• 30.12.2024

TULAREMIA


HYRJE

Tularemia është një zoonozë, të cilën e shkakton bakteri - Francisella tularensis, një kokobacil i palëvizshëm gram-negativ, aerobik.

Rezervuarë natyrorë janë shumë lloje kafshësh, kryesisht lepujt, minjtë, ketrat, dhelprat. Kafshët shtëpiake sëmuren më rrallë, ndërsa infeksion natyror është vërtetuar tek delet, macet, qentë dhe derrat.

Ka disa mënyra të transmetimit, si kontakti me indet e infektuara të kafshëve dhe tokën e kontaminuar, konsumimi i ujit të kontaminuar dhe mishit të infektuar të pa gatuar mirë, pickimi nga insektet e infektuara (rriqnat), si dhe thithja e pluhurit të kontaminuar me bacilet e tularemisë.

Më shpesh sëmuren personat të cilët profesionalisht janë të ekspozuar ndaj një rreziku më të lartë, si: gjuetarët, barinjtë, peshkatarët, pylltarët, punëtorët në terren, veterinerët dhe alpinistët.

Periudha e inkubacionit është e shkurtër, zgjat nga 3-5 ditë (nga 1-21 ditë, maksimum).

Varësisht nga vendi i depërtimit të bakterit në trupin e njeriut, tularemia mund të shfaqet në disa forma të ndryshme klinike: grandulare, ulceroglandulare, okuloglandulare, orofaringeale, pulmonare, intestinale dhe tifoide (të gjeneralizuar).

Diagnostikimi në kohë dhe trajtimi me antibiotikë është i një rëndësie qenësore për t’i parandaluar komplikimet.

Departamenti i mikrobiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik disponon me reagensë për analiza (serologjike dhe molekulare) sipas indikacioneve klinike (me rekomandim nga mjeku amë, infektologu) dhe epidemiologjike.

Për momentin nuk ka një vaksinë efektive dhe të sigurt kundër tularemisë dhe trajtimi bazohet në përdorimin e antibiotikëve. Të sëmurët zakonisht shërohen plotësisht, por tek disa njerëz periudha e shërimit mund të jetë më e gjatë.

Masat preventive janë:

• shmangia e konsumimit të ujit sipërfaqësor të patrajtuar,

• përdorimi i preparateve kundër insekteve dhe veshjeve që mbulojnë këmbët dhe krahët për ta shmangur pickimin e rriqrave ose mushkonjave,

• shmangia e kontaktit me kafshët e ngordhura,

• përdorimi i dorezave gjatë trajtimit të kafshëve të egra,

• konsumimi i mishit të gjahut të përpunuar mire termikisht.

Tularemia kryesisht është e përhapur në hemisferën veriore dhe zakonisht nuk gjendet në zonat tropikale ose në hemisferën jugore. Në Evropë numri i rasteve të tularemisë tek njerëzit është rreth 800 në vit.

 

TULAREMIA NË MAQEDONI (periudha 1995-2023)

Në Maqedoni tularemia është një sëmundje që i nënshtrohet raportimit të detyrueshëm në përputhje me rregulloret ligjore.

Rastet e para të regjistruara të tularemisë në vendin tonë janë raportuar gjatë epidemisë në fshatin Mitrashinci, Berovë, në vitin 1995. Gjatë kësaj epidemie u regjistruan gjithsej  31 persona të sëmurë. Në vitin 2010 u regjistrua një epidemi me gjithsej 20 të sëmurë nga disa fshatra të Gostivarit, kryesisht në fshatin Vrapçisht. Në vitin 2015 në territorin e Shkupit u regjistruan dy epidemi, në Haraçinë dhe në territorin e komunës së Llozovës, me nga 14 të sëmurë.

Nga viti 2016 janë regjistruar raste sporadike. Në vitin 2022 dhe 2023 nuk është regjistruar asnjë rast i tularemisë.

Numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara me këtë sëmundje në 10-vjeçarin e fundit (2014-2023) është 58.

 

GJENDJA NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT NË VITIN 2024

Në Maqedoni gjatë vitit 2024 janë raportuar gjithsej 9 raste të konfirmuara laboratorikisht të tularemisë, të cilat sipas të dhënave nga hulumtimi epidemiologjik nuk kanë lidhshmëri epidemiologjike.

VLERËSIMI I RREZIKUT:

Raportimi i rasteve sporadike të tularemisë në Maqedoni flet për praninë e vazhdueshme të këtij patogjeni në mjedisin jetësor. Shfaqja e tularemisë në formë epidemie në të kaluarën flet për mundësinë që Francisella tularensis të shkaktojë epidemi në kushte periodike (p.sh. ndryshimi i klimës, rritja e popullatës vektoriale ose aktiviteti njerëzor) që janë të volitshme për transmetimin e sëmundjes.

Shfaqja e rasteve sporadike në vitin 2024 në tre rajone të ndryshme, Shkup, Manastir dhe Strumicë, vërteton se tularemia mbetet një kërcënim potencial për shëndetin publik në Maqedoni. Edhe pse për momentin rreziku nga shpërthimi i një epidemie duket i ulët, tendencat historike dhe qëndrueshmëria e bakterit në mjedisin jetësor kërkojnë një vigjilencë të vazhdueshme dhe masa proaktive për t’i zbutur rreziqet e ardhshme.

 

REKOMANDIME PËR ULJEN E RREZIKUT:

• Ngritja e vetëdijes te punonjësit shëndetësorë për praninë e tularemisë në territorin e Maqedonisë.

• Informimi i mjekëve amë dhe infektologëve për shfaqjen e sëmundjes, që të mund ta kenë parasysh këtë fakt gjatë  diagnostikimit diferencial dhe që të bëjnë raportimin e menjëhershëm të rasteve pranë shërbimeve kompetente.

• Trajnimi i punonjësve shëndetësorë për njohjen e hershme të simptomave, diagnostikimin dhe trajtimin e shpejtë.

• Hetimi i shpejtë i të gjitha rasteve sporadike për t’i identifikuar burimet dhe rrugët e transmetimit.

• Edukimi i popullatës në zonat me rrezik të lartë për ta evituar ekspozimin (p.sh. përdorimi i  veshjeve mbrojtëse, përdorimi i preparateve kundër insekteve, shmangia e kontaktit me kafshë të sëmura ose të ngordhura).

• Ndjekja e akumulimeve tek kafshët dhe vektorët, si dhe i kushteve në mjedisin jetësor, sidomos në zonat endemike.

• Koordinim i përforcuar ndërmjet sektorëve të shëndetit human dhe atij të veterinarisë, sipas qasjes për Një Shëndet (One Health approach).

• Sigurimi dhe përdorimi i ujit të pijshëm të sigurt dhe promovimi i praktikave të mira higjienike, sidomos në zonat rurale.

• Realizimi i planifikuar i aktiviteteve të DDD (sipas Planit të dorëzuar në komunë), si dhe dezinsektimi dhe deratizimi sipas indikacioneve epidemiologjike.

 

Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve ngjitëse

Instituti i Shëndetit Publik