- 24.03.2025
DITA BOTËRORE E LUFTËS KUNDËR TUBERKULOZIT 2025
DITA BOTËRORE E LUFTËS KUNDËR TUBERKULOZIT 2025 – ËSHTË KOHA PËR VEPRIM!
Dita Botërore e Tuberkulozit, që shënohet çdo vit më 24 Mars, është një nismë globale për ta rritur ndërgjegjësimin për këtë sëmundje të rëndë infektive, pasojat e saj dhe për mënyrat për parandalimin dhe trajtimin e saj. Kjo datë u zgjodh për ta përkujtuar ditën kur në vitin 1882 Dr. Robert Koch zbuloi bakterin Mycobacterium tuberculosis, që mundësoi përparime në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjes.
Në vitin 2025 Dita Botërore e Tuberkulozit vjen me një mesazh të qartë: "Është koha për veprim!" Edhe pse tuberkulozi është një sëmundje e parandalueshme dhe e shërueshme, ajo mbetet një problem shëndetësor global, sidomos në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Sipas të dhënave më të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nga tuberkulozi çdo vit sëmuren me miliona njerëz dhe mijëra jetë shuhen për shkak të diagnostikimit të vonuar ose qasjes të pamjaftueshme në trajtimin e duhur.
Çfarë është tuberkulozi?
Tuberkulozi është një sëmundje infektive që i sulmon kryesisht mushkëritë, por mund të prekë edhe organe të tjera si kockat, trurin dhe veshkat. Sëmundja përhapet përmes ajrit nga spërklat që lëshon një person i infektuar kur kollitet ose teshtin. Disa nga simptomat më të shpeshta janë:
Kolla e zgjatur (më shumë se dy javë)
Dhimbja në gjoks
Lodhja dhe debulesa
Humbja e papritur në peshë
Djersitja natën dhe temperatura e rritur e trupit
Sfidat në luftën kundër tuberkulozit
Edhe pse në dekadat e fundit ka pasur përparime të rëndësishme në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjes, lufta kundër tuberkulozit ende përballet me shumë sfida:
🔸 Qasja e pamjaftueshme në kujdes shëndetësor – Në shumë vende të varfra diagnoatikimi dhe trajtimi kushtojnë shumë ose janë të padisponueshme.
🔸 Rezistenca ndaj antibiotikëve – Rritja e rezistencës së bakterit ndaj barnave e bën trajtimin më të vështirë.
🔸 Stigmatizimi dhe mungesa e informacionit – Shumë individë të prekur i largohen kujdesit mjekësor nga frika e gjykimit nga shoqëria.
Si mund të ndihmojmë?
Informohuni dhe ngrini vetëdijen – Edukimi është çelësi për zbulimin dhe parandalimin e hershëm.
Vaksinimi – Vaksina BCG është efektive në mbrojtjen e fëmijëve nga format e rënda të tuberkulozit.
Kontrolle të rregullta shëndetësore – Nëse keni simptoma, kërkoni menjëherë ndihmë nga mjeku.
Mbështetni programet për ta luftuar tuberkulozin – Bëhuni vullnetar, dhuroni dhe avokoni për një kujdes më të mirë shëndetësor për të gjithë.
Gjendja me tuberkulozin në Republikën e Maqedonisë së Veriut
Sipas të dhënave të fundit me të cilat disponon Instituti i Shëndetit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, numri i rasteve të reja të regjistruara me tuberkuloz në vitin 2023 ka qenë 160 raste. Nga ato, 109 janë meshkuj ndërsa 51 femra. Gjendja në vitin 2023 është e ngjashme me vitet e kaluara, me një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2018 dhe 2019, kur numri i të prekurve ka qenë 217 për vitin 2018 dhe 199 raste për vitin 2019.
Numri i përgjithshëm i rasteve aktive me TB në Maqedoni për vitin 2023 është 290. Prej tyre 230 janë meshkuj dhe 60 femra. Nga këto të dhëna mund të vëmë re se raporti i rasteve me TB te meshkujt është 2:1 në raport me rastet tek femrat, që do të thotë se kjo sëmundje është shumë më e shpeshtë tek meshkujt. Me kalimin e viteve kemi një rritje të rasteve të reja, që është një tendencë shqetësuese, sepse sot kemi një vaksinë dhe trajtim për këtë sëmundje.
Gjendja me tuberkulozin në botë
Sipas të dhënave të OBSH-së në vitin 2023, nga tuberkulozi janë prekur 10,8 milionë njerëz. Numri më i madh i tyre janë regjistruar në vendet e pazhvilluara, sidomos në Afrikë dhe Azi. Sipas të dhënave të OBSH-së, në mbarë botën si pasojë e tuberkulozit kanë vdekur 1,25 milionë njerëz. Ajo që është pozitive është se që kur ekzistojnë strategjitë për tuberkulozin në mbarë botën nga viti 2000 e deri më sot janë shpëtuar rreth 79 milionë jetë, kjo përmes fushatave dhe përpjekjeve globale për t'i dhënë fund tuberkulozit.
Foto 1. Shkalla e rasteve të reja me TB në botë sipas të dhënave nga
(https://ourworldindata.org/tuberculosis)
Mesazhi i Ditës Botërore të Luftës Kundër Tuberkulozit 2025
Tuberkulozi nuk është një sëmundje e së shkuarës - ajo ende përbën një kërcënim për miliona njerëz në mbarë botën. Është koha për veprim të përbashkët! Me përkushtim, ndërgjegjësim dhe solidaritet ne mund të krijojmë një të ardhme pa tuberkuloz.
MBANI MEND: Tuberkulozi mund të shërohet, por vetëm nëse zbulohet në kohë. Kujdesuni për shëndetin tuaj dhe shëndetin e komunitetit tuaj!
Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve