të reja • të jetë më pak i aftë për t'u përshtatur me ndryshimet • të jetë më i ngadalshëm për t’i kuptuar idetë komplekse dhe të ketë nevojë për më shumë kohë për gjërat rutinë • të fillojë t’i harrojë ngjarjet e kohëve të fundit • të bëhet konfuz ose i çorientuar për kohën dhe vendin • të humbet nëse ndodhet larg mjedisit që e ka të njohur • ta përsërisë veten ose ta humbasë fillin e bisedës • të jetë më nervoz ose më i shqetësuar nëse bëhet një gabim • të ketë vështirësi në menaxhimin e financave • ta ketë të vështirë të blejë ose të përgatisë vakte.

Faza e moderuar e sëmundjes së Alzheimerit

Në këtë fazë ndikimet e sëmundjes janë më të dukshme dhe më të pranishme. Një person mund të përjetojë sfida të rëndësishme në pavarësinë e tij dhe të ketë nevojë për mbështetje të përditshme.

Personi mund: • t’i harrojë ngjarjet aktuale dhe ato të kohëve të fundit, edhe pse në përgjithësi kujton të kaluarën e largët, edhe nëse detajet mund të harrohen ose ngatërrohen • shpesh ngatërrohet për kohën dhe vendin • humbet më lehtë • harron emrat e familjarëve ose miqve ose ose i ngatërron anëtarët e largët të familjes • harron tenxheret ose çajnikët në sobë • është më pak i aftë për të bërë llogaritje të thjeshta • ka gjykim të dobët dhe merr vendime të gabuara • sheh ose dëgjon gjëra që nuk janë aty ose bëhet dyshues për njerëzit e tjerë • e përsërit veten • e neglizhon higjienën personale ose duke ushqimin • nuk mund të zgjedhë veshje të përshtatshme për motin, rastin ose orën e ditës • zemërohet, nervozohet ose shqetësohet për shkak të frustrimit.

Faza e avancuar e sëmundjes së Alzheimerit

Në këtë fazë, personi është i prekur rëndë nga demenca dhe ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm për të gjitha aktivitetet e përditshme.

Personi mund: • të mos jetë në gjendje t’i mbajë mend ngjarjet aktuale ose të fundit, si p.sh. harron që sapo ka ngrënë ose nuk mund të kujtojë se ku jeton • të mos jetë në gjendje të kujtojë ngjarje ose fakte të rëndësishme nga jeta e tij e mëhershme • të jetë konfuz kur përpiqet t’i njohë miqtë dhe familjarët • të mos i dallojë objektet e përditshme ose të mos kuptojë se për çfarë përdoren • të humbasë aftësinë për të kuptuar ose folur • të ketë nevojë për ndihmë për të ngrënë, larë, për të larë dhëmbët, për të shkuar në tualet dhe për tu veshur • të vuajë nga inkontinenca • të përjetojë çrregullim të gjumit • të jetë i shqetësuar ose nervoz • të bërtasë ose të ketë shpërthime agresive shpesh• të ketë vështirësi në ecje dhe probleme të tjera me lëvizjen.

Faktorët e rrezikut për sëmundjen e Alzheimerit

Mosha: Është markeri kryesor i rrezikut për shfaqjen e kësaj sëmundjeje, kështu që prevalenca rritet me rritjen e moshës, duke u dyfishuar çdo 5 vjet pas moshës 60 vjeçare. Gjinia: Femrat vuajnë nga kjo sëmundje më shumë se meshkujt.

Historia familjare e demencës: nga 40 deri më 50% e pacientëve me Alzheimer kanë një anëtar të familjes që ka ose ka pasur demencë.

Arsimi: Edhe pse sëmundja e Alzheimerit mund të prekë njerëzit me çdo nivel arsimimi, ajo përsëri prek më shumë personat me më pak arsim.

Ushqimi: Konsumi i shumë kalorive mund të jetë një faktor rreziku për këtë sëmundje. Acidet yndyrore të pangopura dhe suplementet (vitamina E dhe C) kanë treguar një rol neuroprotektiv kundër sëmundjes së Alzheimerit.

Meqë sëmundja e Alzheimerit shfaqet te njerëzit e moshuar, zakonisht më të vjetër se 65 vjet, incidenca e kësaj sëmundjeje tek popullata e përgjithshme është e ulët, rreth 2%. Megjithatë, tek popullata e moshuar prevalenca arrin deri në 15%, e cila rritet me rritjen e moshës. Tek njerëzit më të vjetër se 85 vjet prevalenca arrin nga 30-40%, që është deri tani lloji më i përhapur i demencës. Sëmundja e Alzheimerit është një epidemi e shekullit të 21-të ose një hajdut i heshtur i kujtimeve. Këto sinonime të sëmundjes Alzheimer, në vetvete, e pasqyrojnë seriozitetin e këtij fenomeni, i cili prek drejtpërdrejt më shumë se 46,8 milionë njerëz në mbarë botën. Statistikat e verifikuara shtesë nga parashikimet hulumtuese parashikojnë më shumë se deri në vitin 2050 do ketë 135 milionë njerëz që vuajnë nga sëmundja e Alzheimerit, ndërsa çdo vit diagnostikohen 9.9 milionë njerëz me demencë.

Si trajtohet sëmundja e Alzheimerit?

Terapia mjekësore mund të ndihmojë në stabilizimin ose ngadalësimin e humbjes së kujtesës dhe aftësive të të menduarit. Barnat mund të përshkruhen edhe për simptoma sekondare si ankthi ose depresioni ose për ta përmirësuar gjumin. Edhe terapitë pa barna mund të jenë të dobishme, si për shembull ruajtja e aktivitetit dhe lidhjes sociale dhe përballimi me stresin. Biseda me këshilltarin ose psikologun është e rëndësishme për të ndihmuar në menaxhimin e ndryshimeve bihejviorale dhe humorit. Terapia profesionale mund të ndihmojë në përmirësimin e funksionimit të përditshëm në shtëpi.

Në të gjitha fazat e sëmundjes Alzheimer ka në dispozicion trajtime dhe shërbime mbështetëse për ta zvogëluar ndikimin e simptomave, për ta siguruar cilësinë më të mirë të mundshme të jetës për çdo person që jeton me këtë gjendje.

Terapia mjekësore mund ta përmirësojë cilësinë e jetës së njerëzve që jetojnë me sëmundjen Alzheimer dhe kujdestarëve të tyre. Për momentin nuk ka një kurë të njohur për sëmundjen e Alzheimerit dhe kjo është një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik sot. Trajtimet aktuale janë të përqendruara në lehtësimin e simptomave. Ata nuk janë në gjendje ta ndalojnë përparimin e sëmundjes, sepse nuk ndikojnë në shkaqet themelore të sëmundjes dhe kanë për qëllim zvogëlimin e ndikimit të simptomave, për të siguruar një cilësi më të mirë të jetës për çdo person që jeton me këtë gjendje. Sëmundja e Alzheimerit është një problem i madh për shoqërinë pasi bashkë me pacientët ajo prek edhe me qindra miliona kujdestarë dhe anëtarë të familjes që bashkëvuajnë emocionalisht, fizikisht dhe financiarisht.

Trajtimi realizohet në disa fusha:

·         duke i ndihmuar njerëzit që ta ruajnë funksionin mendor.

·         duke menaxhuar me simptomat bihejviorale.

·         duke i ngadalësuar ose duke u shtyrë simptomat e sëmundjes.

Është e nevojshme të ndihmohen familjet në kujdesin për të dashurit e tyre jo vetëm për t’i dhënë barnat, sepse disa prej tyre nuk kanë njohuritë e duhura për atë se si të përballen me sjellje të caktuara të personit që vuan nga kjo sëmundje. Kjo mbështetje mund të bëjë një ndryshim pozitiv në menaxhimin e gjendjes. Një sërë qasjesh dhe aktivitetesh mund t’i angazhojnë aftësitë dhe interesat e personit që jeton me demencë për të jetuar mirë për aq kohë sa i ka mbetur. Duhen bërë përpjekje intensive nga institucionet për ta përmirësuar kujdesin shëndetësor dhe për t’i mbështetur personat me këtë sëmundje dhe familjet e tyre. Duhen kujdestarë profesionistë, qendra ditore për t'u kujdesur për personat me këtë sëmundje. Sëmundja Alzheimer vjedh kujtimet, por institucionet dhe shteti nuk duhet të lejojnë që t'u vjedhë cilësinë e jetës, dashurinë, gëzimin, lumturinë. Këto janë emocione, jo kujtime.

Literatura

Alzheimer’s Association. 2015 Alzheimer’s Disease Facts and Figures. Alzheimer’s & Dementia Alzheimer’s Disease International. World Alzheimer Report 2015: The Global Impact of Dementia. Mund ta gjeni në:

 http://www.alz.co.uk/research/WorldAlzheimerReport2015.pdf. https://www.dementia.org.au

Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve