• 19.11.2024

Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme


 

 

 

 

Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme shënohet çdo vit më 17 nëntor për ta rritur ndërgjegjësimin për sfidat me të cilat përballen foshnjat e lindura para kohe dhe familjet e tyre. Në këtë ditë ne e shprehim solidaritetin dhe empatinë tonë për ato familje. Sot kremtohet qëndresa dhe forca e familjeve që rrisin foshnja të lindura para kohe dhe njëkohësisht u shtrihet një dorë shprese, dashurie, mbështetjeje dhe empatie! Rëndësia e Ditës Botërore të Lindjeve të Parakohshme 2024 qëndron në rritjen e ndërgjegjësimit për prematuritetin dhe inkurajimin e metodave për hulumtim dhe parandalim.

Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme 2024 shënohet me temën: "Veprime të vogla, NDIKIM I MADH: Kujdes i menjëhershëm lëkurë më lëkurë për çdo foshnjë, gjithkund"!

Foshnjat e lindura para kohe gjatë rritjes përballen me sfida të shumta në shumë aspekte të jetës, ata kanë nevojë për mbështetje të veçantë që të mund të rriten në mënyrë të sigurt. Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin dhe të ofrojë mbështetje për engjëjt e vegjël, duke u ofruar atyre një botë plot dashuri.

Foshnjat e lindura para javës së 37 të shtatzënisë quhen foshnja “premature” ose “të lindura para kohe”, e ato janë foshnjat e lindura me peshë më të vogël se 2,5 kilogramë. Në një fazë kaq të brishtë, organet e brendshme të tyre nuk janë zhvilluara mjaftueshëm. Për këtë arsye kujdesi dhe rehabilitimi i veçantë janë të një rëndësie të madhe për ta mbështetur foshnjën në rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm.

Gjatë dekadave të fundit teknologjia mjekësore dhe hulumtimet kanë bërë hapa të rëndësishëm për zgjidhjen e komplikimeve dhe gjendjeve të ndryshme shëndetësore gjatë rritjes në mitër deri në moshën e para lindjes. Megjithatë, foshnjat e lindura para kohe mbartin rreziqe të ndryshme dhe janë gjithashtu të prekshme ndaj gjendjeve shëndetësore, siç është paraliza cerebrale.

Me përparimin e shtatzënisë gjasat për vdekje dhe invaliditet zvogëlohen.

Parandalimi i rasteve të vdekjes dhe i komplikimeve si pasojë e lindjes së parakohshme fillon me një shtatzëni të shëndetshme. Udhëzimet e kujdesit antenatal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë përfshijnë ndërhyrje kyçe për ta parandaluar lindjen e parakohshme, si këshilla për: ekzaminime të rregullta dhe skrining me matje të fetusit, duke përfshirë këtu edhe kontrolle me ultratinguj në fazë të hershme për ta përcaktuar moshën gestacionale  dhe për t’i zbuluar shtatzënitë e shumëfishta; minimum 8 ekzaminime gjatë shtatzënisë, ekzaminime dhe këshilla nga një profesionist; duke filluar para javës së 12 të shtatzënisë për t’i identifikuar dhe për t’i kontrolluar faktorët e rrezikut si infeksionet seksualisht të transmetueshme; konsumimi i ushqimeve të ndryshme dhe të shëndetshme të pasura me vitamina dhe minerale; këshillim për lënien e duhanit etj.

Vlerësohet se 1 në 10 foshnja në mbarë botën lindin para kohe. Në vitin 2020 rreth 13,4 milionë foshnja kanë lindur para javës së 37-të të shtatzënisë. Komplikimet si pasojë e lindjes së parakohshme janë shkaku kryesor i vdekjes tek fëmijët nën 5 vjet. Rreth 45% e të gjithë fëmijëve që vdesin nën moshën 5 vjeç janë foshnja, 60-80% e atyre foshnjave që vdesin janë foshnja të lindura para kohe ose janë më të vegjël për moshën gestacionale që kanë. Foshnjat e lindura para kohe dhe ato me peshë të ulët të lindjes kanë një rrezik 2 deri në 10 herë më të madh nga vdekja sesa foshnjat me peshë normale të lindjes. Tre të katërtat e këtyre vdekjeve mund të parandalohen me investimet aktuale.

Pavarësisht progresit thelbësor gjatë 10 viteve të fundit në kontekst të mbijetesës, shëndetit, rritjes dhe zhvillimit neurologjik të foshnjave të parakohshme dhe me peshë të ulët të lindjes, në shumë vende kjo gjë vazhdon të jetë një shqetësim i madh. Arsyet konsistojnë në kompleksitetin e kujdesit për këto foshnja vulnerabël dhe parandalimin e komplikimeve.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave në Republikën e Maqedonisë së Veriut shkalla e vdekshmërisë foshnjore për vitin 2023 ka qenë 1,8 vdekje foshnjore 1.000 lindje të gjalla. Ndërsa shkalla e vdekshmërisë foshnjore në vitin 2013 ka qenë 10,2 vdekje foshnjore 1.000 lindje të gjalla. Në këtë periudhë vihet re një trend pozitiv i uljes së vdekshmërisë foshnjore.

Foshnjat mund të lindin para kohe për shkak të lindjes spontane të parakohshme ose për shkak se ekziston një indikacion mjekësor për një provokim të planifikuar të hershëm të lindjes ose lindje cezariane.

Kontakti lëkurë me lëkurë është dëshmuar si jashtëzakonisht efektiv për çdo foshnjë, sidomos për foshnjat e lindura para kohe. Nëse fillohet menjëherë pas lindjes, praktikimi i kontaktit lëkurë me lëkurë kontribuon në ndërgjegjësimin e foshnjës për prekjen dhe dashurinë, duke luajtur një rol kyç në fillimin dhe ruajtjen e vazhdimësisë së ushqyerjes me gji.

Praktika e kontaktit lëkurë me lëkurë me nënën lidhet me zhvillimin e emocioneve dhe kujtesës dhe gjithashtu stimulon çlirimin e oksitocinës, duke e forcuar kështu lidhjen mes nënës dhe fëmijës. Oksitocina është një hormon që tajitet nga neurohipofiza. Ai merr pjesë në lindjen dhe ushqyerjen me gji të foshnjës së porsalindur. Gjatë periudhës së laktacionit shkakton tkurrje të kanaleve të gjëndrave të qumështit, gjë që mundëson sekretim të lehtë të qumështit.

Metoda kangur rekomandohet si kujdes rutinë për të gjithë foshnjat e lindura para kohe me peshë të ulët të lindjes. Metoda kangur mund të fillohet në institucionin shëndetësor dhe të vazhdohet në shtëpi. Është e dëshirueshme të praktikohet nga 8-24 orë në ditë (sa më shumë orë të jetë e mundur).

Një nga rekomandimet më të rëndësishme për të gjitha foshnjat, përfshirë edhe ato me peshë të ulët të lindjes, është ushqeja e tyre me qumësht gjiri. Foshnjat e lindura para kohe ose ato me peshë të ulët të lindjes rekomandohet që të ushqehen me gji për të paktën 6 muaj.

Familjeve me foshnja të lindura para kohe duhet t'u jepet një mbështetje shtesë, duke filluar nga institucionet shëndetësore dhe maternitetet, dhe duke e vazhduar këtë mbështetje edhe pas daljes nga shtëpia. Mbështetja duhet të përfshijë edhe edukimi për kujdes të mëtejshëm, mbështetje emocionale dhe këshilla për ta kaluar më lehtë këtë periudhë. Rekomandohen edhe vizita shtëpiake nga punonjës të trajnuar shëndetësorë për kujdes të mëtejshëm në shtëpi.