• 01.08.2025

JAVA BOTËRORE E GJIDHËNIES, 1-7 GUSHT


 

INVESTONI NË GJIDHËNIE, INVESTONI NË TË ARDHMEN.

Java Botërore e Gjidhënies shënohet çdo vit në javën e parë të gushtit me mbështetje të OBSH-së, UNICEF-it, Ministrisë së Shëndetësisë si dhe partnerëve nga sektori civil në mbarë botën. Ka ardhur koha që gjidhënia të njihet si një bazë e fuqishme për përfitime përgjatë gjithë jetës, për zhvillim dhe barazi.

Si çdo vit Instituti i Shëndetit Publik ofron mbështetje dhe e shënon Javën Botërore të Gjidhënies. Mbështetja për gjidhënien vjen në forma të ndryshme. Instituti i Shëndetit Publik si anëtar i Aleancës për gjidhënie të sigurt dhe të shëndetshme (WABA) i bashkëngjitet shënimit përmes informimit, inkurajimit dhe përfshirjes në aktivitete për gjidhënie dhe çështje të ngjashme.  

Me fushatën globale përfshihen të gjitha nënat me të gjithë diverzitetin e tyre gjatë gjithë udhëtimit të tyre të amësisë dhe gjidhënies, duke i treguar mënyrat se si familjet, shoqëritë, komunitetet dhe punonjësit e shëndetësisë mund t'i mbrojnë nënat gjidhënëse.

Në vitin 2023 shkalla globale e ushqyerjes vetëm me gji në 6 muajt e parë ka qenë 48%, afër objektivit të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë prej 50% deri në vitin 2025. Për të siguruar rritje pozitive dhe për ta arritur objektivin e ri të vitit 2030 prej 70% ushqyerje vetëm me gji në 6 muajt e parë, qenësore është pjesëmarrja e çdo aktori që përbën zinxhirin e ngrohtë. Mbështetja e gjidhënies për një planet më të shëndetshëm kërkon krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm ku gjidhënia është përparësi. Kur gjidhënia mbrohet, promovohet dhe mbështetet, krijohet një mjedis i qëndrueshëm që do të na ndihmojë t’i zbusim ndikimet e drejtpërdrejta të ndryshimeve klimatike. Mbrojtja, promovimi dhe mbështetja e gjidhënies janë faktorë të drejtpërdrejtë që i adresojnë pabarazitë që e pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm.

Instituti i Shëndetit Publik kohëve të fundit i ka kushtuar vëmendje të madhe gjidhënies, pra nënave që ushqejnë me gji. Kohët e fundit, Instituti ka prezantuar një linjë telefonike që ofron mbështetje, inkurajim dhe siguri nëse një nënë ka nevojë të konsultohet me ekspertë në fushën e gjidhënies dhe ndihmë gjatë periudhës pas lindjes. Edhe në periudhën që vjen do të vazhdojë në të njëjtin drejtim duke promovuar zakone të mira dhe të shëndetshme gjatë periudhës së mëmësisë dhe fillimit të një epoke të re për nënat dhe familjet e tyre.

Java Botërore e Gjidhënies do t'i kushtojë vëmendje të veçantë mbështetjes së vazhdueshme për të cilën kanë nevojë gratë dhe foshnjat nga sistemi shëndetësor gjatë gjidhënies. Kjo nënkupton që çdo nënë të ketë qasje në mbështetje dhe informacion për gjidhënies për aq kohë sa dëshiron ta bëjë këtë gjë, duke investuar në këshillim profesional për gjidhënien, duke e zbatuar Kodin Ndërkombëtar të Marketingut për Formulat e Foshnjave (qumësht pluhur), duke krijuar një mjedis miqësor në kontekstin e gjidhënies në shëndetësi, në punë dhe në shoqëri në përgjithësi.

Nuk bëhet fjalë vetëm me bërjen e asaj që është e drejtë, por që është edhe ekonomike. Ushqyerja me gji ofron një të ardhme premtuese jo vetëm për fëmijët, por edhe për shoqëritë. I zvogëlon shpenzimet për mbrojtje shëndetësore, e nxit zhvillimin kognitiv, i forcon ekonomitë dhe, ajo më e rëndësishmja, u mundëson fëmijëve një fillim të shëndetshëm.

 

             AKTIVITETE THEMELORE NË SEKTORIN SHËNDETËSOR

·         Mbështetje në çdo hap të udhëtimit

Ofrimi i mbështetjes profesionale dhe empatike për ushqyerjen me gji gjatë fëmijërisë së hershme, qasje e garantuar dhe e vazhdueshme në këshillim të trajnuar për gjidhënien që në fillim të shtatzënisë për të gjitha nënat.

· Trajnimi dhe autorizimi i punonjësve shëndetësorë

Sigurimi që të gjithë punonjësit shëndetësorë që punojnë në fushën e shëndetit të nënës dhe fëmijës të jenë të përgatitur me njohuri dhe aftësi të reja rreth gjidhënies, të cilat pastaj mund t'ua përcjellin lehtësisht dhe me durim nënave.

· Krijimi i sistemeve shëndetësore që janë miqësore ndaj gjidhënies

Klinika dhe spitale që janë mbështetëse të sigurta të gjidhënies përmes mjediseve për mbështetje.

 

              AKTIVITETE THEMELORE PËR PUBLIKUN E GJERË

· Të gjithë ne mund t’i mbrojmë nënat

Familjet, miqtë, punëdhënësit dhe komunitetet luajnë një rol të madh në mbështetjen e nënave gjidhënëse dhe në krijimin e një mjedisi mbështetës për gjidhënie në çdo kohë dhe kudo.

· Mësoni faktet

Ushqyerja me gji është një mënyrë natyrale për t'u dhënë foshnjave fillimin më të mirë në jetë - duke përforcuar sistemin e tyre imunitar, duke ndihmuar në luftimin e sëmundjeve dhe duke ofruar komoditet dhe ushqim vital.

· Flisni zëshëm për mbështetjen e gjidhënies

Avokoni për politika dhe mjedise që e bëjnë gjidhënien më të lehtë dhe më të arritshme. 

 

Përgatiti:

Departamenti i promovimit dhe i ndjekjes së sëmundjeve

 

*******************************************

 

Përparësitë e gjidhënies

 

Kujdes për foshnjën tuaj dhe për ju

 

Çdo pikë e qumështit të nënës është një përfitim për foshnjën Tuaj

 

 

Për foshnjën tuaj

 

Siguron ushqim të shkëlqyer

Qumështi i nënës është një përbërje ideale e materieve ushqyese për të cilat ka nevojë foshnja juaj për një rritje dhe zhvillim të shëndetshëm. Ai përmban antitruptha që ndihmojnë në mbrojtjen nga sëmundjet dhe infeksionet.

E përforcon mbrojtjen imunologjike

Qumështi i nënës përmban imunoglobuline dhe substanca të tjera mbrojtëse që e përforcojnë sistemin imunitar të foshnjës. Foshnjat e ushqyera me gji janë më pak të prirura ndaj infeksioneve, ftohjeve dhe problemeve me stomakun.

Nxit aktivitetin e trurit

Ushqyerja me gji e mbështet zhvillimin kognitiv falë acideve yndyrore të posaçme që janë qenësore për zhvillimin e trurit dhe syve.

E zvogëlon rrezikun nga sëmundjet kronike

Foshnjat  e ushqyera me gji janë në pak të prirura ndaj zhvillimit të alergjive, astmës, mbipeshës dhe sëmundjeve të caktuara kronike në vitet më të vonshme të jetës.

Nxit afërsi dhe lidhje me nënën

Afërsia fizike gjatë gjidhënies e përforcon lidhjen emocionale mes nënës dhe foshnjës, duke siguruar siguri dhe mbështetje.

 

Për ju nëna

 

Nxit shërim më të shpejtë pas lindjes

Gjidhënia ndihmon që mitra të kthehet në gjendjen e saj të mëparshme, e zvogëlon gjakderdhjen dhe e përshpejton shërimin pas lindjes.

Ndihmon në humbjen e peshës së tepërt të fituar gjatë shtatzënisë

Gjidhënia djeg kalori shtesë, gjë që mund të ndihmojë në humbjen graduale të peshës së fituar gjatë shtatzënisë.

E zvogëlon rrezikun nga disa lloje të caktuara të kancerit

Gjidhënia e zvogëlon rrezikun nga zhvillimi i kancerit të gjirit dhe vezoreve.

E zvogëlon rrezikun nga depresioni postnatal

Gjidhënia liron hormone që krijojnë ndjenjën e qetësisë dhe ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut nga depresioni postnatal.

Praktike dhe ekonomike

Gjidhënia është falas dhe e qasshme në çdo kohë. Nuk ka nevojë për përgatitje, biberona ose qumësht formulë – jeni vetëm Ju dhe foshnja Juaj.

 

 

Këshilla për gjidhënie të suksesshme

Vendosuni në një pozitë komode: Gjeni një pozitë të rehatshme për Ju dhe foshnjën Tuaj.

Hidratohuni:  Pini shumë ujë që ta mbështetni prodhimin e qumështit.

Kërkoni mbështetje: Mos hezitoni të kërkoni ndihmë nëse hasni në sfida.

Kini besim tek trupi juaj: Sasia e qumështit do i përshtatet nevojave të foshnjës Tuaj.

 

Mos harroni, çdo pikë është e rëndësishme!

Gjidhënia është zgjidhje personale, ndërsa përvoja e çdo nëne është unike.

 

Kërkoni mbështetje, informohuni dhe kini besim në vete!

 

Për më shumë informacion kontaktoni profesionistët nga Qendra për këshillim “INFO BEBE” në linjën telefonike +389 78 285 613 ose vizitoni www.iph.mk