• 04.06.2025

4 Qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve të Pafajshëm - Viktima të Agresionit


Çdo 4 qershor bota u bën homazh miliona fëmijëve që janë viktima të dhunës, luftës, konflikteve, varfërisë dhe abuzimit. Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve të Pafajshëm Viktima të Agresionit u themelua nga Kombet e Bashkuara në vitin 1982, si përgjigje të vuajtjeve tronditëse të fëmijëve libanezë dhe palestinezë gjatë konflikteve të armatosura në Lindjen e Mesme. Por, rëndësia e kësaj dite shpejt mori përmasa globale – sot ajo i përfaqëson të gjithë fëmijët në mbarë botën që vuajnë nga dhuna të cilën ata nuk e kanë shkaktuar vetë, por që e kanë ndjerë drejtpërdrejt.

Për këtë arsye, Instituti i Shëndetit Publik e shënon këtë ditë çdo 4 qershor, duke u bërë homazh miliona fëmijëve në të kaluarën dhe sot që janë viktima të pafajshme të dhunës, luftës, terrorizmit, abuzimit dhe formave të ndryshme të agresionit. Kjo ditë nuk është vetëm një çast përkujtimi – por është një thirrje për vigjilencë dhe kujdes, mbrojtje dhe ndryshim aktiv. Është një simbol i dhimbjes që sjell heshtja, por edhe i shpresës se me angazhim të përbashkët, vuajtjet e më të vegjëlve midis nesh – fëmijëve – mund të parandalohen.

Ø  468 milionë fëmijë jetojnë në zona konflikti në mbarë botën – të ekspozuar ndaj dhunës, paqëndrueshmërisë dhe rrezikut të vazhdueshëm për mirëqenien e tyre fizike dhe mendore. (UNICEF, 2023).

Ø  160 milionë fëmijë janë të përfshirë në eksploatimin e fëmijëve në mbarë botën - 1 në 10 fëmijë. Ky numër vitet e fundit është rritur për shkak të COVID-19, krizave ekonomike dhe konflikteve të armatosura.  (ONP dhe UNICEF, 2022)

Ø  Mbi 36 milionë fëmijë aktualisht janë të zhvendosur nga lufta, dhuna ose fatkeqësitë klimatike - numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë. (UNHCR, 2023)

Ø  Në çdo 7 minuta, diku në botë një fëmijë e humb jetën si pasojë e dhunës. (OBSH, 2021)

Ø  Çdo vit 1 në 4 fëmijë (rreth 1 miliardë) përjeton ndonjë lloj të dhunës - fizike, seksuale ose emocionale. (OBSH, 2023)

Ø  Rreth 450 milionë fëmijë jetojnë në varfëri ekstreme, pa qasje në nevojat themelore si ushqimi, uji i pastër, arsimi apo mbrojtja shëndetësore.

Ø  Në vitin 2023, mbi 5.000 fëmijë u vranë ose u lënduan në zona konflikti si Sudani, Gaza, Ukraina, Afganistani, Siria dhe Jemeni.

Fëmijëria duhet të jetë një kohë e mbushur plot dashuri, loje, mësim dhe jetë pa brenga. Por, për shumë fëmijë në mbarë botën, fëmijëria do të thotë frikë, uri, abuzim, arratisje dhe traumë. Ata nuk e kuptojnë pse ndëshkohen nga realiteti në të cilin kanë lindur. Ata nuk e kuptojnë se pse duhet ta humbasin pafajësinë e tyre përballë armëve, sirenave, varfërisë ose neglizhencës. Për ta, dhuna nuk është lajm - është përditshmëri. Ëndrrat e tyre janë zëvendësuar nga lufta për mbijetesë.

Motoja për vitin 2025“Mbroni fëmijërinë, mbroni pafajësinë” – është një thirrje e drejtpërdrejtë për të gjithë ne. Ta mbrosh fëmijërinë nuk do të thotë vetëm t’i mbash fëmijët larg luftës ose konfliktit. Do të thotë t’u sigurosh atyre një mjedis plot dashuri dhe të sigurt në të cilin ata do mund të zhvillohen, të rriten, të mësojnë dhe të ëndërrojnë. Tu sigurohet qasja në arsim, mbrojtje shëndetësore, mbështetje emocionale dhe stabilitet. Fëmijëria mbrohet me prani, me kujdes, me vëmendje. Me fjalë, por edhe me vepra.

Ta mbrosh pafajësinë do të thotë të ngrihesh kundër të gjitha formave të abuzimit dhe shfrytëzimit. Të thuash qartë dhe me zë të lartë se fëmijët nuk duhet të jenë shënjestër e urrejtjes, neglizhencës ose dhunës – as në shtëpi, as në shkollë, as në rrugë. Ta mbrosh pafajësinë do të thotë të vendosësh një vijë të qartë përballë atyre që e shkelin atë dhe të përforcosh sistemet që e mbrojnë atë. Është detyra jonë e përbashkët morale.

Le të jetë kjo ditë një përkujtim, por edhe një detyrim. Një përkujtim se heshtja vret dhe indiferenca lejon që ajo e keqe të përsëritet. Një detyrim për t'u bërë një shoqëri që kujdeset, përgjigjet dhe parandalon. Le të ndërtojmë një botë në të cilën një fëmijë nuk do të ketë frikë të qeshë, të vrapojë, të ëndërrojë. Një botë në të cilën një fëmijë nuk do të jetë dëshmitar i dhimbjes, por një lajmëtar i paqes.

Secili nga ne mund të jetë pjesë e këtij ndryshimi - përmes fjalës, veprimit, edukimit, vullnetarizmit, ndarjes së të vërtetave ose thjesht duke mos i mbyllur sytë ndaj padrejtësisë. Hapat e vegjël çojnë drejt ndryshimeve të mëdha.

Në këtë 4 qershor mendimet tona le të jenë me të gjithë fëmijët që kanë humbur diçka që nuk duhej ta kishin humbur kurrë - sigurinë e tyre, fëmijërinë e tyre të pafajshme dhe shpresën e tyre. Zëri ynë le të jetë zëri i tyre. Dhe veprimet tona - mbrojtja e tyre.

 

Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve