• 27.12.2024

EFEKTET NEGATIVE NDAJ SHËNDETIT PUBLIK TË PËRDORIMIT TË MATERIALEVE PIROTEKNIKE


 

  

Festat e fundvitit priten me padurim dhe eufori të madhe. Për fat të keq, të rrëmbyer nga atmosfera festive shumë shpesh ndodh që fëmijët dhe adoleshentët gjatë festimit të përdorin materiale piroteknike.

Përdorimi i materialeve piroteknike ka pasoja të rënda negative ndaj shëndetit publik. Fishekzjarret mund të jenë të bukura për t'u parë, por ato mund të jenë vdekjeprurëse kur keqpërdoren ose kur nuk përdoren në mënyrën e duhur, ndërkohë që mund të jenë të dëmshme edhe për mjedisin jetësor.

IShP e mbështet plotësisht fushatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme – “Jo piroteknikës, siguria në rend të parë dhe merr pjesë me rekomandime shëndetësorë publike për popullatën.

1. LËNDIME

Lëndimet si pasojë e përdorimit të lëndëve piroteknike janë të rënda, e që i kthejnë shumë festa dhe momente gëzimi në fatkeqësi për shkak të dëmtimeve të shkaktuara.

Pjesët e trupit që lëndohen më shpesh gjatë përdorimit të materialeve piroteknike janë duart dhe gishtat, koka, fytyra dhe veshët, këmbët dhe sytë. Djegiet janë lloji më i shpeshtë i lëndimeve.

2. NGJYRA DHE METALE

Ngjyrat e shkëlqyera tek fishekzjarret krijohen nga kripërat metalike në formë të pluhurit që prodhuesit e materialeve piroteknike i përdorin për të prodhuar kapsulat shpërthyese të fishekzjarreve. Bakri prodhon ngjyrën blu, bariumi ngjyrën jeshile, ndërsa stronciumi e prodhon ngjyrën e kuqe. Pluhuri i magnezit prodhon shpërthime intensive të të bardhës - në fakt, magnezi digjet aq shkëlqyeshëm, saqë përdoret edhe për prudhimin e shpërthimeve ndriçuese ushtarake. Në këto materiale shumë shpesh mund të gjendet edhe plumb dhe substanca të tjera kimike të ndaluara.

3. MATERIE NDOTËSE

Tymi nga përdorimi i materialeve piroteknike ndikon në ndotjen e ajrit. Azoti dhe sulfuri, përdoren për të krijuar ngjyra dhe efekte speciale, mund të kombinohen me oksigjenin për të formuar acid nitrik dhe sulfurik që janë shumë të dëmshëm për mushkëritë. Tymi nga shpërthimet zakonisht shpërndahet brenda disa orësh, por njerëzit mund të përjetojnë efekte afatgjata shëndetësore

4. KRAHAS LËNDIMEVE KA EDHE EFEKTE TË TJERA SHËNDETËSORE NDAJ SHËNDETIT

Më të prekurit janë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje respiratore ose të zemrës. Ekspozimi afatshkurtër mund ta përkeqësojë një sëmundje ekzistuese të mushkërive dhe/ose të shkaktojë një sulm astme dhe bronkit akut dhe të rrisë ndjeshmërinë ndaj infeksioneve të frymëmarrjes. Tek njerëzit me sëmundje të zemrës, ekspozimi afatshkurtër ndaj tymit piroteknik mund të shoqërohet me sulme në zemër dhe aritmi.

NUK VUAJNË VETËM NJERËZIT, VUAJNË EDHE KAFSHËT

Instituti i Shëndetit Publik kërkon dhe rekomandon që të:

1. Kini kujdes gjatë zgjedhjes së materialeve piroteknike;

2. Kujdeseni që të mos shkaktoni ndotje të mjedisit jetësor;

3. Respektoni njerëzit dhe kafshët rreth jush;

3. Lejoni që materialet piroteknike të përdoren nga profesionistët;

4. Mos lejoni fëmijët e vegjël të luajnë me materiale piroteknike, sado të padëmshme që të duken ato;

5. Jeni në afërsi të një burimi të ujit në rast aksidenti;

6. Mos përdorni materiale piroteknike nën ndikimin e alkoolit ose substancave të tjera.

 

Instituti i Shëndetit Publik ju uron festa të shëndetshme, argëtuese dhe të sigurta!