• 17.10.2024

17 Tetori - Dita Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë


 Tema për këtë vit është "T’i japim fund abuzimit social dhe institucional, të veprojmë së bashku për shoqëri të drejta, paqësore dhe gjithëpërfshirëse".

Dita Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë festohet çdo vit që nga viti 1987 kur një tubim masiv në Paris varfëria u shpall si shkelje e të drejtave të njeriut. Kjo ngjarje e theksoi nevojën për veprim kolektiv për ta garantuar respektimin e këtyre të drejtave. Nga ajo ditë njerëzit me prejardhje të ndryshme mblidhen çdo vit për ta shprehur solidaritetin me ata që jetojnë në varfëri. Një kopje e gurit përkujtimor, e zbuluar gjatë mbledhjes fillestare, shërben si një pikë qendrore për shënimin global, përfshirë edhe në selinë e Kombeve të Bashkuara.

Varfëria ka dimensione të shumta, disa janë të dukshme, ndërsa disa janë të fshehura, por të gjitha janë të lidhura ndërmjet veti. Tema e Ditës Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë (IDEP) për periudhën 2024-2025 do të nxjerrë në pah një nga dimensionet e fshehura të varfërisë, abuzimin social dhe institucional që e përjetojnë njerëzit që jetojnë në varfëri dhe do t’i shqyrtojë opsionet për veprim të përbashkët me Qëllimet për Zhvillim të Qëndrueshëm (QZHQ) 16, për të promovuar shoqëri të drejta, paqësore dhe gjithëpërfshirëse.

“Abuzimi social dhe institucional e shkatërron dinjitetin njerëzor. Shpesh ju bën të ndiheni të dobët, sepse e përdorni të gjithë energjinë tuaj për të bërë diçka dhe në fund nuk shihni kurrëfarë rezultati. Kjo është diçka që shkakton ndarje”.

Njerëzit që jetojnë në varfëri përballen me qëndrime negative. Ata stigmatizohen, diskriminohen, gjykohen për shkak të pamjes, theksit, adresës (ose mungesë të saj), fajësohen për gjendjen e tyre dhe trajtohen me mungesë respekti. Abuzimi është më i theksuar tek njerëzit që përballen me forma të tjera paragjykimesh, duke përfshirë edhe gjininë, orientimin seksual, racën ose përkatësinë etnike. Abuzimi social krijon një mjedis për abuzim institucional në kombinim me qëndrimet negative (mosbesimin, mosrespektimin), si dhe kontrollim të politikave dhe praktikave diskriminuese, duke i privuar njerëzit nga të drejtat e tyre themelore siç është qasja në kujdes shëndetësor, arsim, strehim dhe identitet ligjor.

Institucionet formale, qofshin publike apo private, e formësojnë përvojën negative të varfërisë përmes diskursit publik dhe hartimit, kodifikimit dhe zbatimit të politikave dhe shërbimeve. Në kuadër të politikave institucionet priren t’i reflektojnë dhe përforcojnë qëndrimet dhe praktikat diskriminuese në vend që t'i sfidojnë ato. Ngjashëm me këtë hartimi dhe zbatimi i politikave priren t’i përjashtojnë njerëzit që jetojnë në varfëri dhe të dështojnë për të dhënë një reagim adekuat për sa i përket plotësimit të nevojave të tyre themelore.

Varfëria është prezente edhe në vendet shumë të zhvilluara që me dekada kanë programe për mbrojtje sociale. Jo rrallë herë njerëzit e varfër që kanë interaksion me institucionet shihen me paragjykim dhe përçmim. Ata ndihen të refuzuar, joadekuat ose të poshtëruar dhe kur përpiqen të dalin nga varfëria, atyre u mungon qasja dhe mbështetja nga institucionet.

Në disa pjesë të botës abuzimi institucional i familjeve që jetojnë në varfëri është gjithashtu një arsye për shqetësim, sepse qëndrimet dhe praktikat e ofruesve të shërbimeve shtetërore i bëjnë prindërit të ndihen të papërshtatshëm dhe të turpëruar për gjendjen e tyre dhe të kenë frikë se mos ua marrin fëmijët.

Njerëzit që përballen me varfërinë kanë zgjedhje të kufizuara dhe zëri i tyre nuk dëgjohet gjatë vendimmarrjes shoqërore. Të jetosh në varfëri do të thotë të injorohesh, të përjashtohesh dhe të shfrytëzohesh, të përjetosh vuajtje intensive fizike, mendore dhe emocionale - ndjenjë pasigurie, frike dhe dëshpërimi. Duke i pasur parasysh qëndrimet dhe praktikat diskriminuese të rrënjosura thellë, njerëzit ndihen edhe të pashpresë dhe të pafuqishëm. Përvojat e përditshme me padrejtësinë dhe dehumanizimin ua minojnë vetëvlerësimin, ua shkatërrojnë vetëperceptimin, ua mohojnë njerëzve dinjitetin dhe shanset për të shpëtuar nga varfëria. Abuzimi social dhe institucional është një humbje katastrofale e potencialit njerëzor në shoqëri. “Kur jetoni në varfëri ekstreme, ju jeni të mbërthyer në një sistem kompleks të marrëdhënieve të fuqisë dhe dominimit. Duhet të miratohet një qasje sistemore që do të tregojë se si këto dimensione të ndryshme mund të ndërveprojnë me njëri-tjetrin."

Konsultimet për temën për 17 tetorin:

Në Forumin për tejkalimin e varfërisë që u mbajt në mars të vitit 2024 u arrit në përfundimin se nevojitet një veprim i përbashkët për shoqëri të drejta, paqësore dhe gjithëpërfshirëse (QZHQ 16), me qëllim arritjen e një shoqërie paqësore dhe gjithëpërfshirëse, e cila do të sigurojë qasje në drejtësi për të gjithë dhe do të ndërtojë institucione efektive, të përgjegjshme gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet. Njerëzit kudo duhet të çlirohen nga frika e të gjitha formave të dhunës, përfshirë këtu edhe dhunën e vazhdueshme të varfërisë. Çlirimi nga varfëria do të arrihet vetëm nëse në ato diskutime dhe aktivitete rreth zhdukjes së varfërisë përfshihen personat që preken më drejtpërdrejt nga varfëria. Ne duhet të njohim dhe të pranojmë se varfëria ekziston për shkak të sistemeve të padrejta, diskriminimit strukturor, ligjeve, politikave dhe veprimeve, duke përfshirë këtu praktikat ekonomike eksploatuese që shkelin të drejtat themelore të njeriut.

Politikat dhe praktikat për çrrënjosjen e varfërisë duhet të bazohen në fakte. Ekspertët e fushës duhet të përfshihen plotësisht në hartimin e politikave nga fillimi deri në fund, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në hartimin, zbatimin dhe vlerësimin e strategjive kundër varfërisë që do të trajtojnë në mënyrë efektive dimensionet evidente dhe të fshehura të varfërisë.

Për ta korrigjuar dështimin kolektiv të varfërisë, u bëjmë thirrje të gjithëve që të ndërmarrin hapa konkrete dhe të veprojnë së bashku për promovimin e institucioneve efikase, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse që do t'u përgjigjen në mënyrë adekuate, efektive dhe me respekt nevojave të kategorive më të varfra të qytetarëve!

 

Përktheu dhe përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve