• 17.11.2025

Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme


 

Dita Botërore e Lindjes së Parakohshme shënohet globalisht për ta rritur ndërgjegjësimin rreth sfidave dhe ndikimit të lindjes së parakohshme. Në këtë ditë ne e theksojmë nevojën urgjente për ta përmirësuar kujdesin për foshnjat e lindura para kohe, duke ofruar edhe mbështetje praktike dhe emocionale për familjet e tyre. Sllogani zyrtar për Ditën Botërore të Lindjes së Parakohshme këtë vit është: "Jepuni foshnjave të lindura para kohe një fillim të fortë për një të ardhme më të ndritur". Instituti i Shëndetit Publik i bashkohet fushatës së Fondacionit Global për Kujdesin për të Porsalindurit (GFCNI). Mesazhi i këtij viti bën thirrje për veprime urgjente për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e foshnjave të lindura para kohe që nga fillimi. Një fillim i fortë në jetë i ndihmon këto foshnje të rriten, të lulëzojnë dhe ta arrijnë potencialin e tyre të plotë.

Një foshnjë e parakohshme përkufizohet si një foshnjë e lindur gjallë para përfundimit të 37 javëve të shtatzënisë. Ekzistojnë nënkategori të lindjes së parakohshme, bazuar në moshën gestacionale:

lindje jashtëzakonisht e parakohshme (më pak se 28 javë)

lindje shumë e parakohshme (28 deri në më pak se 32 javë)

lindje e parakohshme e moderuar deri në të vonë (32 deri në 37 javë)

Foshnjat mund të lindin para kohe për shkak të lindjes spontane të parakohshme ose sepse ekziston një indikacion mjekësor për planifikimin e induksionit të lindjes ose një prerjeje cezariane të hershme. 

Një në dhjetë foshnja lind para kohe. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vitin 2020 para kohe kanë lindur rreth 13,4 milionë foshnja (para 37 javëve të plota të shtatzënisë).

Komplikacionet e lindjes së parakohshme janë shkaku kryesor i vdekjes tek fëmijët nën 5 vjet, përgjegjëse për afërsisht 900.000 vdekje në vitin 2019.

Tre të katërtat e këtyre vdekjeve mund të parandaloheshin me ndërhyrje aktuale dhe ekonomike. Në të gjithë vendet në mbarë botën shkalla e lindjes së parakohshme varion nga 4 deri në 16% të foshnjave të lindura pas vitit 2020.

 

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas Entit Shtetëror të Statistikës, shkalla e vdekshmërisë foshnjore për vitin 2024 ka qenë 1,2 vdekje foshnjore 1.000 lindje të gjalla. Ndërsa shkalla e vdekshmërisë foshnjore në vitin 2013 ka qenë 10,2 vdekje foshnjore për 1.000 lindje të gjalla. Në periudhën e dhënë kemi parë një trend pozitiv të uljes së vdekshmërisë foshnjore.

 

Lindja e parakohshme është një sfidë serioze globale dhe kombëtare shëndetësore, me një ndikim të rëndësishëm në mbijetesën dhe shëndetin e të porsalindurve. Edhe pse Maqedonia, si shumë vende në botë, përballet me faktorë të ndryshëm që rrisin rrezikun e lindjes së parakohshme, në dekadën e fundit është vënë re një trend i qartë pozitiv në uljen e vdekshmërisë foshnjore. Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikës, shkalla e vdekshmërisë foshnjore është ulur ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara, gjë që tregon për një përmirësim në kujdesin shëndetësor, qasjen në shërbime mjekësore dhe mbështetje neonatale.

Ky progres duhet të forcohet më tej përmes investimeve të vazhdueshme në kujdesin perinatal dhe neonatal, zbulimin e hershëm të rrezikut, përmirësimin e kapacitetit spitalor dhe ofrimin e mbështetjes për familjet. Duke bashkuar forcat dhe duke zbatuar ndërhyrje efektive dhe të provuara, ne mund të sigurojmë shëndet më të mirë, shanse më të mëdha mbijetese dhe një të ardhme më të mirë për çdo foshnjë të parakohshme.

 

Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve