- 01.10.2024
1 TETORI – DITA NDËRKOMBËTARE E PERSONAVE TË MOSHUAR
Çdo vit më 1 tetor njerëzit në mbarë botën e shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Personave të Moshuar të Kombeve të Bashkuara për ta rritur ndërgjegjësimin për mundësitë dhe sfidat me të cilat përballen njerëzit në këtë moshë. Gjithashtu një nga qëllimet është mobilizimi i komuniteteve për tu përballuar me vështirësitë me të cilat përballen të moshuarit. Të moshuarit luajnë një rol të rëndësishëm në komunitetet tona si: kujdestarë, vullnetarë, aktivistë dhe ndërmjetës në komunitet. Por këto kontribute jetike shpesh anashkalohen ose kufizohen nga barriera të tjera sociale dhe fizike. Ne të gjithë duhet ta realizojmë pjesën tonë për t'i bërë komunat dhe komunitetet vende më të aksesueshme dhe të përballueshme për plakje, dhe për t'u mundësuar të moshuarve të ndihen të dobishëm në vendet ku jetojnë.
Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Personave të Moshuar ne i kremtojmë rolet jetike që i luajnë të moshuarit dhe potencialin dhe mundësinë që kanë për t'i bërë komunitetet vende më të mira për të jetuar. Këtë vit Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar shënohet me temën: Plakja me dinjitet: Rëndësia e përforcimit të sistemeve të kujdesit dhe mbështetjes për të moshuarit në mbarë botën.
Të gjitha vendet përballen me sfida të mëdha për të siguruar që sistemet e tyre sociale dhe shëndetësore të jenë të përgatitur për ta shfrytëzuar maksimumin e ndryshimeve demografike.
Ngjarjet e këtij viti që do të organizohen në mbarë botën kanë për qëllim të mbledhin në një vend ekspertë për t’i diskutuar politikat, legjislacionin dhe praktikat që i përforcojnë sistemet e kujdesit dhe mbështetjes për të moshuarit. Dhe për t’i perceptuar dhe theksuar nevojat urgjente për zgjerimin e mundësive për trajnim dhe edukim në geriatri dhe gerontologji.
Numri i njerëzve të moshës 65 vjet e më shumë në mbarë botën pritet të dyfishohet, duke u rritur nga 761 milion në vitin 2021 në 1,6 miliardë në vitin 2050. Numri i njerëzve të moshës 80 vjet e më shumë po rritet edhe më shpejt. Në nivel global, foshnjat e lindura në vitin 2022 pritet të jetojnë mesatarisht 71,7 vjet, 25 vjet më shumë se ato të lindura në vitin 1950. Plakja e popullsisë është një trend i pakthyeshëm global. Në vitin 2021, 1 në 10 njerëz në botë kanë qenë mbi 65 vjet. Në vitin 2050 kjo grupmoshë parashikohet të përfshijë 1 në 6 persona.
Republika e Maqedonisë së Veriut nuk bën përjashtim kur bëhet fjalë për trendin e plakjes së popullsisë. Në periudhën 2013-2023 përqindja e popullsisë së moshuar mbi 65 vjet u rrit nga 13.1% në 18.1%. Sipas të dhënave të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave, numri i përgjithshëm i personave mbi 65 vjet në Maqedoninë e Veriut është 315.331, ndërsa numri i të porsalindurve është në rënie. Gratë priren të jetojnë më gjatë se burrat dhe për këtë arsye përbëjnë shumicën e të moshuarve si në vendin tonë ashtu edhe në mbarë botën.
Gjendjet e zakonshme shëndetësore që lidhen me plakjen
Në gjendjet e zakonshme shëndetësore në pleqëri bëjnë pjesë: humbja e dëgjimit, kataraktet, osteoartriti, sëmundjet pulmonare obstruktive kronike, diabeti, demenca dhe depresioni. Me plakjen personat ka gjasa të vuajnë nga më shumë gjendje shëndetësore njëkohësisht.
Në moshë më të madhe karakteristike është shfaqja e disa gjendjeve komplekse shëndetësore, të cilat zakonisht quhen sindroma geriatrike. Ato shpesh janë rezultat i faktorëve të shumtë themelorë dhe përfshijnë dobësi, inkontinecë, rrëzime, delir, ulçera.
Me plakjen e popullsisë rritet ndjeshëm edhe kërkesa për mbrojtje shëndetësore gjithëpërfshirëse dhe shërbime mbështetëse sociale, veçanërisht për të moshuarit me kushte të tilla si demenca.
Faktorë që ndikojnë për një plakje të shëndetshme
Jeta më e gjatë bart me vete mundësi jo vetëm për të moshuarit dhe familjet e tyre, por edhe për shoqëritë në tërësi. Vitet shtesë ofrojnë mundësi për të vazhduar me aktivitete të tjera si arsimimi i mëtejshëm ose një tjetër pasion apo hobi i lënë pas dore që do ta përmbushte personin në fjalë. Të moshuarit kontribuojnë shumë edhe për familjet ose komunitetet e tyre. Megjithatë, të gjitha ato mundësi dhe i gjithë ai kontribut varet nga një faktor kryesor, që është shëndeti.
Provat sugjerojnë se pjesa e jetës me shëndet të mirë ka mbetur kryesisht konstante që do të thotë se vitet e tjera kalohen në shëndet të dobët. Njerëzit mund t'i përjetojnë këto vite shtesë të jetës me shëndet të mirë nëse jetojnë në një mjedis që mbështet aftësitë e tyre dhe natyrisht nëse i bëjnë gjërat që u japin kënaqësi. Nëse këto vite kalohen me një rënie të kapaciteteve fizike dhe mendore, atëherë implikimet për të moshuarit dhe për shoqërinë janë negative.
Edhe pse një pjesë e ndryshimeve shëndetësore tek të moshuarit janë gjenetike, shumica e tyre janë si rrezultat i mjediset fizik dhe social të njerëzve duke përfshirë këtu shtëpitë, lagjet dhe komunitetet e tyre si dhe karakteristikat e tyre personale si gjinia, përkatësia etnike ose statusi socio-ekonomik. Të gjitha këto karakteristika kontribuojnë në mënyrën se si njerëzit do të plaken. Mjedisi fizik dhe social mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndetin, përmes barrierave ose stimujve që ndikojnë në mundësitë, si dhe në vendimet për sjellje të mirë shëndetësore. Ruajtja e sjelljes së shëndetshme gjatë gjithë jetës, sidomos ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti i rregullt fizik dhe mospërdorimi i duhanit dhe produkteve të duhanit, e gjithë kjo kontribuon në reduktimin e faktorëve të rrezikut nga sëmundjet jo infektive, si dhe në përmirësimin e kapaciteteve fizike dhe mendore, por edhe në shtyrjen e varësisë nga personat e tjerë për kujdes.
Përgatiti : Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve