- 10.03.2025
MARSI - MUAJI I KANCERIT KOLOREKTAL 2025
MARSI - MUAJI I KANCERIT KOLOREKTAL 2025
Kanceri kolorektal është një lloj kanceri që fillon në zorrën e trashë ose rektum. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), kanceri kolorektal është lloji i tretë më i shpeshtë në botë, që përbën rreth 10% të të gjitha rasteve të kancerit dhe është shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në mbarë botën si pasojë e kancerit. Rreziku nga kanceri kolorektal me kalimin e moshës rritet. E përderisa numri më i madh i rasteve regjistrohen tek mbi 50 vjet, ka një rritje të rasteve edhe tek të rinjtë. Sipas hulumtimit të botuar në "Clinical Gastroenterology and Hepatology", për dallim nga personat e lindur nga viti 1950 deri në vitin 1954, personat e lindur nga viti 1980 deri në vitin 1984 kanë përafërsisht dy herë më shumë mundësi të zhvillojnë kancer kolorektal, ndërsa personat e lindur nga viti 1990 deri në vitin 1994 janë tre herë më të rrezikuar nga zhvillimi i kancerit kolorektal. Simptomat e kancerit kolorektal janë diarrea, kapsllëku, gjaku në jashtëqitje, dhimbjet e barkut, humbja e pashpjegueshme e peshës, lodhja dhe nivelet e ulëta të hekurit. Shumica e njerëzve në fazat e hershme të sëmundjes nuk kanë simptoma të dukshme. Skriningu i rregullt për kancerin kolorektal është mënyra më e mirë për ta parandaluar përhapjen e kancerit. Skriningu mund ta zvogëlojë si incidencën ashtu edhe vdekshmërinë nga kanceri kolorektal përmes zbulimit të hershëm dhe heqjes së rritjeve prekanceroze.
Në vitin 2025 në shënimin e muajit të ndërgjegjësimit për KKR fokusi është vënë tek arritjet më bashkëkohore në trajtimin e kancerit të zorrës së trashë, me një theks të veçantë në qasjen "drejt në kirurgji" dhe, përveç kësaj, edhe tek evolucioni i vazhdueshëm i teknikave minimalisht invazive dhe ndikimin e tyre në cilësinë e jetës së pacientit, madje edhe tek rastet komplekse, të tilla si rezeksioni i plotë i kancerit dhe limfadenektomia D3 tek kanceri i zorrës së trashë.
Çfarë është kanceri i zorrës së trashë? Kanceri i zorrës së trashë është një tumor malinj, i cili mund të zhvillohet përgjatë gjithë gjatësisë së zorrës së trashë ose pjesës fundore të tij (rektumit). Zorra e trashë është një organ i gjatë që ngjason me një gyp e që bën pjesë në sistemin tretës. Pasi ushqimi të ketë kaluar nëpër lukth dhe zorrën e hollë, zorra e trashë është përgjegjëse për largimin e lëngjeve dhe disa materieve ushqyese nga ushqimi që e konsumon njeriu. Zorra e trashë më pas shtyn mbetjet e ngurta të mbetura në rektum nga ku ato nxirren jashtë trupit. Kanceri kolorektal është një tjetër term që përdoret shpesh jo vetëm për kancerin e zorrës së trashë, por edhe për kanceret që formohen në rektum. Rektumi është pjesa e fundit e zorrës së trashë nga ku jashtëqitja dhe produktet e mbeturinave nga trupi nxirren përmes anusit.
Si fillon kanceri i zorrës së trashë? Numri më i madh i kancereve të zorrës së trashë fillojnë si polipe beninje. Këto janë rritje të sheshta ose të fryra në mukozën e zorrës së trashë. Herë pas here këto mund të shkaktojnë simptoma të tilla si gjakderdhje, kapsllëk ose diarre. Por jo rrallë herë ndryshimet që ndodhin nuk shkaktojnë asnjë simptomë, kështu që njerëzit ndoshta as nuk e dinë se i kanë ato. Mënyra më e mirë për ta zbuluar praninë e polipeve është një procedurë të quajtur kolonoskopi, e cila kryhet në spital. E përderisa disa polipe mbeten beninje (jo kanceroze), me kalimin e kohës disa prej tyre mund të bëhen malinje (kanceroze). Për këtë arsye, kur një mjek zbulon një ose më shumë polipe gjatë kolonoskopisë, ato zakonisht hiqen gjatë vetë procedurës.
Si ta parandaloni formimin e polipeve? Historia familjare me polipe ose kancerit të zorrës së trashë mund të rrisë mundësinë e krijimit të polipeve edhe në trupin tuaj. Personat që janë mbi 50 vjet gjithashtu një rrezik më të lartë për zhvillimin e polipeve të zorrës së trashë. Por ka edhe disa faktorë rreziku që luajnë rol në zhvillimin e këtyre formacioneve. Faktorët më të shpeshtë të rrezikut janë obeziteti, pirja e duhanit, ushqimet e pasura me yndyrë, alkooli, aktiviteti i pamjaftueshëm fizik dhe rreziqe të tjera.
Kush mund të sëmuret nga kanceri i zorrës së trashë? Çdokush mund të preket nga kanceri i zorrës së trashë. Kanceri kolorektal prek burrat dhe gratë dhe njerëzit e të gjitha racave dhe etnive. 30% e rasteve të diagnostikuara me KKR janë tek persona nën moshën 55 vjet. Shkalla e mbijetesës relative 5-vjeçare për kancerin e zorrës së trashë në stadin I dhe stadin II është 90%; Shkalla e mbijetesës 5-vjeçare për pacientët e diagnostikuar në stadin III është 71% dhe stadin IV është 14%. Personat që kanë një histori familjare të kancerit kolorektal janë në rrezik më të lartë dhe mjekët në përgjithësi rekomandojnë fillimin e skriningut në një moshë më të hershme, pasi rreziku i zhvillimit të sëmundjes mund të jetë më i lartë. Për ata që nuk kanë një histori familjare të sëmundjes, skriningjet e rekomanduara zakonisht fillojnë në moshën 50-vjeçare, sepse kjo është periudha në jetën e një personi kur rritet rreziku i zhvillimit të kësaj sëmundjeje. Mirëpo, edhe nëse jeni nën 50 vjet dhe nuk keni histori familjare të kancerit të zorrës së trashë, nëse vini re simptoma si dhimbje barku, gjak në jashtëqitje, ngushtim të jashtëqitjes ose një ndryshim në punën e zorrëve tuaja, drejtohuni tek mjeku juaj dhe bëni një kontroll. Kini kujdes që të jepni sa më shumë informacion të jetë e mundur, si për kohën kur u ka filluar dhimbja ose shqetësimi dhe/ose për frekuencën e simptomave.
Si ta parandalojmë kancerin e zërrës së trashë? Hulumtimet tregojnë se dieta e pasur me yndyrë është faktori kryesor i rrezikut për zhvillimin e kancerit të zorrës së trashë. Dieta duhet të jetë e pasur me fibra natyrale dhe ato nuk duhet të konsumohen në formë të suplementeve. Rekomandohet konsumimi i të paktën pesë racioneve me fruta (fruta tropikale, mollë, dardhë, kumbulla) dhe perime të freskëta në ditë. Brokoli dhe lakra duhet të konsumohen të paktën një herë në javë. Rekomandohet të reduktohet konsumi i mishit të kuq, jo më shumë se tre herë në javë dhe të shmanget konsumimi i produkteve të përpunuara të mishit. Rekomandohet konsumimi i peshkut dhe i mishit të pulës si burim i proteinave shtazore.
Çfarë është skriningu? Skriningu është një metodë për ta zbuluar një sëmundje përpara se të shfaqen simptomat. Skriningu mundëson zbulimin e kancerit në një fazë të hershme përpara se ai të bëhet invaziv dhe zbatohet për njerëzit me rrezik mesatar (si dhe popullatën e përgjithshme). Skriningu ka për qëllim të sigurojë mbijetesë, ta reduktojë sëmundshmërinë dhe ta përmirësojë cilësinë e jetës së atyre që kanë zhvilluar kancer. Ai ka për qëllim ta zvogëlojë rrezikun, por nuk e diagnostikon sëmundje. Skriningu duhet të fillojë në moshën 45 vjet për individët me rrezik mesatar pa histori familjare. Nga 15 deri në 40% e të rriturve mund të kenë polipe të zorrës së trashë. Rreth 3,4% e polipeve janë prekancerozë. Skriningu për kancerin kolorektal përmes kolonoskopisë mund ta parandalojë kancerin duke i hequr polipet parakanceroze. Sot kemi në dispozicion shumë teste skriningu, përfshirë edhe disa teste jo invazive dhe të lira, që mund të bëhen në privatësinë e shtëpisë tuaj. Skriningu në moshën e rekomanduar rrit gjasat që kanceri kolorektal të zbulohet në një fazë të hershme. Kur kanceri kolorektal zbulohet në fazat e hershme mundësia për shërim është më e madhe, trajtimi është më pak invaziv dhe shërimi është shumë më i shpejtë. Rreziku nga zhvillimi ose vdekja nga kanceri kolorektal mund të reduktohet duke mbajtur një peshë të shëndetshme trupore, duke bërë aktivitet të rregullt fizik, duke e kufizuar konsumimin e mishit të kuq dhe përpunimeve të mishit dhe duke mos pirë duhan. Kanceri kolorektal nuk shkakton gjithmonë simptoma dhe simptomat mund të mos shfaqen derisa kanceri të ketë kaluar në një stad më të avancuar, kështu që skriningu në kohë është i një rëndësie të madhe.
Çfarë duhet të dimë tjetër? Kanceri kolorektal zakonisht zhvillohet ngadalë gjatë një periudhe nga 10 deri në 15 vjet. Shkalla e kancerit kolorektal ndryshon dukshëm në mbarë botën. Vendet e varfra kanë shkallë më të lartë të vdekshmërisë nga kanceri kolorektal, sepse pacientët kanë më pak mundësi që të kontrollohen në kohë. Qasja më e dobët në skrining nënkupton që edhe mundësia për zbulimin e hershëm të kancerit kolorektal është më e ulët. Me skriningun dhe testimin në kohë, kanceri kolorektal mund të parandalohet, trajtohet dhe mundet.
Përgatiti dhe përktheu: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve