- 12.12.2024
Dita Botërore e Mbulimit Shëndetësor Universal, 12 Dhjetor 2024
Dita Botërore e Mbulimit Shëndetësor Universal 2024 vë një theks të veçantë tek rëndësia e mbrojtjes financiare si një faktor kyç në përshpejtimin e progresit drejt një mbulimi shëndetësor të plotë. Mbrojtja financiare garanton që njerëzit të mos bien në varfëri për shkak të shpenzimeve të larta shëndetësore të cilat duhet t’i paguajnë vetë. Për fat të keq në dy dekadat e fundit është shënuar një përkeqësim i kësaj mbrojtjeje, me ç’rast 2 miliardë njerëz përballen me vështirësi financiare dhe 1.3 miliardë po zhyten në varfëri për shkak të shpenzimeve shëndetësore.
Pasojat e kësaj gjendjeje kanë një shtrirje të gjerë. Shumë njerëz shpesh nuk kanë qasje në intervenimet e nevojshme mjekësore, ndërkohë që shumë sëmundje mbeten të padiagnostikuara ose të patrajtuara në kohë, që shkaktojnë gjendje të rënda dhe kërcënuese për jetën. Shpenzimet financiare nuk janë vetëm një barrë ekonomike – ato e përkeqësojnë drejtpërdrejt cilësinë e jetës dhe i zvogëlojnë mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm social dhe ekonomik të individëve dhe komuniteteve.
Popullatat e shëndetshme janë themel për komunitete të forta dhe produktive e që janë rezistente ndaj krizave, që kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe nxisin kohezionin social dhe paqen. Mbulimi shëndetësor universal nuk është vetëm një qëllim në vetvete, por edhe një parakusht për arritjen e Qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDGs). Por sërish, më shumë se gjysma e popullatës në botës ende nuk ka qasje në shërbimet shëndetësore themelore, gjë që e thekson nevojën urgjente që qeveritë të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar mbrojtje financiare.
Tema e vitit 2024, "Shëndeti: mbulon Qeveria!", e thekson përgjegjësinë e liderëve botërorë për të siguruar mbrojtje shëndetësore që është e qasshme dhe falas për të gjithë, veçanërisht për më të varfërit dhe më të cenuarit. Qeveritë kanë për detyrë të miratojnë ligje, të krijojnë strategji dhe të sigurojnë fonde adekuate për të garantuar mbrojtje shëndetësore. Investimet në shëndetësi duhet të mbeten prioritet kombëtar, pavarësisht ndryshimeve politike, për të siguruar qasje në shërbime shëndetësore dhe barna cilësore për çdo individ.
Shpenzimet shëndetësore nuk duhet të shkaktojnë varfëri. Por, shumë njerëz e vonojnë ose shmangin trajtimin e nevojshëm mjekësor për shkak të shpenzimeve të larta, që pastaj mund të ketë si rezultat sëmundje kronike, ulje të produktivitetit dhe një ngarkesë më të madhe mbi sistemet shëndetësore dhe sociale.
Për t’i kapërcyer këto sfida qenësor është investimi në mbulimin shëndetësor universal dhe në mbrojtjen financiare, sepse kjo siguron një shëndet më të mirë dhe një standard më të lartë jetese për të gjithë. Kjo kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit ekonomik dhe përforcimin e kapacitetit për punë, duke vendosur themele për komunitete më të forta, më rezistente dhe më të qëndrueshme, në të cilat çdo individ ka mundësinë të përparojë.
Prandaj, në këtë ditë, Organizata Botërore e Shëndetësisë u bën thirrje qeverive të ndërmarrin hapa konkretë:
• Mbulimi universal shëndetësor dhe mbrojtja financiare e shëndetit të bëhen prioritet kombëtar - shëndeti duhet të jetë në qendër të politikave shtetërore, si një parakusht kyç për përparimin social dhe ekonomik
• Të miratojnë dhe zbatojnë ligje që do t’i mbrojnë qytetarët nga varfëria e shkaktuar nga shpenzimet për mbrojtje shëndetësore - asnjë person nuk duhet të ngarkohet financiarisht për shkak të nevojës për mbrojtje shëndetësore
• Të sigurojnë buxhete adekuate për një pako të shërbimeve shëndetësore bazë - qeveritë duhet t'i drejtojnë burimet drejt programeve shëndetësore që do të ofrojnë shërbime për të gjithë, pa kurrëfarë pengesash financiare
• Të krijojnë sisteme kombëtare të shëndetit publik, të financuara nga tatimet kombëtare - këto duhet t’i mbulojnë plotësisht shpenzimet shëndetësore për popullatën, duke siguruar qasje të drejtë dhe universale në mbrojtje shëndetësore
• T’i minimizojnë ose heqin plotësisht shpenzimet për kategoritë më vulnerabël – një vëmendje e veçantë duhet t'u kushtohet njerëzve me të ardhura të ulëta, me sëmundje kronike dhe grupeve të margjinalizuara, në mënyrë që të zvogëlohen pabarazitë shëndetësore.
Mesazh për të gjithë
Shëndeti është një e drejtë, jo një privilegj. Çdo njeri ka të drejtë në qasje në mbrojtje shëndetësore cilësore, pa pasur frikë nga paqëndrueshmëria financiare. Investimi në shëndetësi është një investim në të ardhmen – krijon komunitete më të forta, ekonomi të qëndrueshme dhe zhvillim të qëndrueshëm. Për ta arritur këtë qeveritë duhet të veprojnë me vendosmëri dhe të kenë një vizion afatgjatë, që ta bëjnë realitet mbulimin shëndetësor universal për të gjithë qytetarët. Ky është një hap qenësor drejt një shëndeti më të mirë, zvogëlimit të pabarazive dhe ndërtimit të një shoqërie të drejtë dhe të qëndrueshme.
Burimi: OBSH
Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve