• 30.12.2024

Mpox


 

Fakte kryesore

• Mpox, e njohur si lija e majmunit, është një sëmundje virale e shkaktuar nga virusi i lisë së majmunit, lloj i Orthopoxvirus. Ekzistojnë dy klade të ndryshme të virusit: kladi I (me nënkladet Ia dhe Ib) dhe kladi II (me nënkladet IIa dhe IIb). Në  vitin 2022–2023, epidemi globale e Mpox u shkaktua nga kladi IIb.

• Mpox vazhdon të jetë një kërcënim edhe sot, ndërsa rritja e rasteve në Republikën Demokratike të Kongos dhe vende të tjera të shkaktuara nga kladet Ia dhe Ib ka ngritur shqetësime.

• Për Mpox ka vaksina. Vaksinimi duhet të shoqërohet bashkë me masat e shëndetit publik.

• Simptomat e zakonshme të Mpox janë: irritim i lëkurës ose lezione mukozale që mund të zgjasin 2-4 javë të shoqëruara me temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, dhimbje shpine, debulesë dhe ënjtje të nyjeve limfatike.

• Mpox mund të përhapet nëpërmjet kontaktit të ngushtë me një person të infektuar, materiale të kontaminuara ose kafshë të infektuara. Gjatë shtatzënisë virusi mund të transmetohet tek fetusi ose tek i porsalinduri gjatë ose pas lindjes.

• Mpox trajtohet në mënyrë simptomatike, me vëmendje të madhe tek ushqimi, hidratimi, kujdesi për lëkurën, parandalimi i infeksioneve sekondare dhe trajtimi i infeksioneve të tjera njëkohësisht.

 

Hyrje

Mpox është një zoonozë virale (virus përcillet nga kafshët tek njerëzit), me simptoma shumë të ngjashme me ato lisë, edhe pse klinikisht kjo është një sëmundje më pak e rëndë.

Virusi i lisë së majmunit u zbulua në Danimarkë (1958) te majmunët që përdoreshin për hulumtime. Tek njerëzit u identifikua për herë të parë në vitin 1970 në Republikën Demokratike të Kongos tek një foshnjë 9-muajshe në një rajon ku lija ishte çrrënjosur që në vitin 1968. Që atëkohë, shumica e rasteve janë raportuar në pyjet rurale, tropikale të pellgut të Kongos, sidomos në Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa rastet tek njerëzit po raportohen gjithnjë e më shumë nga e gjithë Afrika Qendrore dhe Perëndimore.

Me çrrënjosjen e lisë në vitin 1980 dhe ndërprerjen e mëvonshme të vaksinimit, Mpox u bë virusi Orthopoxvirus më i rëndësishëm si një rrezik për shëndetin publik. Mpox kryesisht shfaqet në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, më shpesh pranë pyjeve tropikale, por gjithnjë e më shumë po shfaqet edhe në zonat urbane. Nikoqirë të sëmundjes janë kafshët si brejtësit dhe primatët.

Epidemia globale e kladit IIb filloi në vitin 2022 dhe vazhdon edhe deri më sot, përfshirë këtu edhe në disa vende afrikane. Gjithashtu ka epidemi në rritje të kladeve Ia dhe Ib që prekin Republikën Demokratike të Kongos dhe vende të tjera në Afrikë. Nga muaji gusht i vitit 2024, kladi Ib është zbuluar edhe jashtë Afrikës.

Në maj të vitit 2022, epidemi e Mpox u shfaq papritur dhe u përhap shpejt në Evropë, Amerikë dhe më pas në të gjashtë rajonet e OBSH-së. Epidemia globale i preki kryesisht (por jo ekskluzivisht) homoseksualët, biseksualët dhe meshkujt e tjerë që bëjnë seks me meshkuj dhe transmetohet nga një person tek një tjetër nëpërmjet rrjeteve seksuale.

Në periudhën nga muaji janar i vitit 2022 deri në muajin gusht të vitit 2024 mbi 120 vende kanë raportuar për Mpox, me mbi 100.000 raste të konfirmuara në laborator dhe me mbi 220 raste të vdekjes në mesin e këtyre rasteve të konfirmuara.

Transmetimi

Mpox përhapet nga një person tek një tjetër kryesisht përmes kontaktit të ngushtë me një person të infektuar, përfshirë këtu edhe anëtarët e familjes. Kontakti i ngushtë nënkupton kontaktin lëkurë me lëkurë (prekje ose marrëdhënie seksuale) dhe kontaktin mukozë me mukozë, ose mukozë me lëkurë (puthje), por mund të nënkuptojë edhe transmetimin nga një person tek një person tjetër gjatë të folurit, frymëmarrjes në afërsi të tjetrit, përmes spërklave infektive respiratore.

Njerëzit me më shumë partnerë seksualë janë më të rrezikuar nga Mpox.

Njerëzit gjithashtu mund të infektohen me Mpox edhe nga gjësendet e kontaminuara, si veshjet ose çarçafët, nëpërmjet lëndimeve nga gjilpërat.

Gjatë shtatzënisë ose lindjes ky virus mund të transmetohet tek fëmija. Mpox gjatë shtatzënisë mund të jetë i rrezikshëm për fetusin ose të porsalindurin dhe mund të shkaktojë ndërprerje të shtatzënisë, lindje të foshnjës së vdekur, vdekje të të porsalindurit ose komplikime për nënën.

Transmetimi i Mpox nga kafsha tek njeriu bëhet përmes kafshimeve ose gërvishtjeve, ose gjatë aktiviteteve si gjuetia, heqja e lëkurës së kafshës, gatimi ose ngrënia e mishit të kafshës së infektuar. Rezervuari animal i virusit mbetet i panjohur dhe për këtë janë duke u bërë studime të tjera.

Ka nevojë për më shumë hulumtime për atë se si përhapet Mpox gjatë epidemive në mjedise të ndryshme dhe në kushte të ndryshme.

Shenjat dhe simptomat

Periudha e inkubacionit (intervali nga infeksioni deri në fillimin e shfaqjes së simptomave) e Mpox zakonisht zgjat një javë, por mund të variojë nga 1 deri në 21 ditë. Simptomat zakonisht zgjasin 2-4 javë, por mund të zgjasin më shumë tek personat që kanë sistem imunitar të dobësuar.

Simptomat më të shpeshta të Mpox janë:

  • Irritim i lëkurës
  • Ethe
  • Dhimbje në fyt
  • Dhimbje të kokës
  • Dhimbje të muskujve
  • Dhimbje të kurrizit
  • Debulesë
  • Enjtje e nyjave limfatike

Tek disa persona simptomi i parë është skuqja ose irritimi i lëkurës, ndërsa tek disa të tjerë mund të shfaqen fillimisht ethe, dhimbje muskujve ose dhimbje fytit.

Skuqja ose irritimi i lëkurës zakonisht fillon në fytyrë dhe përhapet në të gjithë trupin, duke përfshirë këtu pëllëmbët dhe shputat. Mund të fillojë edhe në pjesë të tjera të trupit që kanë qenë në kontakt, siç janë organet gjenitale. Fillon si një plagë e sheshtë, e cila më pas bëhet një flluskë e mbushur me lëng e cila të kruhet ose që mund të jetë e dhimbshme. Me shërimin lezionet thahen, bëhen si kore dhe bien.

Disa persona mund të kenë një ose disa lezione të lëkurës, ndërkohë që të tjerët mund të kenë me qindra ose më shumë. Ato mund të shfaqen kudo në trup, si:

  • Pëllëmbë dhe shputa
  • Fytyrë, gojë dhe fyt

·         Zonën gjenitale dhe anale

Disa persona mund të kenë ënjtje të dhimbshme të rektumit (proktit) ose dhimbje dhe vështirësi gjatë urinimit (disuri) ose gëlltitjes.

Njerëzit mund të jenë infektiv derisa të jenë shëruar të gjitha plagët dhe të krijohet një shtresë e re e lëkurës. Disa persona mund të infektohen pa shfaqur asnjë simptomë.

Fëmijët, gratë shtatzëna dhe njerëzit me sistem të dobët imunitar, përfshirë këtu njerëzit që jetojnë me HIV që nuk mbahet mirë nën kontroll, janë më të rrezikuar nga forma të rënda të sëmundjes dhe nga vdekja si pasojë e komplikimeve nga Mpox.

Disa persona mund të zhvillojnë një pasqyrë klinike më të rëndë të Mpox. Për shembull, lëkura e tyre mund të infektohet me baktere dhe si pasojë të shfaqen apcese ose dëmtime serioze. Komplikime të tjera mund të jenë pneumonia; infeksioni i kornesë me humbje të shikimit; dhimbjet ose vështirësi në gëlltitje; të vjellat dhe diarrea që shkaktojnë dehidrim ose kequshqyerje; dhe infeksionet e gjakut (sepsis), trurit (encefaliti), zemrës (miokarditi), rektumit (proktiti), organeve gjenitale (balanitis) ose organeve urinare (uretrit).

Vdekshmëria historikisht ka variuar nga 0 në 11% tek popullata e përgjithshme dhe ka qenë më e lartë tek fëmijët e vegjël. Kohët e fundit, shkalla e vdekshmërisë sillet nga 3-6%.

Diagnoza

Identifikimi i Mpox mund të jetë i vështirë sepse disa infeksione dhe gjendje të tjera mund të duken të ngjashme. Është e rëndësishme të bëhet dallimi mes Mpox dhe lisë së dhenve, fruthit, infeksioneve bakteriale të lëkurës, zgjebes, herpesit, sifilizit dhe alergjive të shkaktuara nga barnat.

Testi laboratorik i rekomanduar për Mpox është zbulimi i ADN-së virale me reaksion zinxhir polimerazës (PCR). Mostrat më të mira për diagnostikim merren direkt nga vendi i irrituar - lëkura, lëngu ose korja. Në mungesë të lezioneve të lëkurës, testimi mund të bëhet duke përdorur strisho nga fyti ose anusi. Analiza e gjakut nuk rekomandohet. Metodat e zbulimit të antitrupave nuk janë të dobishme sepse ato nuk bëjnë dallimin midis ortopoksviruseve të ndryshëm.

Njësia e virologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik disponon me reagensë për testim sipas indikacioneve klinike (me udhëzim nga mjeku amë, infektologu) dhe epidemiologjike.

Terapia dhe vaksinimi

Qëllimi i trajtimit Mpox është trajtimi i irritimit të lëkurës, menaxhimi i dhimbjes dhe parandalimi i komplikimeve. Kujdesi i hershëm dhe suportiv është i rëndësishëm për të ndihmuar në menaxhimin e simptomave dhe për t’i shmangur problemet e mëtejshme.

Në disa vende janë miratuar disa barna antivirale për përdorim urgjent dhe po bëhet vlerësimi klinik i tyre. Deri më sot, nuk ka asnjë trajtim efektiv antiviral të provuar për Mpox. Prioritet është vazhdimi i vlerësimit të terapive në prova klinike dhe fokusimi në optimizimin e mbështetjes së pacientit. Individët me HIV dhe Mpox duhet të vazhdojnë të marrin terapinë e tyre antiretrovirale (ART). ART duhet të fillohet brenda 7 ditëve nga diagnostikimi me HIV.

Vaksina kundër Mpox mund të ndihmojë në parandalimin e infeksionit (profilaksia para ekspozimit).

Rekomandohet që personat me rrezik të lartë të vaksinohen, sidomos gjatë një epidemie. Grupet që mund të jenë më të rrezikuara i përfshijnë:

• njerëzit në të njëjtën familje ose komunitet të ngushtë me pacientin, përfshirë këtu edhe fëmijët;

• punonjësit shëndetësorë;

• personat që kanë shumë partnerë seksualë, duke përfshirë këtu meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj; dhe

• punonjësit e seksit të çdo gjinie dhe klientët e tyre.

Vaksina mund të administrohet edhe pasi personi të ketë qenë në kontakt me dikë që ka Mpox (profilaksi pas ekspozimit). Në këto raste, vaksinimi duhet të bëhet më pak se 4 ditë pas kontaktit. Vaksina mund të jepet deri në 14 ditë nëse personi nuk ka shfaqur simptoma.

Parandalimi

Numri më i madh i personave me Mpox do të shërohen brenda 2-4 javëve.

Çfarë duhet të bëni që ta parandaloni përhapjen e Mpox tek personat e tjerë:

• kontaktoni mjekun tuaj amë ose infektologun;

• qëndroni në shtëpi dhe në dhomën tuaj të ajrosur mirë;

• lani duart shpesh me ujë dhe sapun ose dezinfektues, veçanërisht para ose pas prekjes së plagëve;

mbani maskë dhe mbuloni lezionet kur jeni rreth njerëzve të tjerë derisa irritimi të jetë shëruar plotësisht;

• mbajeni lëkurën tuaj të thatë dhe të pambuluar (përveç se nëse jeni në dhomë me dikë tjetër);

• shmangni prekjen e gjësendeve në mjediset e përbashkëta dhe dezinfektoni shpesh mjediset e përbashkëta;

• përdorni shpëlarës me ujë të kripur për plagët e gojës;

bëni banjo me ujët të nxehtë me sodë buke ose kripëra Epsom për plagët e trupit; dhe

përdorni barna kundër dhimbjeve si paracetamol (acetaminophen) ose ibuprofen.

Çfarë nuk duhet të bëni:

·         mos i prekni ndryshimet e lëkurës, kjo gjë mund ta ngadalësojë shërimin e tyre, ta përhapë skuqjen në pjesë të tjera të trupit dhe të shkaktojë infektimin e plagëve;

Për ta parandaluar përhapjen e Mpox te personat e tjerë pacientët duhet të izolohen në shtëpi dhe të ndjekin udhëzimet e mjekut të tyre amë ose infektologut, ose në spital nëse është e nevojshme, për aq kohë sa zgjat periudha infektive (nga fillimi i simptomave deri sa lezionet shërohen plotësisht dhe bien). Mbulimi i lezioneve dhe mbajtja e një maske në prani të të tjerëve mund të ndihmojë në parandalimin e përhapjes. Përdorimi i prezervativëve gjatë seksit do të ndihmojë në uljen e rrezikut nga infektimi me Mpox, por nuk do ta parandalojë përhapjen e tij përmes kontaktit lëkurë me lëkurë ose lëkurë me mukozë. Nëse keni marrëdhënie seksuale, përdorni prezervativët si masë kujdesi për 12 javë (rreth 3 muaj) pasi të jeni shëruar.

Abstenimi nga aktiviteti seksual me partnerë të rinj gjatë periudhës të rritjes së transmetimit mund ta zvogëlojë rrezikun. Ata që kanë pasur kontakt me një person të infektuar duhet t’i monitorojnë shenjat dhe simptomat për 21 ditë (3 javë) dhe të ndërmarrin masa preventive, si shmangia e aktivitetit seksual gjatë kësaj periudhe.

Punonjësit shëndetësor duhet t’i ndjekin masat për parandalimin dhe kontrollin e infeksionit për mbrojtje gjatë kujdesit për pacientët me Mpox duke veshur pajisje të përshtatshme mbrojtëse personale (d.m.th., doreza, mantelë, mbrojtje për sytë dhe maskë) dhe t’i përmbahen protokollit për prekjen e sigurt të lezioneve për testim diagnostik dhe për përdorimin e objekteve të mprehta si gjilpërat.

Vlerësimi i rrezikut

Rreziku për qytetarët që udhëtojnë ose jetojnë në zonat e prekura dhe kanë kontakt të ngushtë me ta konsiderohet i moderuar dhe i ulët nëse shmanget kontakti. Rreziku i përgjithshëm për popullatën e përgjithshme aktualisht vlerësohet si i ulët. Megjithatë, në vendet evropiane ka të ngjarë të raportohen më shumë raste të importuara.

Gjatë periudhës së fundvitit, kur ka më shumë udhëtime, duhet rritur ndërgjegjësimi i udhëtarëve drejt/nga zonave/t me transmetim të vazhdueshëm të virusit të lisë së majmunit, por edhe i mjekëve amë dhe infektologëvemund t’i kontaktojnë pacientët për përfshirjen e sëmundjes në diagnozën diferenciale.

Nëse zbulohet një rast me Mpox, masat e rëndësishme të reagimit të shëndetit publik përfshijnë gjurmimin dhe monitorimin e kontakteve, njoftimin e partnerit, sigurimin e reagentëve për diagnostikim dhe vaksinimin preventiv ​​të kontakteve pas ekspozimit.

 

Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve infektive

Instituti i Shëndetit Publik